“Masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës nuk do të kenë efekt për takimet që do të organizojë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal”, kështu është shprehur Majlinda Bregu.
Në një intervistë në emisionin “Pa Censurë”, ajo konfirmoi vullnetin e saj për të trajtuar Kosovën si të barabartë, por nuk mund të sigurojë se kjo do të zbatohet edhe për takimet e bashkëorganizuara me BE.
“Kosova është anëtare e Këshillit (RCC). Në do të ftojmë Kosovën në çdo format dhe aktivitet që organizohet nga RCC. Në rast se jemi bashkë-organizues me BE, siç ndodhi në takimin e para dy ditëve për ‘Europën Dixhitale’, do të këmbëngulim në të drejtën tonë për të pasur të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal prezente në takim.”
Ndërkohë Bregu i shmangu komentet rreth përshkallëzimit të situatës në lidhje me Kosovën, megjithëse pohoi se si shqiptare është e keqardhur për rrjedhën që po marrin ngjarjet.
E pyetur nëse acarimi i marrëdhënieve mund të përshkallëzohet drejt anulimit të liberalizimit të vizave, Bregu tha; “Shpresoj që jo, për shkak te rikthimit të dialogut dhe respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara mes Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE. Këtë e kanë në dorë vendet të cilat duhet të rikthehen në tryezën e Dialogut, Kosova dhe Serbia”, tha Majlinda Bregu në intervistën për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.