Komisioni për Buxhet e Financa i Kuvendit të Kosovës, shqyrtoi raportin tremujor të punës së Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2023 dhe atë për vitin 2022.

Në pikën e parë, atë të raportit janar-mars 2023, që është vazhdim nga mbledhja e kaluar, anëtarët e komisionit kërkuan nga Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së, disa sqarime shtesë.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, fillimisht dha përgjigje në disa pyetje që deputetët kishin ngritur në mbledhjen e kaluar në këtë Komision.

Mes tyre ishte edhe pagesat e larta që sipas deputetëve, RTK-ja paguan për shfrytëzim të veturave, mbeturina e ujë.

Ahmetxhekaj tha se RTK, përveç kontratës bazë që ka për veturat me qira që shfrytëzohen e që është aktive deri në vitin 2024, në përdorim janë 16 vetura. “Fatura mujore për këto vetura është 8 mijë euro ose 17 euro e 50 centë dita për secilën veturë”, tha Ahmetxhekaj.

Përveç tyre, ai tha se vetura të tjera, RTK, në dy kanalet  televizive dhe Radio, ka gjithsej 14 të tilla, e të cilat duhet të mirëmbahen.

Ai shpjegoi se sa i përket faturave për ujësjellës e mbeturina, tha se në ndërtesën e radio Kosovës, për çdo muaj, RTK merr faturë në vlerë rreth 765 euro.

”Kjo llogaritet në bazë të metrave katrorë të ndërtesës që është brenda dhe jashtë ndërtesës që RTK e ka nën menaxhim”, tha Ahmetxhekaj.

Deputeti Eman Rrahmani kërkoi të dijë detaje specifike për këtë kontratë që sipas tij, bazohet në metra katrorë dhe jo në volum të mbeturinave, pasi tha se është hera e parë që dëgjon një gjë të tillë.

Drejtori Ahmetxhekaj sqaroi se kjo do të sqarohet me Zyrën Ligjore në RTK dhe për këtë do të japë përgjigje të nevojshme.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, në lidhje me këtë çështje tha se shumë është e madhe dhe se Bordi i ka rekomanduar menaxhmentit për takim me ujësjellësin dhe kompaninë e pastrimit për të parë se si është situata.

Alban Fetahu , Udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta në RTK sqaroi se brenda muajit, bazuar në të dhënat që posedon, vetëm në radio ndodhin rreth 70 zbrazje të mbeturinave.

Ai dha edhe shpjegime për tarifat e ujit dhe shpenzimit të energjisë elektrike.

Një pikë tjetër e diskutimit ishte edhe për shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit.

Fetahu rikujtoi se në rregulloren e deritanishme kanë hasur në anomali, pasi udhëtimi jashtë vendit, mbulohet me faturë që nuk është në vlerën e duhur.

“Nëse hoteli paguhet 50 euro, pjesa tjetër e shpenzimeve për udhëtim nuk arsyetohet”, tha ai, duke shpjeguar se janë duke punuar në ndryshimin e kësaj rregulloreje.

E deputeti Mërgim Lushtaku kërkoi sqarime për memorandumin e nënshkruar nga RTK me Ministrinë e Kulturës, për të cilin shprehu dyshime se mund të përdorët mbuluar aktivitete partiake të ministrit.

Por në këtë pikë, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, siguroi e kjo ka të bëjë me krijimin e Festivalit të Këngës, nga i cili do të përzgjidhet përfaqësuesi/ja i Kosovës për festivalin Evropian të Këngës, Eurovision.

“Jemi duke punuar shumë në këtë drejtim sepse shpresojmë që vitin tjetër, Kosova të jetë pjesë e Eurovisionit dhe kjo marrëveshje me Ministrinë e Kultuërs është e ngjashme ashtu siç kanë vepruar edhe televizionet e tjera publike”, tha Boletini, duke siguruar se nuk ka të bëjë asgjë me mbulim aktivitetesh të kësaj ministrie.

“Krejt është qëllim i pastër kulturor”, tha ai.

E Drejtori i Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, u pyet edhe për çështjen e  marketingut dhe të hyrave. Ai tha se deri më tani çmimet kanë qenë qesharake ku një sekondë reklamim është paguar deri në 80 centë.

“Me ndryshimet çmime, pas kompensimit, ato mbërrijnë deri në 2.5 euro për sekond”, tha ai.

Më pas, Komisioni kaloi në pikën e dytë të rendit të ditës, e që kishte të bënte raportin e  punës për vitin 2022.

Alban Fetahu, udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta në RTK shpjegoi  të hyrat dhe shpenzimet për vitin 2022 dhe krahasimin me vitin 2021.

Ai tha se viti fiskal 2022 ka filluar me rreth 42 mijë euro në xhirollogarinë e RTK-së, me të hyra nga buxheti i Kosovës prej 8.9 milionë euro. “nëse krahasohen me të hyrat nga buxheti i Kosovës për RTK-në për vitin 2021, ato ishin 2.2 milionë më pak”, tha Fetahu.

Përveç kësaj në vitin 2022, kishte rënie të hyrash nga marketingu për rreth 102 mijë euro.

“Për vitin 2022, kanë qenë të hyra nga marketingu në vlerë 505 mijë euro kurse në vitin 2021 ishin 607 mijë euro të hyra nga marketingu”, tha ai, duke shtuar se të hyrat e tjera nga monetizimi i përmbajtjes digjitale si dhe qiratë, ishin 280 mijë euro, apo rreth 83 mijë euro më shumë sesa në vitin 2021.

Duke folur për shpenzimet, Fetahu tha se shkurtimi i buxhetit është dashur të reflektohet dhe tek shpenzimet.

“Shpenzimet për paga në vitin 2022 kanë qenë 8.1 milionë euro ose rreth 700 mijë euro më të ulëta se në vitin 2021”, tha Fetahu, duke shtuar se buxheti i ulët ka reflektuare dhe tek investimet kapitale.

“Janë bërë rreth 510 mijë euro më pak investime kapitale kurse shpenzime për shërbime (ujë, rrymë, mbeturina etj) ka pasur rreth 13 mijë euro më pak shpenzime”.

“Viti 2022 është përmbyllur me 243 mijë euro e viti 2021 me rreth 256 mijë euro”, tha ai, duke specifikuar se për mallra dhe shërbime është kursyer më së shumti. “Rënia është për 1 milion e 120 mijë euro më pak shpenzime në mallra e shërbime në vitin 2022 sesa në vitin 2021”.

Ai tha se për mallra e shërbime, në vitin 2021 janë shpenzuar 2 milionë e 341 mijë euro kurse në vitin 2022 janë shpenzuar 1 milion e 125 mijë euro.

Fetahu tha se të hyrat kanë qenë më të ulëta në vitin 2022 kurse shpenzimet janë shkurtuar në vlerë më të lartë, respektivisht në shumën prej 2 milionë e 336 mijë euro në total.

“Viti 2022 ka përfunduar me rreth 60 mijë euro në llogarinë e RTK-së apo 18 mijë e 600 euro më shumë sesa viti paraprak”.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se pavarësisht uljes së buxhetit, viti 2022 është përmbyllur pa borxhe të reja për RTK-në.

“Konsiderojmë se ky është një dallim me drejtuesit e kaluar. Fatkeqësisht kemi trashëguar 1.6 milionë euro borxhe dhe aktualisht kemi 1.3 milionë euro borxhe, pra 300 mijë euro kemi arritur t’i shlyejmë”, tha Boletini.

Kryesuesi i Komisionit, Armend Muja, tha se ka shqyrtuar raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të vitit 2009 e 2010 për RTK-në, si dokumentet e fundit të auditivit për këtë institucion, sepse sipas tij, çuditërisht më nuk është bërë auditimi.

“Derisa ky Komision ka rivendosur që të bëhet sërish kjo auditim”, tha Muja. Ai tha se para 13 viteve, kjo Zyra kishte deklaruar  se RTK nuk ka Zyrë të Auditimit të Brendshëm dhe kërkoi nga Bordi, nëse kjo çështje është adresuar ndonjëherë.

Kryetari i Bordit, Besnik Boletini tha se pasi është marr mandati nga ky bord, është evidentuar se nuk ka pasur Komitet të Auditimit dhe ky komitet është themeluar duke u bazuar në Ligjin për Kontrollin e Brendshëm.

“Aktualisht i kemi tre anëtarë të Komitetit të Auditimit, dy janë nga jashtë e një nga brenda RTK-së”, tha Boletni, i cili sqaroi se vazhdimisht kanë kërkuar auditim dhe për këtë arsye është shtuare dhe një anëtar. “Aktualisht i kemi katër auditorë të brendshëm që veprojnë sipas planit vjetor të paraqitur në Bord e ku Bordi ka edhe kërkesa specifike”.

Deputeti Avdullah Hoti tha se me fajin e mazhorancës, RTK ka buxhet më të ulët deh se RTK duhet të ngushtohet të operojë brenda tij.

Ai tha se janë ulur tërësisht shpenzimet kapitale. “Te kontrata kolektive në vitin 2021 janë paguar 512 mijë euro kurse tani paguani 74 mijë euro”, tha Hoti, sipas të cilit kur është dashur të kursehet, janë prekur kontrata kolektive, shpenzimet kapitale e skema programore.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se kur buxheti ka qenë për të gjitha vitet  paraprake i njëjtë dhe merret me 2.2 milionë euro më pak, atëherë duhet para se çfarë të shkurtohet.

“Ju e dini se kemi bërë kërkesë shtesë për mjete financiare shtesë në këtë komision”, ia rikujtoi Boletini anëtarëve të Komisionit. “Kemi  bërë pas një skanimi të situatës për kamera, kompjuterë e të tjera, pajisje bazë të punës që mungojnë”, tha ai.

Ai shpjegoi se veprimet tjera që janë marrë për ulje të shpenzimeve, si ndërprerja e kontratave me agjencitë vendore të lajmeve për blerje të materialeve apo mos vazhdimi i 239 kontratave për shërbime për të cilat tha se nuk e kanë dëmtuar skemën programore.

“Kemi gjetur mbi 1 mijë punëtorë në RTK dhe ka pasur dy agjenci të kontraktuara nga të cilat ka blerë lajme”, tha Boletini, duke shtuar se kjo nuk e ka dëmtuar aspak programin në RTK.

Boletini tha se vetëm vitin e kaluar janë bërë pesë raporte të brendshme në RTK të auditimit e ku janë evidentuar 34 të gjetura dhe rekomandime. “Këtë vit janë planifikuar të bëhen 9 auditime të brendshme”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, shpjegoi edhe për planin për ristrukturim. Sipas tij, duhet bërë thjeshtëzimi i niveleve menaxhuese dhe krejt kjo, pas një skanimi të tërësishëm të situatës.

Votimi për raportin e  RTK-së për vitin 2022 u shty deri në publikimin e raportit të Auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2022.