Shkuarja e punëtorëve të huaj në Shqipëri nisi rreth dy vjet më parë, si zgjidhje për mungesën e fuqisë punëtore.
Bizneset që operojnë kryesisht në turizëm apo fabrika rrobaqepësie, që njihen si fasoneri, morën punëtorë nga vendet aziatike, afrikane apo edhe të Amerikës së Jugut.
Por, Gjergji Gjika, udhëheqës i Dhomës së Fasonëve në Shqipëri, thotë tani se propozimi i Qeverisë shqiptare ka paraqitur kosto për këtë sektor, dhe jo zgjidhje, pasi shumica e punëtorëve të huaj, sipas tij, janë larguar.
“Kam marrë 800 punëtorë të huaj kryesisht nga Nepali dhe Bangladeshi, dhe e di sa kam sot prej tyre? As 80, të gjithë janë larguar. E kishin kulturën e punës, punonin shumë, por fakti që të gjithë janë larguar papritur, tregon se ata kanë ardhur me tjetër qëllim, jo për të punuar këtu”, thotë Gjika për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ata e kanë shfrytëzuar Shqipërinë si transit për të hyrë ilegalisht në ndonjë vend të Bashkimit Evropian.
“I kam denoncuar, por çfarë vlere ka, nuk kapen…”, thotë ai.
Sipas Gjikës, janë me dhjetëra mijëra vende të lira pune dhe ka shumë vështirësi në gjetjen e punëtorëve.
“Do të përpiqem të gjej zgjidhje brenda vendit, nuk provoj më me punonjës të huaj, sepse më rezultoi të ishte vetëm kosto. Vetëm për një punëtor kam paguar rreth 1.500 euro për ta rekrutuar. Për 800 që mora unë, kostoja ishte shumë e lartë. Shto këtu sigurimin e akomodimit, ushqimit, paga mujore – të gjitha këto janë shpenzime”, thotë Gjika.
“Dy punonjëse nga Nepali ikën natën”
Një rast i denoncimit të largimit të punonjësve të huaj ndodhi më 13 prill, kur administratori i një hoteli në bregdetin e Durrësit, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, shkoi në polici.
Ismet Kryeziu tregon për Radion Evropa e Lirë se dy vajza nga Nepali punuan si sanitare në këtë hotel për tetë muaj.
“Kur pashë se po vonoheshin, shkova te dhomat e tyre dhe kuptova që kishin ikur natën, kishin lënë aty kontratat e punësimit dhe vizën e përfituar për punësim në Shqipëri. Njoftova policinë për largimin e tyre, por, sigurisht, nuk pres të kapen, sepse gjithnjë e më shumë po dëgjoj raste të tilla. Vijnë në Shqipëri, punojnë disa muaj, bëjnë paratë që iu nevojiten dhe ikin drejt Perëndimit”, thotë Kryeziu.
Ai tregon se dy vajzat, 23 dhe 35 vjeçe, që i thërrisnin Lulu dhe Tutu, ishin shumë të rregullta në punën që kryenin dhe nuk kishin shprehur ndonjë pakënaqësi.
“Janë paguar nga 800 euro për secilën prej vajzave te kompania e punësimit, që mundësoi ardhjen e tyre nga Nepali në Shqipëri, dhe 600 euro të tjera për procesin e pajisjes me leje pune dhe leje qëndrimi. U është siguruar akomodimi dhe ushqimi dhe paguheshin rreth 400 euro në muaj”, thotë Kryeziu.
Sipas tij, kjo ka qenë një kosto e madhe që nuk ia ka vlejtur.
Ekspertja e punësimit, Kumrije Zika, thotë se ikja e punëtorëve është bërë fenomen në disa sektorë dhe se nuk bëhet fjalë për raste të veçanta.
“Kanë ikur jo vetëm burrat, por edhe gra që kanë ardhur në Shqipëri nga vendet e Azisë. Ka një ikje – le të themi – masive. Pra, duket e organizuar. Ata lënë vendin e punës, pasaportat, dokumentet dhe largohen”, thotë Zika për Radion Evropa e Lirë.
Sytë nga India
Të zhgënjyer nga largimi i punëtorëve, kryesisht nga Nepali dhe nga Bangladeshi, disa biznese kanë nisur t’i hedhin sytë nga India.
“Nga të gjitha kontaktet që kam pasur me kolegë të mi që kanë marrë punëtorë nga Nepali, Bangladeshi apo Shri Lanka, thuajse të gjithë e kanë shfrytëzuar Shqipërinë si trampolinë për të ikur drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, thotë Filip Gjoka, udhëheqës i Shoqatës së Bimëve Mjekësore në Shqipëri.
Sa u takon punonjësve nga India, shton ai, “më kanë thënë se kanë rezultuar më produktivë”.
Gjoka thotë se tashmë po eksperimenton me këtë ide dhe, nëse rezulton e suksesshme, do të kërkojë edhe punëtorë të tjerë.
“Më 16 maj do t’i marr katër punëtorët e parë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, të siguroj punëtorë për t’i grumbulluar bimët mjekësore në zonat malore”, thotë Gjoka.
Këto zona, sipas tij, janë shpopulluar viteve të fundit, për shkak të zhvendosjeve në rajone më të zhvilluara apo emigrimit.
“Kjo gjendje e ka vënë industrinë tonë në situatë të vështirë”, thotë Gjoka.
Të dhënat e fundit për të huajt në Shqipëri i përkasin një raporti të Institutit të Statistikave, INSTAT, që reflekton situatën e vitit 2021.
Sipas këtij raporti, numri i të huajve me origjinë nga Azia ka shënuar rritje për 4.3 %, krahasuar me vitin 2020. Por, aktualisht, nuk ka të dhëna se sa prej këtyre shtetasve të huaj që kanë arritur në Shqipëri kryesisht për t’u punësuar, janë larguar, apo janë denoncuar për largim nga vendet e punës.
Në tetor të vitit 2021, autoritetet shqiptare kanë fuqizuar ndryshimet në Ligjin për të huajt, që kanë lehtësuar marrjen e lejes së punës në Shqipëri, bashkë me lejen e qëndrimit. Të huajt që duan të pajisjen me këtë leje në Shqipëri, mund të aplikojnë online në portalin eAlbania.
Sipas ligjit, përveç kërkesës në gjuhën shqipe, ata duhet të dorëzojnë online dokumente të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njësuara me origjinalin nga noteri, të tilla si: kontrata e punës, kualifikimet profesionale e të tjera.
Nëse dokumentacioni është i plotë, shtetasi i huaj pajiset me leje pune brenda dhjetë ditësh. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin e shqyrtimit të dokumentacionit për ripërtëritjen e lejes së punës.
Bashkimi Evropian disa herë ka shprehur shqetësim për migrantët e paligjshëm që shfrytëzojnë vendet e Ballkanit Perëndimor si transit për të hyrë në ndonjërin prej shteteve të bllokut.
Në vitet 2021 dhe 2022, BE-ja ka mbështetur veprimet e lidhura me migracionin në rajon me një shumë prej 201.7 milionë eurosh. Mjetet janë ndarë për të forcuar kapacitetet e menaxhimit të migracionit dhe të kufirit.