Këtë vit, sipas drejtuesve të universitetit, ka një interesim të madh të profesorëve për të qenë pjesë e këtij universiteti.

Edicioni i 22-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, është duke mbajtur aktivitetet që nga data 3 korrik e që do të zgjasin deri me datë 14 korrik.

Në këtë universitet po marrin pjesë mbi 300 studentë, ku 100 prej tyre janë studentë ndërkombëtarë. Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Arta Basha Jakupi, i tha Radio Kosovës së këtë vit, ka një interesim të madh nga profesorë dhe studentë.

“Pjesëmarrës në këtë universitet janë rreth 330 studentë ku në mesin e tyre kemi rreth 100 studentë ndërkombëtarë që po marrin pjesë në 14 kurse, për të cilat studentët marrin kredi dhe certifikatë. Në këto kurse ligjërojnë profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Vlen të theksohet se sivjet ka një interesim të jashtëzakonshëm nga ana e profesorëve”, tha ajo.

E njëra ndër pjesëmarrëset që po ndjek kurset e Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës është Stella Dafjut nga Des Moines, e cila studion në Ajova në Universitetin “Drake”. Ajo i tha Radio Kosovës së është hera e parë që merr pjesë në aktivitete të tilla dhe se ky universitet po ofron shumëllojshmëri aktivitetesh arsimore dhe kulturore.

“Unë quhem Stella Dafjut dhe jam nga Des Moines, në Ajova studioj në Universitetin “Drake”. Është hera e parë që marr pjesë në këtë universitet. E pata këtë mundësi dhe nuk kisha qenë kurrë më parë në Kosovë, apo në ndonjë  vend në Evropë në fakt. Në të vërtetë doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të shkuar për të eksploruar vendin dhe kulturën. Jam marr me aplikimin e sensorit në distancë për hartimin dhe monitorimin e rreziqeve natyrore dhe e pëlqejë këtë fushë. Kjo ngjarje është planifikuar shumë mirë. Ka një shumëllojshmëri aktivitetesh arsimore dhe kulturore dhe vërtet po i shijoj mundësitë për të takuar njerëz të rinj”, tha ajo.

Po ashtu, pjesë e këtij universiteti është edhe Jasper Kopperachmidt  dhe Christian Johnson. Të dy u shprehen të kënaqur më atë që po iu ofrohet gjatë këtij edicioni.

“Unë jam Xhesper nga Gjermania. Natyrisht, nuk është vetëm hera e parë në Universitetin Veror, por është edhe hera ime e parë në Kosovë. E kam parë kursin në internet për menaxhimin e inovacionit dhe do të shkoj në këtë drejtim. Siç e thashë, po ndjek programin e kursit të menaxhimit të inovacionit. Është një mundësi shumë interesante për mua. Është e mrekullueshme, sepse ka studentë shumë të mirë në klasën tonë. Janë shumë të sjellshëm dhe duan t’ju ndihmojnë të gjithëve. Gjithashtu, profesori është shumë profesionist dhe ka shumë njohuri për këtë gjë të veçantë të menaxhimit. Është realisht shumë mirë”, tha ai.

“Unë jam Kristin  Xhonson nga Universiteti i Ajovas Veriore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është hera ime e parë këtu dhe në fakt hera ime e parë në Evropë. Është thjesht një gjë për të dal jashtë zonës sime të rehatisë, për të përjetuar një kulturë ndryshe, për të mësuar më shumë se vetëm  për historinë e Shteteve të Bashkuara. Më pëlqen  Menaxhimi i Inovacionit, dhe gjithçka për Kosovën në përgjithësi. Më pëlqen përvoja për të takuar njerëz të rinj nga kultura dhe vende të ndryshme. Janë gjëra që mund të lidhen me fushën e punës që unë dua të ndjek. Programi është i mahnitshëm. Më pëlqen gjithçka:struktura e organizimi, konviktet e banimit, ushqimi. Nuk mund të ankohem”, tha ai.

Që nga viti 2001, Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave të shumta të shoqërisë kosovare. Ky aktivitet, ka arritur t’i bashkojë të rinjtë nga vende të ndryshme të botës, pa dallim gjuhe, kulture, duke u bërë kështu edhe pikënisje e miqësive të reja dhe të bashkëpunimeve profesionale.