Në mungesë të kuorumit ka dështuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, pasi nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të LDK-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kjo dëshmon se pushteti është joserioz karshi deputetëve dhe qytetarëve.
“Sa i përket mbledhjes së Kryesisë, në fakt, nuk ka arritur të mbahet, përveç kryetarit të Kuvendit, nuk ishin as përfaqësuesit e mazhorancës së LVV-së. Ishte një dështim i radhës i mbledhjes së Kryesisë. Tashmë ju jeni të vetëdijshëm se kjo mazhornacë nuk po arrin ta ketë shumicën as të kryesisë e as seancat parlamentare të Kuvendit të Kosovës, të cilat kanë dështuar, tash e një kohë, jashtëzakonisht të gjatë. Bllokimi dhe dështimi i Parlamentit, dështimi i agjendës Parlamentare është jashtëzakonisht i dëmshëm për Republikën e Kosovës. Ju e dini që ne si opozitë, normalisht, nuk mund ta përbëjmë shumicën, ne jemi pakica në Kuvend, megjithatë kemi luajtur një rol konstruktiv, kemi luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm”, deklaroi Abelard Tahiri.
Ndërsa lidhur me çështjen e ambasadorit Berishaj, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, bëri të ditur kërkesën e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, për interpelancë me kryeministrin Kurti për mos-shkarkimin e ambasadorit Berishaj.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se kjo qasje tregon papërgjegjshmërinë, duke shtuar se Kosova tashmë është e sanksionuar nga SHBA-ja, pasi krerët e institucioneve po e injorojnë situatën e krijuar.
“Mbledhja e Kryesisë edhe sot dështoi edhe po vazhdon dështimi i mbajtjes së seancave të rregullta. Do të kemi të enjten një seancë të vazhdimit të disa pikave. Janë dy çështje që dua t’i adresoj në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së. Ne e kemi thirrur një interpelancë, ministrin e Financave, Hekuran Murati për dy çështje: për koeficientin, i cili koeficient tepër zhgënjyes për zyrtarë publikë dhe për mungesën e investimeve kapitale në Kosovë. Kjo interpelancë nuk do të ndodhë për shkak se nuk do të ketë seancë. Dhe e dyta: që është tepër e rëndësishme, ju e shihni se si është gjendja në vend”, deklaroi Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së.
Por shefja e GP të LVV-së Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj shefave të GP të PDK-së dhe AAK-së, të cilët kanë deklaruar se ka dështuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.
Sipas saj nuk është e vërtetë deklarata e shefit të GP të PDK-së që për shkak të mungesës së përfaqësuesit të LVV nuk ka pasur kuorum në mbledhjen e Kryesisë.
“Për të satën herë me radhë, shefat e grupeve parlamentare ‘NUK E BËJNË’ kuorumin e Kryesisë, atë e përbëjnë Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit. Sot prezent ishin, Kryetari Glauk Konjufca dhe Nënkryetari Bahrim Shabani nga pozita, ndërsa dy Nënkryetarët nga opozita pa ndonjë paralajmërim, nuk u paraqiten në takim. Kjo tendencë e ikjes nga përgjegjësia e obligimeve parlamentare nuk i bën nder opozitës dhe as nuk i shton vlerë demokracisë parlamentare”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo më tej shtoi se do të ishte mirë nëse Abelard Tahiri do të duhej të tregonte pse nënkryetari nga radhët e PDK-së, nuk ishte prezent sot dhe jo të mundohej kotësisht të bënte kauzë opozitare të paqenë.
Për informim të drejtë të opinionit publik, sot mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita, Enver Hoxhaj nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK.