Të shkosh në Himarë e të mos e shijosh atë përmes Ballkonit të saj që ndodhet 8 kilometra larg, në fshatin Pilur, nuk do të jesh i plotësuar. Ky fshat që është kthyer në një destinacion të fuqishëm turistik, ofron një panoramë të bukur të bregdetit. Por jo vetëm kaq, ai të pret dhe përcjell me këngët polifonike.
Pikërisht ishte edicioni i 4-tërt i Festivalit “Netët e Bejkës së Bardhë” -Pilur 2023, i cili mblodhi njerëz të artit, kulturës, shoqatave dhe personalitete politike nga të gjitha trevat për dy ditë radhazi. Kjo ishte arsyeja që edhe ne të ishim aty.
Sheshi ishte i mbushur me plot të rinj e të reja që kishin ardhur nga emigracioni.
Kjo pjesë e lartësishme gjeografike dhe banorët e tij, të japin leksionet pamore dhe identitare interesante të udhëtimit.
Ngjitja nga Himara në Pilur në 700 metra mbi nivelin e detit, lirshëm mund të njihet si një lloj “festivali” i udhëtimit të ngadaltë që ofron pamje mjaft tërheqëse. Posa të arrish në fshatin e këngës, aty ku me fanatizëm rruhen tingujt e polifonisë ajri bëhet i muziktë. Këtu kanë lindur poetë, artistë e gjen si trashëgimi një mal këngësh të polifonisë brilante shqiptare. Piluriotët rrjedhin nga fiset Kaone të lashtësisë.
Tek memoriali i ” Princit të polifonisë shqiptare”, ku gjen për epitaf distikun e famshëm:” Këngët e Atdheut tim/ janë ilaç e janë shërrim”, kalojnë shumë festivalistë, turistë e shumë pjesëmarrës. Paskëtaj, patjetër që do të ndalesh në majën e kodrës, aty ku i ndjeri do të kalonte pjesën më të madhe të kohës duke shkruar poezi e kompozuar këngë të pambarimta e unike. Në këtë pozicion lehtësisht të vijnë në mendje pjesë nga poezi të tij:
“O shokë, vdeksha nga kënga…
Vdeksha dhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha…”
Ky poet ishte i mishëruar me Kosovën, ashtu siç tregon edhe kënga e tij e dhjetë , tek poema “Për Kosovën prapë do ngrihem”.
“Nëse unë vërtet për Vlorën,
Zemërshkoqur shkruaj plakem,
Më besoni, për Kosovën,
Dhe të vritem, do të ngjallem.”
Ballkoni i bregdetit
Ballkoni i bregdetit
Kjo kodër është një pyll me lisa në formë kurore, ku ndodhet kisha e Shën Kollit që i jep një bukuri këtij fshati magjik.
Vazhdojmë teposhtë, në sheshin e Rrapit të famshëm të Pilurit, rreth të cilit në kohë, siç thotë poeti: ” Janë mbledhur burra të kombit”, ku një erë e lehtë nga mali të shuan djersët nga vapa e madhe. Aty, për një periudhë të shkurtër kohore takon gjithë banorët të cilët e kalojnë një pjesë të ditësnën kurorën e rrapit, burra e gra.
Po aty është vendosur një restorant i quajtur “Bejkë e Bardhë” ku vizitorët do të shijojnë produktet bio të kësaj zone nga mish qengji, kos, salcë kosi, djathëra, lakra të egra dhe patate mali që janë tejet të shijshme.
Patjetër që akëcili vizitor do t’i kalojë disa çaste nga “ballkoni i bregdetit ” për t’i ngopur sytë me pamjen vizuale të detit ku i gjithë qyteti duket si një skenë. Nga aty, mund të shihen plazhi i Potamit, Livadhit, Spilesë, Llamanit por edhe Llogaraja, maja e Çikës, plazhi i Dhërmiut dhe rruga gjarpëroshe e Vunoit…
Piluri që sipas disa banorëve do të thotë ” Portë e maleve”, por i njohur si epiqendër e polifonisë shqiptare, po kthehet në një destinacion të mrekullueshëm turistik vendas dhe të huaj, të cilët vizitojnë bashkinë e Himarës .
Zhurma e gjetheve dhe ajri i freskët të krijojnë një ndjesi të mirë nga të qenit larg zhurmave të përditshme dhe në paqe të plotë me natyrën dhe lartësitë. Kjo pjesë tashmë është e njohur për agroturizëm ndërsa shumë shpejt pas ngritjes së ” Muzeut të Fjalës Lefter Çipa”, kushtuar jetës dhe veprës së “princit të polifonisë”, ky fshat do të pasurohet edhe me një muze tjetër të blegtorisë dhe atë historik.
Në këtë fshat i jepet rëndësi e posaçme traditës, historisë dhe trashëgimisë kulturore kombëtare.
Në sheshin kryesor të fshatit takojmë Kristo Çipën, Mjeshtër i Madh, i cili na dëshiron mirëseardhjen e grupit tonë dhe pjesës nga treva të ndryshme të hapësirës shqiptare. Kristoja është autori dhe udhëheqësi artistik i Asamblit Polifonik “Bejkë e Bardhë”, por edhe organizator i Festivalit me mbështetjen e madhe të bashkisë së qytetit Himarë.
Në orët e mbrëmjes së ditës së parë, pas parakalimit të grupeve folklorike që numëronin 18 grupe, filloi këndimi i himnit të flamurit nëpërmjet gojës së këngëtarit himariot Koço Çakalli, një regjistrim unik i viteve 1930, Festivali u hap nga kryetari i Bashkisë Himarë zoti Jorgo Goro, i cili është mbështetësi dhe bashkëdrejtuesi i këtij festivali na katër edicione rradhë.
Në këtë mbrëmje ishte organizuar një atmosferë festive për të gjithë pjesëmarrësit të cilët krejt ishin veshir me gjithë llojet etnografike të kostumografisë shqiptare.
Ky festival, i katërti me radhë, mbetet një nga ngjarjet kulturore të ndritshme dhe të mëdha, për rajonin bregdetar, jugun e vendit dhe më gjerë, përfshi edhe nga trupa apo ekspertë ndërkombëtarë. Nga skena kumbuan këngët e bukura duke sjellë emocionet e tyre unike.
Dy grupe asamblin “ ART PLUS AKADEMI” e Vlorës nën drejtimin e Kujtim Sakos dhe grupi polifonik “Kaonia” të Janinës ndezën atmosferën e këtij festivali me disa pika muzikore dhe shfaqjen e valleve, duke shtuar risi në pjesëmarrjet e radhëve të këtij festivali.
Çmimin e parë parë “ Lefter Çipa”- grupit nga Himara
Për dy mbrëmje kanë konkuruar 12 grupe polifonike dhe përshëndetën 4 grupe . Në ditën e dytë u organizua edhe një diskutim për librat e autorëve nga bashkia Himarë. Çipa në fund të këtij festivali falendëroi deputetët Bujar Leskaj, Blendi Klosi, Vullnet Sinaj, dy deputet e Krujës, kryetarin e Qarkut Vlorë Elvis Moçka, Kryetarët e bashkive, Vlorë, Gjirokastër, Konispol, Sarandë , Selenicë (i porsazgjedhuri dhe ai në detyrë) dhe kryetari i bashkisë Himarë, sekretari i prefekturës Vlorë etj.
“Më duhet të theksoj qartë dhe në mënyrë të drejtpërdrejt deputetin Vullnet Sina i cili me mbështetjen e vazhdueshme, pa bujë, na ndihmoi financiarisht për të mundësuar garimin e edicionit të katërt”,- shtoi drejtuesi i Festivalit. Një falënderim të veçantë ai shfaqi për ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Skënder Durmishi dhe gazetaren, bashkëshorten e tij, për mbështetjen e këtij festivali tradicional. “Falendëroj të gjithë miqtë, dashamirësit dhe të gjithë bashkëfshatarët që na mbështetën”, tha Çipa në mbyllje të këtij festivali.
Në këtë festival morën pjesë rreth 130 festivalistë konkurues dhe përshëndetës, nga këta mbi 60 përqind ishin të rinj. U kënduan mbi 40 këngë dhe u ekzekutuan mbi 10 valle.
Juria më shumë se profesionale në përbërje të saj që kishte personalitete me emër të oadiskutueshëm në kulturën kombëtare si profesor- maestro Zhani Cikon, zionjën Afërdita Onuzi( Mjeshtre e madhe), zotin Naxhi Kasoruhon ( Mjeshtër i madh) , poetin Arben Bllaci ( poet, publicist) në fund të këtij aktiviteti ndau këto çmime: Çmimi i parë “ Lefter Çipa” ju dha grupit karakteristik të Himarës. Çmimi i dytë “ Maliq Lila” ju dha grupit të Lazaratit
Çmimi i tretë “ Feti Brahimi” ju dha grupit të të rinjve Delvinë. Çmimi i karierës “ Nertesi Asllani” ju dha grupit “ Djemtë e Vlorës”. Çmimi special ju dha grupit “ Nektari i polifonisë.
Çmimi special për interpretim mjeshtëror ju dha grupiz” Djemtë e Lumit të bardhë.
Çmimi si marrësa më të mirë ju dhanë Bejushe Barjamaj, Vasil Sera dhe Përparim Çunaj. Ndahemi nga ky festival me mbresat më të mira.
Lëshohemi teposhte nga Himara e më pas ngjitemi në kodrinën shkëmbore duke u drejtuar nga hoteli ku ishim akomoduar nga i cili vend nga një lartës shfaqet një panoramë e bukur e vijës bregdetare, ku relaksimi të depërton në shpirt ku veshët ende tingëllojnë nga këngët mbresëlënëse te Pilurit.
Flamujt kombëtarë dhe fjalët e gdhendura, me aq shumë metafora dhe figuracione ishin këto dy ditë imazhi real i Pilurit, “fshatit të varur në re”, -sikundër shprehej më shumë se një shekull më parë piktori shëtitës britanik Eduard Lir. Ayo këngë, dollitë, zërat dhe ngjyrat e kostumeve janë marka e fuqishme e këtij fshati në lartësinë më domethënëse të Labërisë dhe Bregdetit të Jugut shqiptar.
Nga Ilir Krasniqi