Shkruan: Florim ZEQA
Konferenca treditore “Diaspora Flet”, e organizuar nga “GERMIN” nën patronatin e sekserëve të pushtetit, e mbajtur nga 18-20 Maj 2023 në Prishtinë, përveç aspektit publicitar të organizatës “GERMIN” në këtë aktivitet puro politiko-biznesor, nuk paraqet ndonjë zhvillim pozitiv sa i përket të ardhmes së ndritshme të vendit tonë.
Germin vazhdimësi e Sorosit
Fillimisht duhet cekur se, sikurse organizata “Sorros” e George Sorosit ashtu edhe organizata “GERMIN” dhe themeluesi i “Diaspora Matters”, zotriu nga Irlanda, Kignsley Aikins nuk kanë gjë të përbashkët me Kosovën dhe nuk të drejt të flasin në emër të mërgatës shqiptare në botë.
Në anën tjetër, në këtë konferencë ka munguar përfaqësimi dinjitoz i mërgatës nga shtetet ku graviton mërgata jonë. Pa dashur të ndalem tutje në aspektet e përfaqësimit, mënyra e organizimit dhe pjesëmarrja e tregojnë qëllimin e saj.
Konferenca “Diaspora flet”, përkundër mangësive të shumta, e ka arritur qëllimin e organizatorit dhe të sekserëve të pushtetit, e për më shumë se kaq, e ka kënaqur egon e pushtetarëve, të cilët, sikurse herëve të tjera u ndanë të kënaqur me paraqitjen e “GERMIN-istëve” në Parlament.
Mirëpo për habi, pushtetarët asnjëherë nuk i marrin në konsideratë çështjet e ngritura nga mërgimtarët, siç ishte rasti i letrës së hapur “Legalizoni pronat, pastaj kërkojuni tatim mërgimtarëve!” përmes së cilës ju drejtova kryeparlamentarit Glauk Konjufca më 06.05.2023, në të cilën i ngrita një varg çështjesh dhe shqetësimesh të mërgatës sonë.
Mirëpo, kur janë në pyetje servilët dhe puthadorët, pushtetarët e gjejnë kohën dhe krijojnë hapësirën e duhur, kurse për ne që merremi me problemet reale dhe fondamentale të mërgatës nuk i ndajnë as 5 minuta kohë për një përgjigje të shkurtër!
Një Diasporë që mbështet pushtetarët, nuk ndihmon qytetarët
Ajo pjesë e mërgatës sonë që mbështet pushtetet antipopullore dhe të korruptuara, përveçse nuk ndihmon bashkatdhetarët, ua vazhdon akoma më tepër vuajtjet e qytetarëve të varfëruar në trojet tona etnike dhe peripecitë e mërgimtarëve kur shkojnë në vendlindje.
Lidhja i Diasporës Shqiptare me atdheun assesi nuk bëhet përmes pushtetarëve dhe përmes politikanëve të inkriminuar që ua bënë jetën ferr qytetarëve, por bëhet përmes nismave të shëndosha dhe të pastra kombëtare.
Promovimi i dialogut të dy-anshëm në mes të institucioneve qeveritare dhe organizatës jo qeveritare “GERMIN” me sloganin “Diaspora Matters”, përveçse slogan irritues dhe turpërues, është mashtrues dhe tendencioz.
Kjo, në radhë të parë ndanë shqiptarët e mërgatës në dy taborë; në vendas dhe të huaj!
Vallë çfarë dialogu u dashka të zhvillohet mes pushtetarëve dhe një OJQ-je ndërkombëtare siç është Germin!
Dialog dhe bashkëpunim i përhershëm duhet të zhvillohet mes qeverive të pastra si loti që janë në shërbim të qytetarëve dhe mërgimtarëve që për dekada e ndihmuan Kosovën dhe dhanë krejt çka patën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Diaspora flet”, improvizim i radhës i pushtetarëve
Asnjëherë mërgimtarët nuk kanë qenë më të anashkaluar dhe më të larguar nga vendimmarrja në vendin e tyre. Ngushtimi i hapësirës së veprimit dhe pjesëmarrjes së mërgatës në jetën publike është rezultat i ngufatjes së shtetit nga uzurpatorët, zuzarët dhe urithët e nëntokës politike.
Shkaku i politikës diskriminuese në njërën anë dhe aplikimit të haraçit mërgimtarëve në anën tjetër, gjithnjë e më pak kemi riatdhesime dhe investime të mërgatës në vendlindje.
Dyert e hapura për investime i kanë vetëm ata afarist dhe ato biznese që janë në shërbim të krimit të organizuar, kontrabandës dhe shpëlarjes së parave të pista të pushtetarëve.
Andaj, shkaku i situatës së krijuar në vendin tonë, është bërë i pamundur edhe aplikimi i përvojave të afaristëve të mirënjohur të mërgatës sonë.
Hapja e dyerve të Kuvendit të Kosovës për gërministët e “Diaspora Matters”, është mbyllje e dyerve për mërgimtarët që çdo ditë flasin me zë të lartë për pushtetarët e korruptuar, për krimin e organizuar dhe abuzimin e buxhetit të shtetit nga elitat politike në pushtet.
Shtrohet pyetja logjike, me çka i ndihmoj “GERMIN” qytetarët me prezencën e saj 5 vjeçare në Kosovë?!
Përgjigja ime është, me asgjë konkrete, përveç reagimeve të kohëpaskohshme mediatike në mbështetje të pushtetarëve apo me kritika ndaj opozitës dhe anasjelltas!
Nëse dikush e di ndonjë aspekt pozitiv apo lloj ndihme humanitare që “GERMIN” si OJQ ndërkombëtare që është, le ta thotë publikisht, edhe unë si autor i këtij shkrimi do të ndjehesha mirë dhe do t’ju kërkoja falje qytetarëve të vendit tim!
Fakti që organizata “GERMIN” dhe themeluesi i “Diaspora Matters”, irlandezi Kignsley Aikins nuk kanë gjë të përbashkët me Kosovën, e tregon mjaftueshëm fakti se kësaj organizate i mungon ADN-ja e mërgatës shqiptare në botë, përkatësisht veprimtarët më të devotshëm të mërgatës shqiptare në shtetet evro-perëndimore.