Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, i cilëson si “joproporcionale” sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Kosovës dhe thotë se është skeptik për efektin e tyre të dëshirueshëm.
BE-ja ka ndërmarrë dhe ka paralajmëruar disa masa ndëshkuese, për shkak të, siç është thënë, mospërfilljes së kërkesave të saj nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri të vendit.
“Unë, si analist, mund të them se [sanksionet] janë të pabalancuara, madje të padrejta”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “duhet ta ketë parasysh atë që është më e dobishme për Kosovën në këtë fazë dhe ajo është ulja e tensioneve”, thotë Vogel në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian është duke përgatitur sanksione ndaj Kosovës, për shkak të veprimeve të marra të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi. Cili është komenti juaj?
Toby Vogel: Fillimisht shtrohet pyetja rreth domethënies së menjëhershme të këtyre sanksioneve, dhe pastaj vjen çështja e kontekstit politik. Mendoj se shumica e tyre, ashtu siç janë raportuar, nuk do ta ndryshojnë disponimin e Qeverisë së Kosovës dhe, në mënyrë specifike, të kryeministrit Albin Kurti. Ato janë kryesisht sanksione simbolike, si mospjesëmarrje në takime të nivelit të lartë dhe gjëra të ngjashme.
Ato që do të kishin vërtet peshë, do të ishin sanksionet financiare, të cilat raportohet se janë pjesë e tyre. Ato do të kishin efekt real në Kosovë. Ato, patjetër, duhet të merren seriozisht.
Thënë këtë, mendoj se është e rëndësishme të shikohet edhe konteksti më i gjerë politik. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, qartazi, kanë arritur në përfundimin se problemi në moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi], është pothuajse tërësisht në anën e Kosovës dhe, në mënyrë specifike, te kryeministri Kurti.
Nuk është sekret që Kurti ka bërë armiq edhe në Uashington, edhe në Bruksel. Ai nuk është i pëlqyeshëm dhe shihet si i vështirë. Nëse kjo është e justifikueshme ose jo, mund të kemi një diskutim të gjatë, por mendoj se është fakt që është i dukshëm.
Kur shikoni paraqitjet e diplomatëve të huaj me Kurtin dhe i krahasoni me paraqitjet e tyre me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, vëreni se marrëdhënia me Vuçiqin është më e afërt, më e përzemërt, më personale sesa me Kurtin.
Unë nuk po bëj ndonjë gjykim të veçantë për meritat e kësaj [situate]. Mendoj se është e rëndësishme të pranohet se kryeministri [Kurti] ka bërë disa gabime mjaft elementare në trajtimin e gjithë kësaj çështjeje në muajt e fundit. Por, për mendimin tim, sanksionet janë krejtësisht joproporcionale. Ka qenë Serbia ajo që ka shkelur e para Marrëveshjen e Ohrit, [duke bërë] që shumë të votojnë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Nuk ka pasur as sanksione, as kritika publike. Kështu që e kam të vështirë t’i shoh si të justifikueshme, por gjithashtu jam skeptik se ato do ta kenë efektin e dëshirueshëm.
Radio Evropa e Lirë: Do t’i kthehem kësaj çështjeje pak më vonë, por a mendoni se vendet tjera do të ndërmarrin, po ashtu, masa kundër Kosovës? Shtetet e Bashkuara kanë anuluar tashmë disa aktivitete, të tilla si stërvitjet ushtarake “Defender Europe 23”…
Toby Vogel: Ka gjëra që BE-ja, institucionet e BE-së mund t’i bëjnë vetë dhe nuk kanë nevojë për pajtimin e vendeve anëtare. E kam të vështirë ta besoj se ka një shumicë në mesin e shteteve anëtare të BE-së [që mbështet] pezullimin e financave për Kosovën, për shembull. Ky është një hap mjaft radikal.
Shtetet individuale anëtare mund të zbatojnë sanksionet e tyre, të anulojnë takime e të tjera. Unë mendoj se kjo tashmë po ndodh, por këto janë kryesisht simbolike. Kur them simbolike, nuk dua të sugjeroj se ato nuk janë të rëndësishme. Prishtina duhet t’i marrë ato shumë seriozisht, si shprehje të pakënaqësisë në Evropë dhe në Amerikë për mënyrën se si kryeministri [Kurti] e ka trajtuar këtë [situatë]. Unë, si analist, mund të them se [sanksionet] janë të pabalancuara, madje të padrejta, por jo si politikan… Kryeministri ka përgjegjësi ndaj popullit të tij ta bëjë atë që është më e mira për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se këto sanksione, sidomos ato financiare, mund të jenë efektive dhe ta bindin Kurtin që të veprojë? Ajo çfarë po kërkon komuniteti ndërkombëtar nga Kurti tani është ta tërheqë policinë nga ndërtesat komunale në veri…
Toby Vogel: E saktë. Është shumë e qartë. Ka dhjetë ditë që BE-ja dhe SHBA-ja e thonë në mënyrë specifike se çfarë presin nga Kosova. Në vend se t’i marrë hapat e parë në atë drejtim, Kurti ka prezantuar planin e tij për shtensionimin e situatës. Nuk mendoj se kjo është e dobishme.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave
Mendoj se do të ishte shumë më e dobishme që të tërhiqej, për shembull, policia, por me garancitë se [misioni paqeruajtës i NATO-s] KFOR do të dislokohej atje dhe do t’i ruante ndërtesat qeveritare. Kjo do të mund të arrihej, mendoj unë, me një kapital politik relativisht minimal. Nuk mendoj se Kurti do të humbiste nëse do ta bënte këtë. Por, ka zgjedhur të mos e bëjë. Mendoj se ky nuk është një veprim i zgjuar.
Megjithatë, mendoj se sanksionimi i tij për këtë është joproporcional, kur kujtojmë se Serbia ka kundërshtuar votimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës – gjë që ka qenë shkelje e qartë e Marrëveshjes së Ohrit – dhe nuk ka ndodhur asgjë. Pra, kjo vetëm e ushqen ndjenjën e izolimit të Kurtit, të veçimit padrejtësisht. Por, prapë, pa marrë parasysh nëse pajtohemi ose jo me këtë, ai duhet ta ketë parasysh atë që është më e dobishme për Kosovën në këtë fazë dhe ajo është ulja e tensioneve.
Radio Evropa e Lirë: Por, Kurti këmbëngul se nuk mund të bëjë kompromise me shtetin, me Kushtetutën… Pra, si të dilet nga kjo?
Toby Vogel: Mendoj se duhet ta shikojmë në mënyrë specifike secilën masë. Për shembull, nuk ka asgjë që mund ta pengojë atë ta tërheqë policinë speciale nga veriu. Nuk ka asgjë që mund ta pengojë nga mbajtja e zgjedhjeve, duke siguruar edhe pjesëmarrjen e serbëve, e jo sikurse herën e kaluar. Kështu që, në parim, unë mendoj se kjo zgjidhet, zgjidhja është mjaft e qartë.
Është shumë e vështirë për mua ta them nëse presioni perëndimor mbi të është i dobishëm. Ai vetëm mund ta përforcojë vendosmërinë e tij për ta mbajtur këtë qëndrim. Por, ky është spekulim. Do të shohim në orët dhe ditët në vazhdim se si do të zhvillohen gjërat.
Radio Evropa e Lirë: E përmendët edhe ju më herët, por shumë në Kosovë thonë se komuniteti ndërkombëtar është më i ashpër ndaj Kurtit dhe Kosovës…
Toby Vogel: Mendoj se kjo është bërë e dukshme në muajt e fundit. Ka qenë e dukshme më parë, por është bërë evidente se politika perëndimore është tërësisht e fokusuar tek Aleksandar Vuçiq. Dhe, natyrisht, kjo nënkupton se Kosova po trajtohet në mënyrë të padrejtë. Kosova shihet si më e dobëta nga të dyja palët në dialog. Pra, presioni joproporcional është ushtruar gjithmonë mbi Kosovën. Gjuha e ashpër për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në muajt e fundit, ka qenë e dukshme.
Perëndimi, BE-ja dhe ShBA-ja e kanë rritur presionin e tyre mbi Kosovën, sepse kanë menduar se mund të nxjerrin rezultate më të lehta. Kanë menduar se kjo mund ta detyrojë Vuçiqin të jetë më konstruktiv edhe në çështje të tjera, jo vetëm në dialog, por kjo vërtet mbetet të shihet.
Radio Evropa e Lirë: A e inkurajon kjo situatë Vuçiqin, i cili nuk e ka të definuar qartë pozicionin e tij ndaj BE-së dhe Rusisë?
Toby Vogel: Mendoj se kjo është një llogaritje e gabuar. Nuk mendoj se Vuçiq do të anohet kah Perëndimi me vendosmëri dhe do të heqë dorë nga Rusia me vendosmëri, vetëm nëse Albin Kurti lejon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është iluzore kushdo që e mendon këtë.
Natyrisht se, në parim, normalizimi kuptimplotë i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohjen de facto të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi, të sovranitetit dhe të integritetit të saj territorial, do ta çlironte kapitalin politik dhe energjinë për trajtimin e çështjeve të tjera. Unë pajtohem me këtë analizë. Por, nuk shoh ndonjë vullnet nga pala serbe për një gjë të tillë.