Serbia po përgatitet për stërvitjen ushtarake “Ujku i Platinit”, ku do të marrë pjesë Ushtria e Serbisë bashkë me pjesëtarë të forcave të armatosura të shteteve tjera, disa prej të cilave janë anëtare të NATO-s.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin pjesë në stërvitjen ushtarake “Ujku i Platinit” me 100 ushtarë amerikanë, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada amerikane në Beograd.
“Serbia ka bërë zgjedhje për të qenë pjesë e Perëndimit dhe kjo përfshin integrimin e mëtejmë me strukturat euroatlantike të sigurisë dhe ushtritë partnere”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.
Ai vuri në dukje se stërvitja është “drejtpërdrejt e lidhur me pjesëmarrjet ekzistuese të Serbisë në misionet në mbarë botën”.
“Dhe, sa më shumë që stërvitemi së bashku, aq më efektivë do të jemi në arritjen e qëllimit të përbashkët, paqja dhe stabiliteti rajonal dhe ruajtja e Evropës në tërësi, e lirë dhe në paqe”, theksoi Ambasada e SHBA-së në Beograd.
Ajo theksoi, gjithashtu, se “sa më i madh të jetë integrimi i Serbisë në strukturat e sigurisë euroatlantike, aq më e shkurtër do të jetë rruga e saj drejt anëtarësimit përfundimtar në Bashkimin Evropian”.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë: Përgatitjet po vazhdojnë
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) se është duke “ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme për përgatitjen dhe realizimin e stërvitjes ndërkombëtare”, që do të mbahet në jug të Serbisë nga 14 deri më 30 qershor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Bosnjë e Hercegovina janë ndër vendet që do të dërgojnë pjesëtarë të forcave të tyre të armatosura në Serbi.
“Ujku i Platinit 2023” tërhoqi vëmendjen e publikut, sepse u përjashtua nga moratoriumi për të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerë nga Lindja dhe Perëndimi, i cili u vendos nga Serbia menjëherë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Dhe, ndërsa ShBA-ja mirëpriti vendimin e Serbisë, Kremlini njoftoi se do të “ndjekë me kujdes” stërvitjen.
Serbia është ushtarakisht neutrale, ndërkaq, me NATO-n bashkëpunon që nga viti 2006, përmes Partneritetit për Paqe.
Maqedonia e Veriut: Mbështetje për marrëdhënie të mira fqinjësore
Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se do të marrë pjesë në stërvitjen ushtarake “Ujku i Platinit” në Serbi.
Ajo e sheh stërvitjen si një mundësi për të përmirësuar bashkëpunimin dypalësh “drejt një rajoni më të sigurt”.
Kjo ministri ka theksuar se rrethanat aktuale gjeopolitike, që nga pushtimi rus i Ukrainës, “tregojnë nevojën për përgatitje, praktikë dhe gatishmëri të vazhdueshme”.
“Si në kontekstin rajonal, ashtu edhe në atë global, përgatitjet dhe stërvitjet duhet të kuptohen si përgatitje për rezistencë dhe gatishmëri mbrojtëse, e jo si instrument për rrezikim dhe për forcimin e jostabilitetit politik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut.
Sllovenia: Mbajtje e marrëdhënieve të mira me Ushtrinë e Serbisë
Pjesëmarrjen e ushtarëve nga Sllovenia e konfirmoi për REL-in edhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi.
“Me pjesëmarrjen e tyre në stërvitjen ‘Ujku i Platinit 2023’, Forcat e Armatosura të Sllovenisë përmbushin detyrimet e tyre nga marrëveshja dypalëshe dhe mbajnë marrëdhënie të mira bilaterale me Ushtrinë e Serbisë”, thuhet në një përgjigje me shkrim.
Sllovenia është gjithashtu anëtare e NATO-s.
Bosnjë e Hercegovina: Synime të përbashkëta të paqes dhe stabilitetit në rajon
Bosnjë e Hercegovina fqinje, gjithashtu, do të dërgojë pjesëtarë të forcave të armatosura në stërvitjen “Ujku i Platinit 2023”.
Ky shtet, sikurse edhe Serbia, nuk është anëtar i NATO-s, por me Aleancën veri-atlantike bashkëpunon përmes Partneritetit për Paqe.
“Para së gjithash, ne shohim rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë stërvitje përmes një partneriteti të fuqishëm ushtarak dhe mbrojtës me vendet e tjera, si në rajon ashtu edhe në botë, i cili është i fokusuar në qëllimet e përbashkëta të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në nivel global”, tha Ambasada e Bosnjës dhe Hercegovinës në Beograd për REL-in.
Nga kjo ambasadë theksuan se stërvitjet ushtarake sikurse “Ujku i Platinit”, janë një mundësi e mirë për të shkëmbyer përvoja dhe njohuri me partnerët.
“Zhvillimi i një bashkëpunimi të këtij lloji është bërë pjesë integrale e përpjekjeve dhe aktiviteteve rajonale, por edhe globale, që kontribuojnë në forcimin e paqes dhe besimit të ndërsjellë, sigurisë dhe stabilitetit”, tha Ambasada e Bosnjës dhe Hercegovinës në Beograd.
Stërvitja “nën syrin vigjilent” të Kremlinit
Kur Serbia njoftoi për stërvitjen ushtarake në prill, Kremlini paralajmëroi se ajo “nuk do të kalojë pa u vënë re” në Rusi.
“Sa i përket stërvitjeve, ne sigurisht që do t’i ndjekim ato me shumë kujdes”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 6 prill.
Asokohe, Peskov deklaroi se Beogradi “është nën presion të paprecedent për ta tërhequr Serbinë në anën e atyre që i përmbahen qëndrimit anti-rus”.
Lëvizja Dveri, subjekt politik parlamentar me orientim të djathtë – përfaqësuesit e së cilës mbajnë lidhje të ngushta me Rusinë – në muajin prill bëri thirrje për anulimin e stërvitjes.
Ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq, e hodhi poshtë këtë kërkesë, duke thënë se stërvitja “nuk paraqet një precedent, por një vazhdimësi të bashkëpunimit ndërkombëtar që i sjell dobi Ushtrisë së Serbisë dhe kontribuon në përmirësimin e aftësisë së saj operacionale”.
Moratoriumi ndaj mbajtjes së stërvitjeve ushtarake me partnerët e huaj, u vendos në shkurt të vitit 2022, disa ditë pasi Rusia filloi agresionin e saj kundër Ukrainës fqinje.
Në atë kohë, Beogradi zyrtar njoftoi se nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë, por edhe se ushtria serbe, duke pasur parasysh politikën e neutralitetit ushtarak, i pezullonte të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerët e huaj, si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi, deri në një njoftim ndryshe.
“Sjellja jodiplomatike e Moskës”
“Njoftimi nga Moska se do të përcjellë me kujdes stërvitjen, paraqet jo vetëm sjellje jodiplomatike, por edhe një mesazh të pafshehur kërcënimi”, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Nikola Luniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politika Strategjike me seli në Beograd.
Megjithatë, Luniq nuk pret ndonjë reagim konkret nga Kremlini.
“Përveç përpjekjeve mediatike dhe diplomatike për të kompromentuar Serbinë, reagimi i Moskës nuk pritet, sepse aktualisht nuk është e aftë të përgjigjet as ndaj ofensivës ukrainase”.
I pyetur se çfarë lloj sinjali po dërgon Serbia duke përjashtuar ushtrimet me partnerët perëndimorë nga moratoriumi, Luniq tha:
“Serbia, si shtet, e ka fatin që gjeografikisht të jetojë si pjesë e Evropës, ndërkaq, me vlera, t’i takojë BE-së së integruar. Mesazhet e politikës së jashtme që dërgohen, janë të qarta në këtë kuptim, por edhe më të rëndësishme në këtë moment janë mesazhet për vetë popullin”.
Ai theksoi se “Ujku i Platinit” në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e NATO-s “pasqyron interesat e vendit dhe të Ushtrisë së Serbisë dhe kontribuon shumë në përmirësimin e aftësive operacionale”.
Çfarë është “Ujku i Platinit”?
Ushtrimi taktik “Ujku i Platinit 23” do të mbahet në bazën ushtarake “Jugu” afër Bujanocit. Në të do të marrin pjesë Ushtria e Serbisë, si nikoqire dhe 11 vende partnere.
Nga viti 2014 deri në vitin 2021 është realizuar shtatë herë në territorin e Serbisë.
Qëllimi i stërvitjes është ruajtja e nivelit të arritur të ndërveprimit të njësive të Ushtrisë së Serbisë për pjesëmarrje në operacione shumëkombëshe.
Ushtria e Serbisë ka më shumë se 15 vjet që punon sipas standardit të NATO-s, i cili përdoret edhe në misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha organizatave të tjera.
Stërvitja “Ujku i Platinit”, për herë të fundit është mbajtur në vitin 2021.
Asokohe, përveç Serbisë si mikpritëse, në të morën pjesë pjesëtarë të forcave të armatosura të Bullgarisë, Greqisë, Hungarisë, Rumanisë, ShBA-së, Sllovenisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Bosnjë e Hercegovinës.