Prishtinë- Gjykata Supreme e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe atë të shkallës së dytë, dhe e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq, i akuzuar për sulm seksual.
“Me rastin e kërkesës së mbrojtësit të dënuarit Numan Balic për mbrojtje të ligjshmërisë, dhe sipas detyrës zyrtare aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë, P.nr.646/2020 datë 10 qershor 2021 dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë, PA1. Nr.922/2021 datë 25 tetor 2021, anulohen dhe urdhërohet mbajtja e shqyrtimit të ri gjyqësor në Gjykatën Themelore në Pejë. Kërkesa e Prokurorit të Shtetit refuzohet si e pabazuar”, thuhet në vendimin e Supremes.
Për këtë rast, i akuzuari Baliq ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me dy vite burgim, ndërsa Gjykata e Apelit, e kishte ulur dënimin në një vit burgim, pas ricilësimit të veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, më 24 tetor 2022, kryetarja e kolegjit të Gjykatës Supreme, gjyqtarja Nesrin Lushta, ka marrë vendim për kthimin e rastit në rigjykim.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kundër aktgjykimeve të Themelores dhe Apelit, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kishte ushtruar prokurori, i cili e kundërshtonte vendmin e Apelit për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së Ligjit Penal, ku sipas tij ishte shkelur Ligji Penal në favor të të dënuarit. Ndërsa, mbrojtja kishte paraqitur kërkesë për shkak të shkeljes së Ligjit Penal, me propozimin që kërkesa e tyre të aprovohet, aktgjykimet e kundërshtuara të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Sipas vendimit të Supremes, kërkesa e prokurorit nuk është e bazuar, kurse aktgjykimet kundër të cilave është paraqitur kërkesa, duhet anuluar detyrimisht.
Nga vendimi thuhet se prokurori në kërkesë, pretendon se gjykata e shkallës së dytë me rastin e ricilësimit të veprës penale gabimisht ka interpretuar dispozitën e nenit 229, par.3, nënpar. 3.10 të Kodit Penal.
Tutje thuhet se sipas prokurorit, konkludimi i gjykatës së shkallës së dytë se nuk është përmbushur pika 3.10.2, par.3 të nenit 229 të KPRK, është i drejtë ngase qëndron fakti se viktima nuk ka qenë paciente e shtirë në spital në natën kur ka ndodhur rasti, mirëpo gabimisht e ka ricilësuar veprën penale sipas par.1 të nenit 229 të KPRK, duke e konsideruar kryerësin e veprës penale si person të zakonshëm, e në fakt ka qenë personel shëndetësor.
Në vendim thuhet se duke vepruar kështu, gjykata e shkallës së dytë e ka anashkaluar elementin qenësor të figurës së kësaj vepre penale, e që është pozita e kryerësit të saj.
Sipas vendimit të Supremes, thuhet se pretendimet në kërkesë të prokurorit kanë të bëjnë tërësisht me shkelje të Ligjit Penal në favor të të dënuarit, kurse pas shqyrtimit të pretendimeve të prokurorit në kërkesë, në raport me aktgjykimet e kundërshtuara dhe shkresat e lëndës, kjo gjykatë gjen se ato jo vetëm që janë të pabazuara, por janë edhe të paqarta.
Kjo thuhet për arsye se prokurori fillimisht kishte theksuar se konkludimi i gjykatës së shkallës së dytë se nuk është përmbushur pika 3.10.2 e par.3 të nenit 229 të KPRK-së, është i drejtë, ngase qëndron fakti se viktima nuk ka qenë paciente e shtrirë në spital në natën kur ka ndodhur rasti, por njëkohësisht konsideron se gjykata e shkallës së parë me të drejtë të dënuarin e ka shpallur fajtor për veprën penale “Sulm seksual” nga neni 229, par.3, nënpar. 3.10, pika 3.10.1 të KPRK-së.
Në vendim thuhet se për këtë formë kualifikuese, i dënuari nuk është akuzuar dhe as që është shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë, pra sipas vendimit nuk është e qartë se në çfarë aspekti e konteston ricilësimin e veprës penale nga shkalla e dytë.
Sipas vendimit, pavarësisht kësaj, nga shkresat e lëndës del se i dënuari është akuzuar dhe shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë për veprën penale “Sulmi seksual” parashikuar me nenin 229, par.3, nënpar. 3.10, pika 3.10.2, lidhur me par.1 të KPRK, kurse nënpar, 3.10 nuk është kusht i vetëm ngase për t’u përmbushur duhet që të përmbushet ndonjëra nga pikat e këtij nënparagrafi.
Supremja gjithashtu në vendim thekson se par.1 i nenit 229 të KPRK-së përcakton formën bazike të kryerjes së kësaj vepre penale, kurse par.3 i nenit 229 të KPRK-së përcakton format kualifikuese të kësaj vepre penale dhe një prej këtyre formave është përcaktuar edhe në nënpar.3.10 të nenit 229 të KPRK-së.
Kurse, sipas cilësimit të veprës penale me akuzë për të cilën i dënuari edhe është shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë, del se i dënuari në cilësi të profesionistit shëndetësor, veprën penale e ka kryer ndaj pacientes në spital.
Mirëpo, Gjykata Supreme konkludimin e gjykatës së shkallës së parë dhe pretendimet e prokurorit në kërkesë, i vlerëson si të pabazuara ngase nuk kanë mbështetje në ligj.
Në rastin konkret sipas vendimit, nuk ishte kontestues fakti se i dënuari është mjek dhe si i tillë është profesionist shëndetësor, pra në rastin konkret plotësohet kushti që kryerësit të jetë profesionisht shëndetësor, mirëpo ai në këtë cilësi sipas dispozitës ligjore nuk mund të kryejë vepër penale ndaj secilit person ashtu siç pretendon prokurori, ngase me ligj është përcaktuar kategoria e personave mbrojtës.
Andaj, sipas vendimit të Supremes, duke pasur parasysh faktin se i dënuari veprimet inkriminuese për të cilat ngarkohet nuk i ka ndërmarrë ndaj pacientes në spital, shkalla e tretë vlerësoi se gjykata e shkallës së dytë me të drejtë e ka ricilësuar veprën penale.
Kurse, thuhet se edhe pretendimet e prokurorit përkitazi me shkeljet esenciale janë të paqarta ngase nuk mund të kuptohet se në çka konsistojnë ato. Gjykata Supreme me rastin e vendosjes për kërkesën e ligjshmërisë, kufizohet vetëm në verifikimin e shkeljeve ligjore në të cilat paraqitësi i kërkesës pretendon, mirëpo nuk mund të supozojë se çka ka dashur të thotë ai.
Gjykata Supreme thuhet se me rastin e vendosjes mbi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të dënuarit, pas shqyrtimit të shkresave të kësaj çështjeje juridiko-penale, e konsideron mjaft të dyshimtë saktësinë e fakteve vendimtare të vërtetuara me vendimet kundër të cilave është paraqitur kërkesa, sa i përket veprës penale të ricilësuar nga gjykata e shkallës së dytë.
Gjithashtu, në vendim thuhet se duke e pasur parasysh këtë gjendje të çështjes, konkludimet e gjykatave se deklarata e të dëmtuarës vërtetohet nga dëshmitë e dëshmitarëve, nuk është i bazuar.
Andaj, Supremja ka vlerësuar se aktgjykimet kundër të cilave është paraqitur kërkesa duhet anuluar.
Ndryshe, ky rast tanimë është duke u shqyrtuar përsëri në Gjykatën Themelore në Pejë.
Gjykata Themelore në Pejë, më 20 maj 2021 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Baliq dhe e kishte dënuar me dy vite burgim lidhur me akuzën për sulm seksual. Ndërsa, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e Themelores, duke ia ulur dënimin nga dy vite në një vit burgim ish-ministrit Baliq.
Sipas aktakuzës të ngritur më 29 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Numan Baliq akuzohet se më 12 gusht 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor, duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, përderisa e dëmtuara, në natën kritike kishte qenë duke e shoqëruar fëmijën e saj 6 muajsh, të hospitalizuar në repartin e Ortopedisë në spitalin e lartcekur.
Sipas aktakuzës, përderisa foshnja e viktimës ishte duke u trajtuar për shkak të dëmtimeve në ekstremitete, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut/kirurg kujdestar, edhe pse nuk punon në atë repart, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas del dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë së tij, për tu konsultuar dhe kinse për tu udhëzuar dhe për t’ia siguruar aparaturën e nevojshme.
E dëmtuara, vazhdon aktakuza, duke mos e njohur por duke e parë të veshur me uniformë mjekësore, shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda viktimën, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën tek muri, ku më pas i kërkon asaj ta prek dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja, ta hap derën dhe të largohet, me ç’rast kthehet në dhomën numër 5, dhe nga dritarja kërkon ndihmë tek roja e sigurimit, më pas e raporton rastin në Polici.
Për këto veprime, Numan Baliq po akuzohet për veprën penale “Sulmi seksual”, nga neni 229, paragrafi 3, nënparagrafi 3.10, pika 3.10.3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.