Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë bërë një ndryshim drastik të politikës ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rashiti thotë se Uashingtoni dhe Perëndimi e kanë zbutur qëndrimin ndaj Serbisë dhe Beogradi është bërë i “përdorshëm” për të kryer disa shërbime për Perëndimin.
Sa i përket tensioneve në veri të Kosovës, sipas tij, ato kanë ardhur si pasojë e “pritjeve” nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas Rashitit, formati aktual i dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja, nuk sjell normalizim të raporteve.
Në këtë intervistë, ai flet edhe për draft-statutin e hartuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin e cilëson si “iniciativë koti”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ua ka përcjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Si e shihni këtë hap të Ramës?
Naim Rashiti: Detajet nuk i di, edhe si e ka ndërtuar atë draft apo nëse është konsultuar me institucionet e Kosovës. Në çdo rrethanë, besoj se është një iniciativë shumë e gabuar, e panevojshme në tërësi, nuk sjell rezultate, vetëm sa e bën procesin më konfuz. Rruga më e mirë do të ishte, nëse jo për ta ndihmuar ose për ta konsultuar Qeverinë e Kosovës, Rama do të mund të angazhonte miqtë ndërkombëtarë ose ekspertë ndërkombëtarë për t’i ndihmuar Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar procesin e draftimit të Asociacionit brenda Kosovës. Asociacioni duhet të bëhet brenda Kosovës, sepse është mekanizëm juridik, administrativ i Kosovës. Çdo punë jashtë është edhe jokushtetuese.
Çështja tjetër që Shqipëria mund të bëjë që të lobojë në institucione të rëndësishme për çështje të kauzës, jo në dëm apo në mbështetje të një elite politike të caktuar apo një qëndrimi politik, por në kauzën për normalizim të marrëdhënieve dhe tërë ky proces do të shkojë huq në atë që është punuar, nëse është punuar diçka.
Drafti i Ramës, “iniciativë koti”
Radio Evropa e Lirë: Është përshkruar si një draft serioz. Çfarë dihet më shumë?
Naim Rashiti: Nuk di më shumë, nuk di asgjë për atë draft, nuk di se kush ka punuar në të, kush ka zhvilluar… Nuk e kam idenë.
Radio Evropa e Lirë: Rama ka deklaruar se nuk ka pasur konsulta me autoritetet e Kosovës lidhur me këtë draft. Ky moskoordinim dhe anashkalim i Ramës ndaj Qeverisë së Kosovës si mund të shihet?
Naim Rashiti: Nuk është dashur të bëhet. Mendoj se është më shumë përpjekje për të shfaqur lidershipin. Por, për çfarëdo qëllimi që ka ndodhur, nuk është dashur të ndodhë. Rama është dashur të vijë në Prishtinë dhe të pyesë institucionet se çfarë ndihme u duhet në këtë proces. Nuk e ndihmon këtë proces aspak. Është ngjashëm sikurse Kosova të bëjë një draft për çështjet territoriale të Shqipërisë me Greqinë, apo çështjet e Çamërisë, luftës, për marrëdhëniet me Greqinë apo çështjet që kanë të bëjnë me minoritetin grek apo diçka tjetër. Është koti. Është iniciativë koti.
Ndryshim radikal “i qëndrimit të ShBA-së ndaj Kosovës dhe Serbisë”
Radio Evropa e Lirë: Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kanë qenë shkak për krijimin e një ngërçi në raportet e Qeverisë së Kosovës me partnerët perëndimorë. Në çfarë pike besoni se ka arritur ky ngërç?
Naim Rashiti: Tani, këtu jemi duke u mësuar. Nuk kemi parë këso marrëdhëniesh të Perëndimit dhe të faktorit ndërkombëtar, në veçanti të ShBA-së, në mënyrë konstante duke u degraduar marrëdhëniet me Kosovën. Tani, edhe ne jemi duke e shikuar se çfarë po ndodh, çfarë do të ndodhë e kështu me radhë. Është diçka e re në kontekstin e Kosovës. Sot kisha një takim pune me ambasadorët që nuk janë as të ShBA-së, as të BE-së, por të vendeve e kontinenteve të tjera dhe edhe ata e kishin dëgjuar lajmin për shqetësimin e kuptueshëm nga administrata e ShBA-së. Të hidhëruar janë ata me Kosovën. Kishte shkuar lajmi shumë larg. Është e çuditshme, se ku do të shkojë kjo nuk e di.
Mendoj që duhet një kthesë e madhe, kthim në tavolinë, në konsultë me ShBA-në dhe ShBA-ja ta pranojë edhe dialogun strategjik me Kosovën, që të ketë disa veprime të koordinuara. Duke e njohur politikën e jashtme amerikane ka vite që insistoj në dialog strategjik me ShBA-në. Edhe qeveritë e kaluara nuk e kanë bërë këtë, por kanë pasur konsulta më të mira. Kjo qeveri nuk ka marrë masa më herët. Ka pasur oferta besoj nga ShBA-ja për ta bërë, por dialogu strategjik dhe koordinimi me SHBA-në është, për shembull, kritik për vende edhe më të mëdha se Kosova. Ishte kritik edhe për Ukrainën, është kritik edhe për Filipinet, Korenë e Jugut e kështu me radhë. Ka shembuj shumë të mirë. Është kritik për Maqedoninë e Veriut, që është duke zhvilluar [dialog strategjik me ShBA-në].
Dhe, diçka ka shkuar mbrapsht, diçka ka shkuar keq, me çfarë prapavije nuk e di, por ka ndryshim radikal të qëndrimeve gjeopolitike të ShBA-së në raport me rajonin, me Kosovën dhe Serbinë. Kjo situatë, në parim duket e frikshme. Konsekuencat, rezultatet, mbetet t’i shohim në ditët në vijim. Diçka po ndodh, por në parim duket e frikshme.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mendoni kur thoni se ka ndryshim politikash të ShBA-së në raport me rajonin?
Naim Rashiti: Në fillim të konfliktit në Ukrainë ne kemi menduar se do të ketë një angazhim amerikan dhe të BE-së për ta vendosur Ballkanin Perëndimor në integrim drejt BE-së dhe drejt NATO-s. Kemi menduar se do të ketë një angazhim enorm. Tani po shohim se Serbia është bërë një prej partnereve të ShBA-së dhe disa vendeve të Perëndimit, në raport me zhvillimet e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Pa hyrë në detaje, Serbia është bërë e përdorshme për ShBA-në dhe po i kryen disa punë strategjike për ShBA-në dhe disa vende të Perëndimit. Natyrisht, këto shërbime Kosova nuk ka mundur t’i kryejë, por kjo ka sjellë një ndryshim radikal të qëndrimeve dhe një zbutje të qëndrimit të Perëndimit ndaj Serbisë dhe është diçka normale, reale në politikën ndërkombëtare, për të cilën Kosova ka pritur që do të jetë një situatë krejt ndryshe. Edhe kjo Qeveri, edhe shumë në Kosovë kanë pritur që pas fillimit të luftës në Ukrainë, presioni do të bjerë mbi Serbinë.
Pas luftës në Ukrainë disa nga ne, edhe unë kam menduar se Kosova duhet të ngutet dhe ta zgjidhë çështjen e veriut, sepse do të jetë momentum për ta shfrytëzuar që të përmbyllet procesi. Ka shkuar e kundërta e kësaj se çfarë kemi pritur se institucionet e Kosovës dhe politika kosovare, shteti i Kosovës të jetë më strategjik në këto procese.
Nuk është vetëm çështja e veriut, zhvillimeve të përditshme në veri, dialogu. Politika kosovare, elita kosovare ka vite që po dështon që të vendosë strategjikisht se ku dëshiron ta dërgojë Kosovën. Ka vite që po dështon duke mos ndërmarrë asnjë veprim strategjik se si do ta ndërtojë të ardhmen e Kosovës. Kemi menaxhim të situatave, përsëritje të zgjedhjeve të mira demokratike, herë përmirësim e herë përkeqësim të qeverisjes. Kemi status-quo në ndërtimin, forcimin e institucioneve dhe kemi konfuzitet të tërësishëm politik dhe vizionar për shtetin e Kosovës. Kemi problem me një pjesë të territorit, kemi një problem me fqinjët, kemi problem me miqtë. Jemi në një situatë kur Kosova nuk do të duhej të ishte kështu dhe kemi një situatë që kërkon urgjentisht një vizion të qartë politik se ku e sheh Kosova veten këtë vit, vitin e ardhshëm dhe si do ta zgjidhë këtë.
Të gjitha këto probleme janë barrë ekskluzive e institucioneve dhe e politikës kosovare.
Veprimet e Kosovës në veri, pasojë “e pritjeve nga dialogu”
Radio Evropa e Lirë: Në këtë kontekst, si i shihni ju veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në veri?
Naim Rashiti: Veprimet e Qeverisë në veri janë konsekuencë e pritjeve nga dialogu dhe janë konsekuencë e formatit të dialogut. Mënyra se si është bërë Marrëveshja e Brukselit, jo përmbajtja, mënyra e marrëveshjes Ohrit [Aneksi për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve], e kemi thënë edhe më herët, do të na çojë në këso krizash, sepse nuk ka përkufizim të normalizimit. Me këtë marrëveshje nuk ka normalizim mes dy vendeve dhe tërë fokusi është në veri.
Kur nuk ka normalizim të marrëdhënieve, kur nuk ka mekanizma që sigurojnë implementimin, zotimin e palëve në dialog… dhe Qeveria e Kosovës ka përfunduar duke u marrë me telashet e mbetura të veriut. Më herët, një prej telasheve ishin tabelat, herën tjetër ishin zgjedhjet. Dhe, Qeveria e Kosovës ka hyrë me qëndrimin që t’i mbajë zgjedhjet ligjërisht dhe kushtetutshmërisht të kërkuara, por ato zgjedhje nuk ishin as ligjore e as kushtetuese dhe as legjitime. Nuk mund të kesh zgjedhje.
Pastaj, kur hyn në cikël të veprimeve në kërkim të zgjidhjes pa një plan të qartë, vijmë deri te kjo situatë. Tani, i gjithë faktori ndërkombëtar, nga procesi i normalizimit – jo me dështimin krejt të Kosovës, por me dështimin e implementimit të marrëveshjes – për shkak të zhvillimeve në veri ka përfunduar në atë që i gjithë fokusi të jetë në menaxhimin e krizës në veri dhe atë brenda territorit të Kosovës, dhe këtu bie presioni mbi Qeverinë e Kosovës.
Nuk ka normalizim në këta parametra ndërkombëtarë. Në formatin që zoti [Mirosllav] Lajçak dhe [Josep] Borrell po e udhëheqin dialogun, nuk ka normalizim të marrëdhënieve. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë, në këtë formë nuk ka normalizim. Por, kjo nuk duhet ta pengojë Qeverinë e Kosovës që të marrë hapa, ta përafrojë veriun në integrimin drejt institucioneve të Kosovës. Këtu Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të merret vetë me veriun, së bashku me miqtë e saj ndërkombëtarë. Kjo situatë është situatë eskaluese, por është edhe një mundësi e mirë.
Dhe nuk ka zgjidhje tjetër përveçse t’i rreket zgjidhjes së një konflikti të hapur në veri. Nuk do të jetë e lehtë, sepse faktori ndërkombëtar gjithmonë e ka prezantuar zgjidhjen e çështjes së veriut përmes dialogut. Tani, po na kërkohet zgjidhja e çështjes së veriut vetëm nga ana e Prishtinës, sepse po kuptohet se nuk ka normalizim. Dhe as ShBA-ja dhe as BE-ja nuk janë në gjendje të garantojnë minimumin e implementimit nga ana e Serbisë, minimumin e ndryshimit të sjelljes nga ana e Serbisë. Ky është realiteti.
Çka duhet të kuptohet në Prishtinë është se duhet një plan i ri, një qasje e re për ta menaxhuar veriun, për të mos qenë më burim i krizave dhe kjo nuk do të ndodhë me automatizëm me tërheqjen e kryetarëve apo njësive speciale [të Policisë së Kosovës].
Duhet një ofertë e re, një proces i ri politik brenda Kosovës e që të gjithë po mendojnë qe është përreth Asociacionit. Në rregull nëse është përmes Asociacionit, që së bashku me miqtë ndërkombëtarë të fillojë procesi i konsultave me serbët, të ndërtohet Asociacioni deri në vjeshtë, të përgatiten zgjedhjet dhe të kërkohet mbështetje ndërkombëtare për menaxhimin e rendit publik dhe ligjor në veri, i cili do të marrë kohë pa llogaritur shumë në procesin e normalizimit.
Në anën tjetër, Kosova, duke bërë hapin për Asociacionin, duhet t’ia bëjë të qartë BE-së dhe t’i kërkojë BE-së se neve në Bruksel na fton vetëm për normalizimin të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Dhe, besoj që në këtë mënyrë do të kishte gjetur një përkrahje pak më të madhe ndërkombëtare, sidomos të ShBA-së, që veriu të stabilizohet, të integrohet, të këtë një status më të avancuar administrativ, por që rendi dhe ligji të fillojnë të rivendosen. Sepse nuk do të ketë zgjidhje të shpejta, nuk do të ketë kthim të policisë. Tani, janë shumë prej tyre që kanë lënë uniformën, besoj që janë në listat e Qeverisë për involvim, përfshirje në protesta, në dhunë në barrikada dhe ata ligjërisht nuk do të mund të kthehen. Do të kemi diku një kombinim në mes kthimit të disa prej tyre dhe rekruitimit i të rinjve. Pothuajse ndërtim të policisë së re.
Besoj gjykatat, personeli i gjykatave, gjykatësit mund të kthehen, [edhe] prokurorët. Pastaj, do të kemi institucione të reja në komunë dhe ky proces mund t’i ndihmojë Kosovës që njëherë e përgjithmonë t’i shuajë komunat paralele, duke vendosur të zgjedhë të rinj, duke kontrolluar të gjithë procesin e emërimeve të reja, vendosjes së organeve të reja dhe rekrutimit të administratorëve, të cilët do të punojnë në komunat e reja.
Paralajmërim për tensione të reja
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, jemi ku jemi. Qeverisë tash i janë parashtruar disa kushte nga diplomatët perëndimorë. Çfarë pasojash mund të priten për Kosovën, në rast se nuk ka përgjigje pozitive ndaj këtyre kërkesave?
Naim Rashiti: Për besë nuk e di, edhe unë jam duke e menduar vazhdimisht, çfarë do të ndodhë, si do të ndodhë, sepse nuk jemi mësuar të shohim zhvillime të tilla, nuk kemi pasur. Nuk e di. Por, një gjë dihet që kjo gjendje çfarë është në veri, nuk është e qëndrueshme.
Por, edhe zgjidhja me tri pika siç është propozuar nga Perëndimi, e shtyn krizën për vjeshtë. Mënyra e njëjtë për t’i shtyrë zgjedhjet në veri, do të na shpijnë në të njëjtën gjë. Do të kemi kontroll absolut të Serbisë, do të kemi ose bojkot, do të kemi manipulim të zgjedhjeve, ndoshta edhe prishje të votimeve. Do të kemi tensione. Kërkohet proces i ri politik në Prishtinë me parametra politikë për ta zgjidhur çështjen e veriut. Është më shumë sesa menaxhimi i krizës, sesa çfarë është pretenduar, por natyrisht faktori ndërkombëtar është i shqetësuar për krizën për shkak të prezencës së trupave të tij dhe nuk do që trupat e tij të sulmohen, që të ketë fotografi dhe lajme – për lëndimin e trupave, vdekjen e trupave të tij – që ato të shkojnë në vendet prej nga vijnë.
Rrezik për “shkëputje diplomatike të angazhimit ndërkombëtar”
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar se e gjithë situata e krijuar do të ndikojë në angazhimin e tyre për Kosovën në aspektin diplomatik. Në çfarë pike e kthen kjo Kosovën?
Naim Rashiti: Unë mendoj se rreziku është që të kemi shkëputje diplomatike të angazhimit ndërkombëtar, do të kemi masa, qasje agresive dhe injoruese nga BE-ja, dhe ashtu e kemi pasur. Por, shpresa ishte se do të arrinim në një stad tjetër. Do të kemi një status-quo të rënduar, nuk do të kemi progres në Këshillin e Evropës, tani do të jemi më të lënë anash nga çdo partneritet në agjendën e PFP-së [Partneriteti për Paqe i NATO-s], nuk do të kemi mbështetje për njohje të reja, për ruajtjen e marrëdhënieve me vende të tjera.
Sigurt do të kemi një gjuhë politike të rëndë në Raportin e Progresit [të KE-së] dhe këtë gjuhë e kam parë edhe në vendet e tjera, në Maqedoni [të Veriut] për shumë gjatë, në Shqipëri për një kohë, dhe kthimi në një situatë të re, më frymëzuese dhe pozitive do të marrë shumë kohë.
Prandaj, kjo status-quo nuk bën që të zgjasë edhe sa i përket situatës në terren, por edhe në marrëdhëniet me Perëndimin. Duhet të ketë një dinamikë të re pro-aktive, pozitive, sepse nëse bëhen një ose dy raporte të progresit me gjuhë të ashpër politike, ato do të mbesin për shumë vite. Nëse SHBA-ja thotë se nuk do të na ndihmojë me njohje, me të vërtetë nuk do të na ndihmojë, e kështu me radhë. Nëse procesi për Këshill të Evropës ka vdekur, do të pauzojë për shumë vite, nuk do të kthehet menjëherë në agjendë, e kështu me radhë.
Radio Evropa e Lirë: Është ngritur edhe ideja për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. A i rëndon kjo zhvillimet apo është një nga zgjidhjet e mundshme?
Naim Rashiti: Shiko, këto janë beteja politike të brendshme, dialogu prej vitit 2013 na është kthyer në betejë të brendshme politike. Kosova dhe elitat politike nuk kanë ditur të bëjnë gjë, vetëm se ta përdorin dialogun kundër njëri-tjetrit, e kanë përdorur dialogun si instrument për të sulmuar se kush është më tradhtar, kush është më antikombëtar, kush është më antialeat e kështu me radhë. Këto janë debate për Kuvend, njerëzit në Kuvend, nuk dua të futem në to.
E rëndësishme është të kuptohet se problemi i veriut, marrëdhëniet me Perëndimin, çështja e dialogut, Asociacioni, të gjitha vështirësitë me të cilat po ballafaqohet Kosova, nuk do të jenë të njëjta dhe në të njëjtin nivel edhe për Qeverinë e re. Kjo Qeveri ka mundur ta menaxhojë shumë më mirë veriun, por kërkesa për një autonomi, për status, për Asociacion, për veriun është rritur. Tjetër diskurs ndërkombëtar ka pasur në vitin 2015, tjetër ka në vitin 2020, 2021, 2022, 2023.
Status “më autonom për veriun”
Radio Evropa e Lirë: Çfarë janë ato kërkesa sot?
Naim Rashiti: Ata kërkojnë një status me të vërtetë më autonom, një Asociacion me kompetenca për veriun. Kur po them nuk ka normalizim, nuk do të ketë normalizim dhe pajtim. Çfarëdo të mire që prodhon Qeveria në Kosovë, do të jetë e papranueshme për Serbinë, dhe prapë faktori ndërkombëtar do të na kthejë të njëjtën duke na kërkuar më shumë. Kështu që duhet gjetur një model që së paku i kthen serbët në institucione, që së paku e vendos stabilitetin politik dhe institucional dhe të sigurisë në veri, e pastaj, siç e thashë më herët, çështja e normalizimit dhe pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë nuk përfshihet në segmente brenda dhe mbetet çështje e hapur.
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, në rast se ngërçi vazhdon, kjo do të ndikojë direkt në dialogun me Serbinë?
Naim Rashiti: Në çdo aspekt të Kosovës, në aspekt të marrëdhënieve të Kosovës në agjendat e shtetndërtimit, sigurinë ndërkombëtare të Kosovës, në marrëdhëniet me miqtë, në dialogun, në marrëdhëniet me Brukselin. Në çdo aspekt, dialogu na është kthyer në një kancer për procesin e shtetndërtimit të Kosovës, nëpër të cilin, elitat politike në Kosovë kanë investuar me vite që ky kancer të bëhet edhe më i vështirë, edhe më ekspansionist. Dhe, derisa elitat politike nuk ulen, institucionet marrin vendime të mëdha, nga duan t’i bien këto? Çfarë prerje, intervenim kirurgjik do të bëjnë për t’i shëruar këto, për t’i mbyllur këto plagë? Nuk do të kemi zgjidhje.
Radio Evropa e Lirë: Ngecja e dialogut kujt i konvenon?
Naim Rashiti: Vetëm Serbisë, vetëm presidentit serb, [Aleksandar] Vuçiq. Ngecja e dialogut do ta dërrmojë, së bashku me krizat që po prodhon, do ta dërrmojë Kosovën edhe më shumë.