Djali i zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov – Nikolai, luftoi në Ukrainë si pjesë e formacionit paraushtarak Wagner, zbuloi kreu i atij grupi mercenar Yevgeny Prigozhin. Ky informacion u konfirmua nga vetë Nikolai, i cili tha se babai i tij e ndihmoi të lidhej me Wagner.
Shefi i Wagner tha se ai e këshilloi Peskovin të mos dërgonte djalin e tij për t’u bashkuar me forcat e rregullta ruse, të cilat Prigozhin i ka kritikuar vazhdimisht për pajisjet e dobëta dhe trajnimin dhe udhëheqjen e pamjaftueshme.
Menjëherë pas kësaj, vetë Nikolay Peskov foli dhe konfirmoi për Komsolskaya Pravda se ai luftoi në Ukrainë në anën e Wagner.
“Kur mora vendimin për t’iu bashkuar ‘operacionit special ushtarak’, nuk dija si ta bëja. Sidomos që kur filloi gjithçka, nuk kishte aq shumë informacion sa ka tani. Më duhej të pyesja babain tim. E pyeta se si të lidhem me një grup ushtarak privat dhe ai më ndihmoi për këtë”, tha Peskov. Ai nuk ka shpjeguar pse ka vendosur të nënshkruajë kontratën me Wagner Group dhe jo me Ministrinë e Mbrojtjes.
Djali i Dmitry Peskov, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Vladimir Putinit, tha se ai shkoi në luftë sepse e ndjente se ishte detyrë e tij.
Ai ka komentuar edhe bisedën telefonike që ka pasur me Dmitry Nizovstev, bashkëpunëtor i Alexei Navalny. Nizovtsev, duke pretenduar se ishte një oficer ushtarak, gjeti numrin e djalit të Peskov në vjeshtën e vitit 2022 dhe e pyeti nëse do të luftonte në Ukrainë. Në atë moment, Nikolai nuk pranoi.
Gjatë një interviste me PK-në, Peskov shpjegoi se ai tashmë po përgatitej të shërbente kur bashkëpunëtori i Navalny-t arriti tek ai. Ai tha se “ishte nervoz” për udhëtimin e ardhshëm, ndaj u përgjigj negativisht.