Gjermania dhe Ukraina duhet të thellojnë partneritetin e tyre energjetik, tha të hënën zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck, gjatë një vizite në Kiev.
Habeck ka arritur në kryeqytetin ukrainas më 3 prill, i shoqëruar nga një delegacion i biznesit të vogël dhe këto komente i bëri pasi vizitoi një nënstacion energjetik atje. Vizita ka në fokus nisjen e bashkëpunimit në sektorin e energjisë.
Habeck, i cili është gjithashtu ministër i Ekonomisë dhe Energjisë tha se qëllimi i kësaj vizite është që t’i jepet Ukrainës shpresë “se vendi do të rindërtohet pas luftës”.
Gjermania dhe Ukraina kanë partneritet formal energjetik që nga viti 2020, i cili synon rritjen e efikasitetit të energjisë, modernizimin e sektorit të energjisë elektrike, zgjerimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serrë.
Habeck tha se arritja e këtyre objektivave mund ta bëjë sektorin e energjisë ukrainase më elastik dhe gjithashtu ta kthejë vendin në një eksportues energjie në pjesën tjetër të Evropës.
Ai shtoi se disa nga vendimet për investime tashmë janë marrë dhe të tjera pritet të merren.
Habeck viziton Ukrainën për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus – i cili nisi më 24 shkurt 2022.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha më herët se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “është e dizajnuar që të jetë afatgjatë”.
Ky shtet, më 25 janar, pas një beteje të gjatë politike të brendshme, u pajtua për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.
Edhe shtetet e tjera evropiane i kanë premtuar Ukrainës tanket Leopard 2. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të dërgojnë në Ukrainë tanket e fuqishme Abrams.