Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia, me dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dhjetëra marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Zbatimi i marrëveshjeve, qoftë teknike apo politike, shpesh është bllokuar, duke bërë që të dyja palët të takohen disa herë për t’u pajtuar sërish për zbatimin e tyre.
Së voni, dy shtetet – përmes atij që njihet si propozim i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve – janë dakorduar sërish që t’i zbatojnë “të gjitha marrëveshjet e dialogut nga e kaluara”.
Më poshtë, Radio Evropa e Lirë ju sjell në pika të shkurtra se cilat marrëveshje janë zbatuar e cilat jo, dhe si ka ndikuar kjo në jetën e qytetarëve.
Kronologjia e dialogut
Marrëveshjet kryesore të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:
2011 Marrëveshja për lirinë e lëvizjes
2011 Marrëveshja për regjistrin civil
Përshtypjet e qytetarëve
“Ka qenë mjaft vështirë që pas gjashtë vjetësh e gjysmë pune dhe kontributi që kam dhënë në Luginën e Preshevës, ta ndaloj atë, shkaku i një diskriminimi të padrejtë e të pasinqertë”, thotë Shkodran Azizi, qytetar i komunitetit shqiptar në Preshevë.
Integrimi i komunitetit serb në Kosovë
Çështja e integrimit të serbëve të Kosovës u përfshi në disa marrëveshje, të arritura kryesisht më 2013 dhe 2015. Ato përfshijnë krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, integrimin e serbëve të Kosovës në strukturat e policisë dhe në sistemin e drejtësisë, shpërbërjen e strukturave paralele të udhëhequra nga Serbia e të tjera.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk u themelua asnjëherë nga Kosova.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se Marrëveshja për Asociacionin nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
“[Themelimi i Asociacionit] do të na sillte një siguri dhe pavarësi”, thotë Dushani, një qytetar nga Mitrovica e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – i intervistuar më 27 shkurt 2023.
Energjia: Edhe një marrëveshje e pazbatuar
Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Energjinë, që synonte rregullimin e furnizimit dhe faturimit të rrymës në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.Pas nëntë vjetësh, më 2022, u nënshkrua një udhëzues për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, zbatimi i marrëveshjes ngeci, pasi kompania serbe, Elektrosever, nuk i respektoi disa nga obligimet e udhëzuesit.Kështu, qytetarët në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – vazhdojnë të mos e paguajnë rrymën e shpenzuar. Koston e tyre e mbulon buxheti i Kosovës. Kjo gjendje vazhdon nga viti 1999.
“Një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e Marrëveshjes [për Energjinë] e ka vetë Brukseli, që ka dërguar sinjale të gabueshme tek Elektroseveri, përmes interpretimeve të gabueshme të neneve, që nuk kanë të bëjnë asgjë më udhërrëfyesin”, deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 8 shkurt 2023.
Ku kishte progres?
- Marrëveshja për regjistrin civil – Përmes marrëveshjes së arritur më 2011, Serbia i dorëzoi Kosovës 12.036 kopje të librave të regjistrit civil, që ishin marrë gjatë kohës së luftës së vitit 1999.
- Marrëveshja për zyrtarët ndërlidhës – Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia krijuan zyra ndërlidhëse në shtetet përkatëse.
- Marrëveshja për telekomunikacion – U arrit më 2015. Kosova tani ka kodin e vet telefonik +383, i ndryshëm nga ai i Serbisë.
Marrëveshja që prodhoi trazira në veri
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes ishte ndër të parat që u arrit në dialogun teknik, në vitin 2011. Parashihte që qytetarët e të dyja vendeve të mund të udhëtonin lirshëm te njëri-tjetri, pasi do të njiheshin dokumentet zyrtare.
Mes tjerash parashihej që të largoheshin nga përdorimi dokumentet e lëshuara nga institucionet paralele në komunat e banuara me shumicë serbe, përfshirë targat e veturave me akronime të qyteteve të Kosovës, që përdoren kryesisht në komunat veriore.