Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës filloi me një aksion simbolik të deputetëve të AAK-së, të cilët kanë vendosur pankartë me flamujt e SHBA-së dhe NATO-s në foltoren e Kuvendit.
“Edhe nëse Qeveria harron, populli nuk harron”, shkruan në këtë pankartë.
Protesta në këtë mënyrë e AAK-së bëhet pas akuzave të kësaj partie se Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, është duke dëmtuar aleancën me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në fjalën e tij, e cilësoi rrëmbimin e tre policëve të kosovës në veri të vendit, nga Policia e Serbisë si akt agresioni kundër Republikës së Kosovës.
Sipas tij, dje ka ndodhur përshkallëzim i situatës së sigurisë në veri.
“Është e pa ekuivoke shkelja e sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha Krasniqi, duke shtuar se në këtë moment, përtej qëndrimeve e vlerësimeve të kujtdo, prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i policëve në Kosovë pranë familjeve të tyre duke garantuar shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Për këtë arsye, ai i kërkoi kryeparlamentarit Glauk Konjufca, që të kontaktojë me kryeministrin Albin Kurti që ai të shkojë e të raportojë në Kuvend për këtë situatë.
“Për të raportuar se cilat janë veprimet e qeverisë që janë duke i ndërmarrë për kthimin e policëve tanë, por edhe për situatën e sigurisë në përgjithësi në veriun e vendit”, tha Krasniqi.
Kërkesë të ngjashme pati edhe Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, i cili kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të raportojë në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit në veri dhe kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe.
Derisa kërkoi nga Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë të bëjnë të pamundurën që të bëhet kthimi i zyrtarëve policorë sa më parë në Kosovë, Gashi u shpreh se Kurti duhet t’i raportojë deputetëve lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Sepse kemi parë qëndrime zyrtare të ShBA-së dhe përfaqësuesve të BE-së lidhur me mundësinë e marrjes së masave sanksionuese për institucionet e Kosovës e kjo është ngjarje shumë shqetësuese që nëse ndodh do të jetë e rëndë dhe e patejkalueshme”, tha Gashi.
Ai shtoi se vendi ndodhet në një situatë delikate ku duhet informim për ngjarjet në veri dhe agresionin luftënxitës të Serbisë, duke kidnapuar policët.
E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pasi dënoi kidnapimin e tre policëve, duke e konsideruar këtë akt si provokim të drejtpërdrejtë nga Qeveria në Beograd, tha se veprimet aventureske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e miqve në krye me ShBA-në, ka rezultuar me përshkallëzim të situatës.
“Kërkojmë nga presidenti i Serbisë që me një veprim politik t’i lirojë menjëherë te policët duke mos e eskaluar situatën, dhe duke pasur parasysh se ky Kuvend në ballafaqim me Serbinë nuk e njeh qasjen pozitë dhe opozitë”, tha Tahiri në këtë seancë.
Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar në veçanti nga ShBA, urgjentisht të bëjë presionin e duhur ndaj shtetit që nuk e fsheh synimin armiqësor ndaj Kosovës dhe të liroj menjëherë tre policët e kidnapuar.