Në kohën kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar thirrjet për të bërë kujdes ndaj ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria është bërë vendi i dytë në këtë rajon – pas Serbisë – që ka hequr vizat me shtetin komunist.
Marrëveshja për heqjen reciproke të vizave, e cila është firmosur në mes të muajit janar, do të hyjë në fuqi më 17 shkurt.
Një raport i Qendrës për Analizë të Politikave Evropiane (CEPA), i publikuar në gusht të vitit 2022, ka nxjerrë në pah se “Kina kërkon lidhje më të ngushta me Shqipërinë, në kuadër të projektit gjigant të Partisë së saj Komuniste për të zgjeruar ndikimin e Pekinit dhe për t’u bërë aktor kryesor në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë”.
Presidenti i Universitetit Evropian të Tiranës, Selami Xhepa, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se marrëveshja për vizat do të ndikojë në këtë synim të Pekinit.
“Padyshim që heqja e vizave është një akt mjaft pozitiv në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare me Kinën, përmes reduktimit të kostove dhe barrierave të lëvizjes. Duhet theksuar se këto barriera edhe para liberalizimit të vizave nuk janë raportuar si pengesë, por, sidoqoftë, me heqjen e tyre, supozohet të ketë efekte pozitive”, thotë Xhepa për Radion Evropa e Lirë.
Kina përbën ekonominë e dytë më të madhe në botë, pas SHBA-së.
Me gjithë rënien e aktivitetit ekonomik që ka pësuar gjatë pandemisë COVID-19, ajo ka zgjeruar shtrirjen e saj ekonomike dhe tregtare në të gjitha vendet e botës, përfshirë Shqipërinë, thotë Xhepa.
“Importet e mallrave kineze [në Shqipëri] janë rritur nga rreth 140 milionë euro në vitin 2005, në mbi 600 milionë euro aktualisht, duke shënuar rritje mbi 5.5 herë. Eksportet e produkteve tona drejt Kinës janë rritur gjithashtu, nga rreth 3 milionë euro në rreth 90 milionë aktualisht. Pra, në një periudhë prej gati një dekade e gjysmë, tregtia e jashtme mes dy vendeve është rritur me ritme mjaft të shpejta”, vë në pah Xhepa.
Sipas tij, importet dominohen nga prodhimet e tekstilit, makineritë dhe pajisjet, si dhe produktet e industrisë plastike dhe kimike, ndërsa eksportet i dominojnë produktet minerale.
Kina, aktualisht, është partnerja e tretë tregtare e Shqipërisë – pas Italisë dhe Turqisë.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në Tiranë, pedagogu Dritan Hoti, thotë se vendimi për heqjen e vizave shkon në favor të Kinës, përkatësisht qëllimit të saj për të rritur varësinë ekonomike të Shqipërisë ndaj saj.
“Heqja e barrierës që përfaqëson sistemi i vizave ndërmjet dy vendeve, favorizon më shumë mekanizmat ekonomiko-tregtarë kinezë, që të qarkullojnë lirshëm në Shqipëri, duke rritur kështu edhe praninë ekonomike, industriale”, thotë Hoti.
Nga ekonomia te ndikimi politik
Veç ndikimit në fushën ekonomike, Hoti sheh rrezik edhe sa i përket ndikimit politik.
“Ndryshe nga Rusia, e cila e stigmatizon rolin e botës shqiptare në Ballkan, Kina, duke u qëndruar besnike taktikave të saj të të bërit diplomaci, synon të jetë prezente në Shqipëri, duke i intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe. Nisur nga avantazhi i madh, në të gjitha aspektet, që Kina e madhe gëzon përkundrejt Shqipërisë së vogël, bashkëpunimi ekonomik mund të metamorfozohet fare lehtë në një varësi ekonomiko-teknologjike… Kjo varësi mund të shërbejë edhe si një mekanizëm kushtëzues gjeopolitik, i lidhur me çështjen shqiptare”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Bashkimi Evropian po e vëzhgon me kujdes rolin e Kinës në Ballkan. Në samitin e fundit mes BE-së dhe Kinës, që u mbajt në prill të vitit të kaluar, diplomatët evropianë thanë se, në aspektin politik, angazhimi i Kinës nuk është aq i dukshëm sa i Rusisë apo Turqisë. Megjithatë, ai është në rritje dhe kërkon kujdes edhe nga ana e bllokut evropian, thanë ata.
BE-ja dhe Kina janë në grindje për një varg çështjesh – nga spiunazhi ekonomik deri te pozicionimi ushtarak i Pekinit në Tajvan.
Ndonëse ndikimi më i madh i Kinës është vërejtur në Serbi – ku dërgon edhe armë, raketa, kamera të sigurisë e të tjera – ai nuk është i kufizuar vetëm në këtë shtet të Ballkanit.
Një firmë nga Kina është duke ndërtuar urën në Gadishullin Peleshac në Kroaci – projektin më të madh në këtë shtet të BE-së, të financiar nga vetë blloku evropian. Vite më parë, Greqia ia ka shitur Kinës portin në Pire. Edhe Mali i Zi dhe Hungaria kanë projekte të shumta me Kinën. Sipas raportit të Qendrës për Zhvillim Global, Mali i Zi është në mesin e tetë vendeve më të rrezikuara nga prania kineze.
“Ofertat” financiare nga Kina dhe refuzimi nga Shqipëria
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, thotë se ka pasur përpjekje të shumta gjatë viteve nga Banka e Kinës për ofrimin e financimeve përmes kredive të buta, të cilat do të kërkonin garanci nga shteti shqiptar.
“Qeveritë shqiptare asnjëherë nuk kanë ofruar garanci të tilla, prandaj edhe investimet kineze – ndryshe nga rajoni – nuk kanë pasur sukses. Një nga projektet më ambicioze ishte financimi i Rrugës së Arbrit, për të cilën konkurrentët kinezë siguronin vetë edhe financimin, por nuk u pranuan nga autoritetet tenderuese shqiptare”, kujton Xhepa.
Në vitin 2016, një kompani kineze – e mbështetur nga shteti – bleu 100 për qind të aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, por, pak kohë më vonë, marrëveshja u prish.
Në fund të vitit 2019, Shqipëria hoqi dorë edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me Kinën për rrjetin e internetit 5G, pas thirrjeve që bëri Ambasada amerikane në Tiranë. Kjo marrëveshje, më pas, u firmos me ShBA-në.
Shqipëria është pjesë e nismës 17+1, e iniciuar nga Pekini, e që përfshin vende të Evropës Qendrore, Lindore dhe të Ballkanit Perëndimor. Synim i kësaj nisme është t’i promovojë marrëdhëniet tregtare dhe investuese.
Më herët ka pasur diskutime të gjera nëse Shqipëria do të duhej të dilte prej saj. Por, për ekspertin e ekonomisë, Selami Xhepa, Shqipëria është vetëm formalisht pjesë e saj, pasi, deri më tash, asnjë financim nuk është realizuar në kuadër të këtij projekti.
“Nga kjo pikëpamje, dalja e vendit do të ishte një akt që nuk prodhon ndonjë pasojë në termat financiarë, por i tepërt dhe i panevojshëm, si një akt politik, për të cilin nuk ka ndonjë veprim nga partnerët tanë strategjikë, siç janë Bashkimi Evropian apo ShBA-ja”, thotë Xhepa.
Hoti e sheh pak më ndryshe këtë situatë.
“Duhet të vazhdojë të jetë pjesë, por njëkohësisht të tregohet shumë e kujdesshme. Nëse qëndrimi kinez ndaj Kosovës vazhdon të jetë i njëjti – duke e parë atë si realitet të sponsorizuar nga SHBA-ja – mund të shqyrtohet në dritën e rrethanave të reja edhe një largim nga kjo nismë”, thotë Hoti.
Shqetësimi që lidhet me ribalancimin e ekonomisë botërore
Të dy ekspertët e shohin përpjekjen e Pekinit për t’u shtrirë në disa sektorë kyçë të vendeve të Ballkanit si shqetësuese sa i përket ribalancimit të ekonomisë botërore.
“Për dallim nga Serbia, Mali Zi apo vendet e tjera në rajon, në Shqipëri nuk kemi pasur zgjerim të kapitalit kinez, shtetëror apo privat… Por, investimet kineze kanë krijuar shqetësime në vendet ku kanë depërtuar, pasi kanë krijuar probleme në qëndrueshmërinë fiskale të vendeve përfituese, e për pasojë e kanë thelluar varësinë e tyre nga Kina. Kjo ka rritur qasjen e Kinës në burimet e lëndëve të para të vendeve debitore. Në kontekstin e riformatimit të zinxhirit botëror të furnizimit, që po ndodh pas pandemisë dhe aktualisht luftës në Ukrainë, sigurisht që këto zhvillime ngrenë shqetësime për ribalancimin e ekonomisë botërore”, thotë Xhepa.
“Ballkani, si pjesë qendrore e Evropës Juglindore, është i lakmuar si dikur nga perandoritë – ashtu edhe nga Kina aktuale. Kina e projekton pikërisht këtu ndërtimin e një strukture organike të një varësie ekonomiko-teknologjike e industriale”, thotë Hoti.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes për lëvizje të lirë, qytetarët e Shqipërisë do të mund të qëndrojnë pa viza në Kinë deri në 180 ditë.
Qytetarët kinezë e kanë pasur mundësinë për të hyrë me viza turistike në Shqipëri që prej vitit 2019.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, marrëveshja për lëvizje të lirë do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Më herët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi i tij pret më shumë investime nga Kina, ndërsa investitorët kinezë kanë shfaqur interes për investime në energji dhe infrastrukturë.