Emri i Milan Radoiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe i akuzuar për krime të ndryshme, në kërkim nga institucionet e drejtësisë dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, çoi në përleshje fizike në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ministrave të Qeverisë së Kosovës.
Përleshjes i parapriu një debat i ashpër akuzash rreth një audio-incizimi, në të cilin kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, u dëgjua të pranonte se kishte komunikuar me Milan Radoiçiqin vitin e kaluar.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e akuzoi Qeverinë se është e ‘kapur’ nga Milan Radoiçiqi.
“Çfarë duhet të ndodhë më shumë për të kuptuar se ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës, që ka urdhërarrest nga prokuroria?”, deklaroi Hoxha.
Ndërsa Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se komunikimi i Kusari – Lilës me Radoiçiqin, është bërë me leje të kryeministrit.
“Ajo [bisedën me Radoiçiqin] e ka bërë me lejen e tij, por nëse ia ka dhënë detyrë t’i bëjë numrat, ia ka dhënë detyrë edhe ta bëjë komunikimin”, tha Gashi.
Pak para përleshjes kryeministri Albin Kurti akuzoi qeveritë e kaluara, të cilat, sipas tij, kanë bashkëpunuar me Radoiçiqin.
“Kur kanë qenë qeveritë e kaluara, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Kontributi ynë është se është në hotelin Kopaonik, në anën tjetër të kufirit, në anën e Serbisë”, u shpreh Kurti.
Siç u bë e ditur në audio-incizimet e publikuara nga portali Nacionale, në kohën kur Kusari – Lila bisedoi me Radoiçiqin, ai ka qenë në kërkim nga Policia e Kosovës, i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.
Milan Radoiçiqi është nënkryetar i subjektit më të madh politik të serbeve në Kosovë, Listës Serbe.
Opozita pati reagim të ashpër ndaj Qeverisë pas konfirmimit të Kusari – Lilës se kishte komunikuar me Radoiçiqin për të kërkuar mbështetjen e Listës Serbe për disa iniciativa ligjore.
Vetëvendosje, jo vetëm tani, por edhe para se të vinte në pushtet, e cilësoi Radoiçiqin si një kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës.
Pse është parë Radioçiqi i rëndësishëm për bashkëpunim me serbët?
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se partitë politike në Kosovë e kanë parë Radoiçiqin si person të rëndësishëm, pasi kanë besuar se përmes tij mund të arrijnë të komunikojnë me serbët e pjesës veriore.
“Përgjimet e fundit, ku përfaqësues të pushtetit aktual tregojnë për përpjekje të dëshpëruara të pothuajse të gjitha partive politike në Kosovë që janë munduar të komunikojnë me këtë person, si mënyrë për të arritur deri te komuniteti serb dhe si mënyrë për t’i zgjidhur krizat në veri”, shprehet Haxholli.
Haxholli thotë se edhe qeveritë paraprake e kanë parë Milan Radoiçiqin “si personin e vetëm që e ka pushtetin dhe kontrollon” komunat veriore. Por, komunikimi me të do të duhej të mos ndodhte pasi ai ishte në kërkim nga policia.
“Pasi [Radoiçiq] është shpallur në kërkim nga drejtësia dhe është sanksionuar nga ShBA-ja, partitë nuk do të duhej të lëshoheshin në komunikime me këtë person dhe as në përpjekje për të negociuar apo arritur ndonjë votim ligji apo çështje tjetër”, u shpreh Haxholli.
Sipas Haxhollit, duke qenë se Radoiçiqi është edhe nënkryetar i Listës Serbe, partitë shqiptare kanë komunikuar me të kur kanë pasur nevojë për votat e deputetëve të këtij subjekti politik.
Kur iu hapën Radoiçiqit dyert e Qeverisë?
Duke qenë nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në të kaluarën u prit në zyrën e kryeministrit të Kosovës.
Në kohën sa Ramush Haradinaj ishte kryeministër, ai e priti në zyre Radoiçiqin dhe përfaqësuesit e tjerë të Listës Serbe.
Në komunikatën e lëshuar nga zyra e kryeministrit në vitin 2018 pas takimit, thuhej se në takim ishte diskutuar “situata e përgjithshme në Kosovë, me theks të veçantë sa i përket sigurisë, çështjeve ekonomike dhe sociale”.
Por, ky nuk ishte takimi i vetëm i Haradinajt me Radoiçiqin, pasi ishin publikuar fotografi edhe të një takimi të mëhershëm.
Si u bë Radoiçiqi person i njohur?
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në vitin 2017 përmendi publikisht Radoiçiqin si njeri të fuqishëm në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Derisa ishte duke folur në një intervistë për ‘Slobodno srpski’ [në shqip: Lirisht serbisht], Haradinaj e përshkroi Radoiçiqin si bashkëpunëtor.
“Unë punoj me njerëz të pjesës veriore, për shembull me Milan Radoiçiqin. Ai ka rolin e tij [në veri]”, kishte thënë Haradinaj.
Me emrin e Radoiçiqit ishte çuditur edhe gazetari, që është serb i Kosovës e që po intervistonte Haradinajn, të cilin e kishte pyetur se kush ishte ai.
E Haradinaj ishte përgjigjur “[ai është] dikush nga veriu i cili pyetet për gjithçka dhe unë bisedoj me të”.
Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka treguar edhe se si në një rast, më 2017, atëbotë kryeministri Ramush Haradinaj e kishte ftuar të shkonte në një takim në shtëpinë e Milan Radoiçiqit në pjesën veriore.
Bahtiri kishte thënë se Haradinaj i kishte kërkuar atij në shtëpinë e Radoiçiqit që t’i jepej Listës Serbe udhëheqja e Ministrisë së Bujqësisë. Atëbotë Bahtiri ka qenë pjesë e partisë së drejtuar nga Behxhet Pacolli, Aleanca Kosova e Re, ndërsa në koalicion qeverisës kanë qenë PDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Aleanca Kosova e Re (AKR), dhe Nisma për Kosovën.
Në vitin 2017, Radoiçiqi kishte pasur një takim edhe me Behxhet Pacollin, kryetar i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR). Mediat në Kosovë dhe Serbi kishin publikuar një fotografi ku Pacolli shihej në shoqërim të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq dhe të Radoiçiqit. Takimi kishte ndodhur në një jaht luksoz në Mal të Zi.
Pacolli kishte thënë se nuk e kishte njohur fare Radoiçiqin dhe kishte kuptuar shumë më vonë se kush ishte ai. Por, takimi kishte ndodhur në kohën kur në Kosovë sapo ishin mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe partitë ishin duke kërkuar partner për formimin e Qeverisë.
Për çfarë dyshohet Radoiçiqi?
2018- Rasti Oliver Ivanoviq
Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra në janar të vitit 2018 në Mitrovicë të Veriut dhe për këtë vrasje i dyshuar ishte edhe Milan Radoiçiq.
Pak kohë pas vrasjes së Ivanoviqit, institucionet e Kosovës lëshuan urdhër arresti për Radoiçiqin, por ai nuk u arrestua asnjëherë.
Emri i tij u përmend në aktakuzë si një nga udhëheqësit e grupit kriminal, i cili planifikoi vrasjen e Ivanoviqit.
2021
Në muajin mars të vitit 2021, pa ndonjë shpjegim, Prokuroria Speciale e Kosovës tërhoqi urdhërarrestin për Milan Radoiçiqin për rastin ku ai dyshohej për “planifikim” të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
2021
Më 20 korrik, Radoiçiq u rizgjodh kryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik serb në Kosovë.
2022
Në janar të vitit 2022, Milan Radoiçiq u shpall në kërkim sërish nga institucionet e Kosovës, por këtë herë për dyshimin se ka ndikuar në frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si “Brezovica”.
Me këtë vendim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Departamentit për Krime të Rënda, Radoiçiqi është ende në listën e personave të kërkuar.
Çfarë është rasti “Brezovica” dhe si u përfshi Radoiçiqi?
Më shumë se 100 persona janë hetuar e dhjetëra të tjerë janë akuzuar për ndërtime pa leje, degradim të ambientit dhe marrje të ryshfetit.
I akuzuar për këtë rast është edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.
Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, kishte thënë për Radion Evropa e Lirë në dhjetor të vitit 2022 se Radoiçiqi ka tentuar t’i pengojë hetimet duke “ndikuar te dëshmitarët bashkëpunues, duke i kërcënuar dhe frikësuar ata që të mos bashkëpunojnë me prokurorinë”.
2022
Një muaj më vonë, në shkurt, Radoiçiq arriti t’i ikte Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak derisa po hynte në Kosovë nga Serbia. Disa zyrtarë policorë u suspenduan pasi nuk kishin reaguar në mënyrë adekuate për të pamundësuar arratisjen.
2022
Ndonëse në kërkim, Radoiçiqi u fut në territorin e Kosovës ilegalisht më 5 korrik 2022. Nga veriu i Kosovës përmes një videomesazhi, Radoiçiqi tha se ai ishte kthyer dhe se sipas tij, serbët e dinë se çfarë do të thotë rikthimi i tij.
Sanksionet e ShBA-së dhe Britanisë për Radoiçiqin
Në dhjetor të vitit 2021, Milan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vuloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – u vendosën në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.
Ky grup, sipas Departamentit të Thesarit të ShBA-së, është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas DASh-it, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.
Ndërsa, në shtator të vitit 2022, Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj Zvonko Veselinoviqit, Milan Radoiçiqit dhe Slobodan Teshiqit, si pjesë e masave të saj globale kundër korrupsionit.
Milan Radoiçiq, një biznesmen nga industria e ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe, thuhet se “ka përfituar nga përvetësimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’u dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të tij të ndërtimit”.