Shkruan: Arsim KASTRATI
Tash, me ja përmend nga pak kryeministrit metamorfozën e tij politike bënë por, me i thanë se nuk është mirë që e ka pranuar planin frankogjerman, pasi që tërë kohën i është thënë që ta pranojë atë, dhe bashkësinë e komunave në të cilat serbët janë komunitet shumicë nuk bënë, nuk është korrekte!
Edhe opozita bënë metamorfozë politike dhe bie në hipokrizi kur, për një moment e ndryshon qasjen kundrejt bisedimeve me Serbinë, kundrejt propozimeve të Amerikës dhe aleatëve të saj si dhe kundrejt qeverisë së vendit.
Deri te ky angazhim i sforcuar diplomatik i fuqive perëndimore
për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk do të vinte, po të mos ndodhte lufta e madhe e Rusisë në kufirin lindor të Europës por edhe kriza e theksuar gjeopolitike në tërë kontinentin e Azisë. E vendi ynë i vogël dhe i varur nga Amerika dhe aleatët e saj europian, nuk e ka luksin ta refuzojë biletën e trenit gjeopolitik të tyre.
Plani frankogjerman i mbështetur nga Amerika, mirë që nuk është refuzuar por, në kuadrin e tij është edhe obligimi i Kosovës për formimin e asociacionit, rreth të cilit, hezitimi i shoqërisë kosovare është i kuptueshëm.
Nëse Serbia nuk tërhiqet nga këto bisedime sepse, asaj më shumë i pëlqen statuskuoja dhe sepse ka mbetur pa ndihmën e “nënës Rusi”, atëherë ky plan do të ecë përpara dhe vendi ynë do të duhet të angazhohet në dinamikat dhe vendimet e tij, shpresojmë me unitet dhe maturi të skajshme!
Pra zotërinj opozitar, leni inatet politike për mbasi eventualisht të nënshkruhet marrëveshja dhe luani rolin më konstruktiv të mundshëm në maksimalizimin e përfitimeve që Kosova mund ti merr nga këto bisedime!
Në radhë të parë qeveria por, pse jo edhe opozita, do të duhet që ti studiojnë mirë kompetencat e të ashtuquajturit Asociacion dhe të kërkojnë garanci të forta ndërkombëtare për të gjithë marrëveshjen!
Qeveria gjithnjë ka deklaruar se është e aftë për përballimin e çdo sfide dhe ja ku e ka rastin historik, të dëshmohet e dobishme.
E do të jetë e dobishme dhe më e suksesshme nëse do të punoj së bashku me akterë të tjerë politik joqeveritar: me opozitën, shoqërinë civile dhe ekspertë të dëshmuar e dashamirës të popullit dhe shtetit të Kosovës!
Përballë sfidave të jashtme, duhet të jemi më unik!