Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, kritikoi të mërkurën atë që ai e quajti “financim të pamjaftueshëm kronik” të ndihmave humanitare në mbarë globin, pavarësisht nevojave në rritje për ndihma të tilla.
“Financimi i pamjaftueshëm kronik dhe nivelet rekorde të nevojave humanitare po e çojnë sistemin deri në pikën e thyerjes” i tha Guterres Segmentit të Çështjeve Humanitare të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së.
Ai shtoi se deri më tani, kur ka kaluar gjysma e vitit, janë marrë vetëm rreth 20 për qind e fondeve të nevojshme për ndihma humanitare sipas Apelit Global Humanitar të OKB-së.
“Kjo po shkakton një krizë brenda krizës”, shtoi Guterres. “Pa një zgjidhje për krizën e financimit, shkurtimet e mëtejshme janë të pashmangshme”.
Të hënën, më 19 qershor, donatorët ndërkombëtarë premtuan afro 1.5 miliardë dollarë ndihmë për Sudanin, i cili është goditur nga një krizë e rëndë humanitare që ka bërë që rreth 2.2 milionë njerëz të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.
Muajin e kaluar, dy agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëruan edhe për rritje të krizës ushqimore, përfshirë rrezikun e vdekjes nga uria në Sudan, shkaku i luftës dhe në Haiti, Burkina Faso dhe Mali për shkak të kufizimeve në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.