Autoritetet e Serbisë kanë liruar katër qytetarë, të arrestuar në pikën kufitare në Merdare, derisa ishin duke dalë nga Kosovë.
Dervish Maliqi, njëri nga qytetarët që është liruar, tha se policia serbe u thoshte se arrestimi ka të bëjë vetëm për çështje politike. Ai ka thënë se megjithatë, nuk është se kanë pasur trajtim jo të mirë nga policia e shtetit fqinj.
Dy nga të arrestuarit ishin Dervish Maliqi dhe Esat Muqolli.
Ata kanë deklaruar se menjëherë pas arrestimit, pasi kanë kaluar në pikën kufitare në Merdare, janë dërguar në stacionin policor në Kurshumli.
Thanë se atje i kanë akuzuar kinse kanë dëmtuar disa objekte në pikë kalimin kufitar në Merdare.
Sipas tyre akuzat kanë qenë të pabazuara dhe prandaj edhe janë liruar.
Ata sqaruan se kanë kaluar edhe herë të tjera nga kjo pikë kufitare, por nuk kanë pasur ndonjë problem. Tash thonë se do të kthehen përmes rrugëve të tjera duke shmangur kalimin nëpër Serbi.
Përndryshe, katër qytetarë, shtetas të Kosovës, u liruan sot nga Prokuroria e Kurshumlisë, pasi ishin ndaluar të martën në pikën kufitare në Merdar.
Fillimisht ishte kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ai që ka konfirmuar lirimin këtyre qytetarëve, duke sqaruar se të njëjtit tanimë janë rrugës për në Kosovë.
Ata ishin arrestuar një ditë më parë dhe u ishte shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pati konfirmuar arrestimin e tyre, duke apeluar qytetarët e Republikës së Kosovës që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë dhe të përdorin rrugë alternative për udhëtim nga dhe drejt Kosovës.