Në Kosovë ekzistojnë 38 qendra për punë sociale që ofrojnë më shumë se 70 shërbime për qytetarët, por atyre asnjëherë nuk iu është dhënë vëmendja e duhur. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se në kuadër të agjendës legjislative të qeverisë, është paraparë edhe Projektligji për shërbimet sociale që parasheh një reformë të thellë në Qendrave për Punë Sociale.
“Me këto dy dokumente qeveria synon fuqizimin e qendrave përmes shtimit të kapaciteteve, obligimin për profilizimin e stafit të tyre në mënyrë që të njëjtit të jenë në gjendje t’ju shërbejnë nevojave të qytetarëve sikurse edhe fuqizimin e mekanizmit të Inspektimit në rastet kur dyshohet për dështim të kryerjes së përgjegjësive”, deklaroi kryeministri Kurti.
Këto deklarata kryeministri kosovar i ka bërë gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësuesit e qendrave për punë sociale, takim ky i pari që u organizua në një format të tillë nga Ministria e Drejtësisë. Në këtët takim kanë martat pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Kryeministri pasi përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për angazhimin dhe punën e tyre, para tyre tregoi edhe synimet dhe veprimet që Qeveria planifikon në këtë aspekt, ku veçoi themelimin e Grupit Punues në janar të vitit 2023, i cili do ta bëjë një analizë të detajuar të gjendjes në këto qendra, në raport me përgjegjësitë, sfidat dhe kapacitetet njerëzore dhe profesionale.
Ndryshe, shërbimet e këtyre qendrave deri më 1 janar kanë funksionuar në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ndërkaq nga ajo kohë e tutje këto shërbime kanë kaluar në Ministrinë e Drejtësisë, njofton ekzekutivi në një komunikatë për medie.