Serbia, i vetmi vend në Evropë që refuzoi të sanksionojë Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë, ka rënë dakord të dorëzojë armë në Kiev ose i ka dërguar tashmë ato, sipas një dokumenti konfidencial të Pentagonit të parë nga Reuters.
Dokumenti, një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe “ndihma vdekjeprurëse” ose armë, ishte mes dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të publikuara në internet javët e fundit, në atë që mund të jetë zbulimi më serioz i sekreteve të SHBA-së në vite.
I titulluar “Evropa – Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.
Grafiku tregoi se Serbia ka refuzuar të ofrojë trajnime për forcat ukrainase, por është zotuar të dërgojë arme vdekjeprurëse ose e ka dorëzuar tashmë atë. Gjithashtu u tha se Serbia ka vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
Dokumenti është shënuar me SECRET dhe NOFORN, i cili ndalon shpërndarjen tek shërbimet e huaja të inteligjencës dhe ushtria. Ai mban datën 2 mars dhe është i vulosur me vulën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përbashkët.
Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur autenticitetin e dokumentit.
Zyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ambasada e Ukrainës nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reuters për koment.
Pentagoni gjithashtu nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters në lidhje me referencën e dokumentit dhe më parë ka refuzuar të komentojë mbi ndonjë nga dokumentet që kanë dalë në mediat sociale.
“Nëse ky dokument është i vërtetë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiqit ndaj Rusisë ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për të dorëzuar armë në Ukrainë,” tha Janusz Bugajski, një ekspert i Evropës Lindore në Fondacionin Jamestown, një institut i politikës së jashtme.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë po heton rrjedhjen e të dhënave, ndërsa Pentagoni po vlerëson dëmin e sigurisë kombëtare të SHBA.
Një tabelë e Pentagonit i ndau përgjigjet ndaj kërkesave të Ukrainës për ndihmë në katër kategori: vendet që janë zotuar të ofrojnë trajnime dhe ndihmë vdekjeprurëse; vendet që kanë ofruar tashmë trajnime, ndihmë vdekjeprurëse, ose të dyja; vendet me aftësi ushtarake dhe vullnet politik “për të ofruar ndihmë vdekjeprurëse në të ardhmen”.
Austria dhe Malta ishin dy vendet e vetme me “Jo” në të katër kategoritë.