Migranti nga Taxhikistani, Foziljon Umarov, së fundi aplikoi për të zgjatur lejen e qëndrimit në provincën ruse të Nizhni Novgorodit, ku ai punon si murator.
Teksa Umarov po dorëzonte dokumentet në departamentin e migracionit, një nëpunëse e pyeti nëse e kishte shqyrtuar idenë që t’i bashkohej ushtrisë ruse.
“Ajo më tha se nëse bëhem ushtar me kontratë më nuk do të më duhet leja e qëndrimit apo leja e punës dhe se do të fitoja pasaportë ruse pas gjashtë muajsh të shërbimit ushtarak. Po ashtu, unë do të fitoja rreth 3.000 dollarë në muaj”, pretendoi Umarov.
Ai tha se punëtorja, që foli me të në qendrën e migracionit, ishte me etni taxhike.
“Ajo bisedoi me mua në gjuhën taxhike. Nuk e di nëse ata qëllimisht kanë punësuar punëtorë taxhikë që të komunikojnë me migrantët taxhikë, apo punëtorë uzbekë për migrantët uzbekë, e të tjerë”, tha Umarov.
Shumë punëtorë migrantë nga Azia Qendrore kanë thënë se rekrutuesit rusë gjithnjë e më shumë po iu afrohen atyre në xhami, konvikte dhe në zyrat e migracionit, në tentim për t’i bindur që të bëhen pjesë ushtrisë, në kohën kur Moska po has në vështirësi që t’i zëvendësojë radhët në Ukrainë.
Moska ende zyrtarisht nuk ka njoftuar për një mobilizim të ri ushtarak pas mobilizimit “të pjesshëm” të rreth 300.000 rezervistëve shtatorin e kaluar, që nxiti dhjetëra mijëra burra rusë të largohen nga shteti.
Qeveria planifikon të rekrutojë 400.000 ushtarë të rinj për të luftuar në Ukrainë, kanë thënë burimet në qeveritë rajonale ruse.
Zyrtarët rusë kanë pritur që fushata e tyre të tërheqë kontraktorë të mundshëm – si shtetas rusë, ashtu edhe punëtorë të huaj – me premtimin për para dhe përfitime të tjera.
Rekrutuesit po shpërndajnë në rrugët e qyteteve ruse broshura për rekrutët potencialë, duke pretenduar se ata që pranojnë të bëhen ushtarë me kontratë, do të pranojnë një pagesë paraprake prej 2.390 dollarësh dhe më pas rrogat e tyre mujore mund të jenë deri në 4.160 dollarë.
Fotografitë dhe videot që i janë dërguar Radios Evropa e Lirë kanë treguar posterë të ngjashëm të ngjitur në mure, dyer dhe në shkalla të konvikteve ku jetojnë punëtorët migrantë.
Një video që e ka siguruar Shërbimi taxhik i REL-it dukej se shfaqte një përfaqësues të zyrës për rekrutim të ushtrisë ruse duke mbajtur një fjalim në një xhami të frekuentuar në qytetin Çeliabinsk.
“Nuk keni pse prisni pesë vjet për të marrë shtetësinë ruse. Në vend të kësaj, mund të regjistroheni si kontraktor për shërbim ushtarak prej gjashtë muajsh apo deri në një vit, në këmbim të marrjes së shtetësisë për ju dhe familjet tuaja me procedurë të përshpejtuar”, tha një burrë i veshur në uniformë ushtarake, teksa mbante fjalim para besimtarëve në xhami.
Në një video tjetër u shfaq një burrë tjetër me veshje ushtarake ruse duke promovuar shërbimin ushtarak me kontratë te një grup burrash, disa prej të cilëve dëgjohet duke folur gjuhën uzbeke. Videoja pretendohet se shfaq migrantët e Azisë Qendrore që presin në radhë para qendrës për lëshimin e lejeve të punës në qytetin perëndimor të Penzës.
Rekrutuesit kanë deklaruar se ata që janë të gatshëm të bëhen ushtarë me kontratë nuk kanë nevojë as t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore, tha Jurabek Amonov, avokues i të drejtave të migrantëve në Rusi.
“Ata vetëm duhet të nënshkruajnë një letër ku shkruan ‘jam i shëndetshëm’”, tha Amonov për REL-in.
“Gjithmonë iu them migrantëve se 99 për qind e atyre që kanë shkuar në luftë, me shpresën se do të merrnin pasaportë ruse, janë vrarë në Ukrainë. Po ashtu, është e paligjshme që ata të shkojnë në Ukrainë”, tha ai.
“Nuk është lufta ime”
Në Rusi jetojnë miliona migrantë nga Azia Qendrore dhe nga shtete të tjera ish-sovjetike, ku papunësia ka qenë një problem shumë i madh në tri dekadat e fundit.
Shumica e migrantëve i kanë qëndruar larg luftës që Rusia ka nisur kundër Ukrainës. Por, besohet se qindra apo mijëra prej tyre kanë pranuar që të punojnë në territoret që Rusia ka pushtuar në Ukrainë dhe shumica e tyre besohet se punojnë për kompani ruse të ndërtimit.
Që kur ka nisur lufta në shkurt të vitit 2022, dhjetëra familje nga Azia Qendrore kanë pranuar trupat e familjarëve të tyre që janë vrarë në Ukrainë. Disa prej tyre ishin shtetas të natyralizuar rusë, disa ishin kontraktorë të huaj, dhe po ashtu ka pasur të burgosur që janë rekrutuar nga burgjet ruse dhe besohet se shpesh ata kanë pranuar të shkojnë në Ukrainë për shkak të presionit të ushtruar ndaj tyre.
Pavarësisht se rublës ruse i ka rënë vlera, tregu i punës është tkurrur dhe faktit që shteti po përballet me pasoja të tjera për shkak të luftës, Rusia vazhdon të jetë një destinacion kyç për punëtorët nga Azia Qendrore.
REL-i ka kontaktuar një migrant taxhik që gjendet në një qendër për dëbimin e migrantëve në qytetin Vlladivostok në Lindjen e Largët ruse. Ai tha se një zyrtar për rekrutim ushtarak kishte ardhur në këtë ndërtesë dhe ishte takuar me të ndaluarit.
“Zyrtari na tha se ‘ju po dëboheni dhe nuk mund të ktheheni në Rusi për të paktën pesë vjet. Por, nëse pajtoheni që t’i bashkoheni ushtrisë ruse, veprat tuaja penale do të hiqen dhe ju do të keni një pagë të mirë dhe do të bëheni shtetas rusë pas vetëm gjashtë muajsh’”, tha ky migrant, që foli në kushte anonimiteti.
Edhe pse ai nuk u bind, disa të tjerë “e menduan seriozisht që ta pranonin ofertën, sepse kthimi në Taxhikistan pa para, pa punë dhe pa të ardhme, është pothuajse po aq keq”.
Në Nizhni Novgorod, punëtori migrant Foziljon Umarov vendosi që të refuzonte ofertën për pasaportë ruse dhe për pagë mujore prej 3.000 dollarësh në këmbim të luftimit në Ukrainë, edhe pse ai fiton vetëm gjysmë e kësaj shume gjatë sezonit të verës.
“Nuk do të shkoj në Ukrainë me asnjë kusht”, tha Umarov. “Nuk është lufta ime”.