Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar të enjten pasi Ministra e Financave i ka bllokuar të hyrat vetanake të komunave. Ai thotë se janë 28.8 milionë euro të bllokuara, me të cilat janë parashikuar 172 projekte kapitale të kryeqytetit.
“Jam thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake. Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave”, konsideron Rama.
Si kryetar i kryeqytetit, ai tha se i ka kërkuar me shkrim kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë.
“Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade. Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale”, deklaron Rama.
Nëse këto mjete, sipas tij, nuk barten menjëherë, atëherë këtë ai e konsideron si veprim të qëllimshëm.
“Do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, deklaroi Rama, njofton Komuna e Prishtinës në një komunikatë për media.