Presidenti amerikan Joe Biden do të inicojë procesin e transferimit të avionëve luftarakë F-16 në Turqi në marrëveshje me Kongresin, tha të martën këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, raporton Reuters.
Duke folur përpara një samiti të liderëve të NATO-s të planifikuar për të filluar të martën më vonë në kryeqytetin lituanez Vilnius, Sullivan tha se presidenti Joe Biden “ka qenë i qartë se ai e mbështet transferimin”. “Ai nuk i vuri asnjë kufizim. Ai synon të vazhdojë me atë transferim”, tha ai. Sullivan nuk ka dhënë detaje për periudhën kohore në të cilën do të realizohet kjo.
Të hënën vonë, presidenti turk Tajip Erdogan ra dakord t’i dërgonte parlamentit turk një votim për ratifikimin e kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO, pas presionit prej muajsh nga SHBA dhe aleatët e saj.
Disa partnerë të NATO-s besojnë se Turqia, e cila kërkoi një blerje prej 20 miliardë dollarësh të avionëve F-16 dhe gati 80 komplete për të modernizuar avionët e saj ekzistues luftarakë në tetor 2021, po përdor kërkesën suedeze për të bërë presion ndaj Uashingtonit në lidhje me avionët.
Sullivan tha gjithashtu se aleatët e NATO-s do të dërgojnë një “sinjal të vetëm pozitiv” në lidhje me rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në aleancë gjatë samitit, i cili është tema kryesore e diskutimit në Vilnius.