Hurriyet turk njoftoi se Sinan Ogan, kandidati i ekstremit të djathtë, i cili fitoi 5.2 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, sot do të shpallë se kë do të mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Siç raporton Hurriyet, teksa po vazhdonte konsultimi për emrin, u pa se brenda aleancës ATA që mbështeti kandidaturën presidenciale të Oganit, nuk kishte konsensus dhe se kishte tendenca për emra të ndryshëm.
Sipas informacioneve të tyre, Ogan është afër vendosjes se do të mbështesë Rexhep Tajip Erdogan në raundin e dytë. Ogan pritet të nënshkruajë protokollin me pesë pika dhe të shprehë mbështetjen e tij për Erdoganin.
Mësohet se Ogan është takuar me ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu përpara takimit të tij me Erdogan. Siç mësuan, Erdogan i ofroi Oganit në takim nënshkrimin e pesë kushteve dhe Ogan u përgjigj se nuk mund ta merrte vendimin i vetëm, por duhet të konsultohej me pjesë të koalicionit.
Kreu i Partisë së Drejtësisë dhe një prej pjesëve të koalicionit ATA, Vecdet Öz, deklaroi dje në Halk TV se do të mbështesë Kilicdaroglu në raundin e dytë të zgjedhjeve. Ai deklaroi gjithashtu se aleanca ATA ka përfunduar zyrtarisht.
Kujtojmë se raundi i dytë dhe i fundit i zgjedhjeve presidenciale në Turqi do të mbahet të dielën më 28 maj. Qytetarët po zgjedhin mes presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan, i cili fitoi 49.5 për qind të votave në raundin e parë dhe Kemal Kiliçdaroglu, i cili fitoi 44.88 për qind të votave.
Kandidati Sinan Ogan fitoi 5.17 për qind të votave në raundin e parë dhe votat e tij mund të jenë një avantazh kyç, megjithëse Erdogan ka një avantazh të konsiderueshëm dhe me mbështetjen që mori në raundin e parë, nuk i duhet shumë më tepër.