Pas rreth 17 orësh me debate dhe tensione, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin për “kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Seanca maratonë i nisi punimet paraditen e së enjtes dhe i mbylli në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Sesioni parlamentar u mbyll duke miratuar edhe disa nisma të tjera që janë kundërshtuar nga opozita dhe grupet e interesit.
Kuvendi miratoi edhe Ligjin për “trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘mjekësi e përgjithshme’ në institucionet publike të arsimit të lartë”.
Ligji i vë studentët para zgjedhjes që të bëjnë 5 vjet punë të detyrueshme në Shqipëri pas studimeve, ose të paguajnë tarifa shumë të larta studimi, nëse nuk e pranojnë këtë kusht.
Miratohet Ligji për kanabisin – tre deputetë të pushtetit abstenojnë
Ligji që lejon kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale u miratua me 69 vota për, 23 kundër dhe 3 abstenime. Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet, Fatmir Xhafa, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe, abstenuan.
Në fjalimin që mbajti në Kuvend, deputeti Fatmir Xhafa tha se shoqëria shqiptare nuk është gati për një nismë të tillë.
“A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Unë mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, tha Xhafa, deputet dhe ish-ministër i Brendshëm.
Ligji u mbrojt nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila tha se do të ngrihet një agjenci për kontrollin e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit, si dhe për dhënien e licensave për eksport.
Sipas Qeverisë shqiptare, me këtë ligj synohet rregullimi dhe mbikëqyrja e kultivimit, përpunimit dhe eksportimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Qeveria thotë se kjo nismë do të rrisë ekonominë e vendit.
Deputetët e opozitës në Kuvend shprehën dyshime pse ligji u miratua me shpejtësi në komisionet parlamentare nga socialistët, ndërsa nuk ka një studim mbi përfitimet ekonomike.
Studentët protestojnë kundër Ligjit që synon të frenojë ikjen e mjekëve
Me 71 vota për, 23 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Ligjin që synon të ndalojë largimin e mjekëve të rinj nga Shqipëria.
Ligji “për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘mjekësi e përgjithshme’ në institucionet publike të arsimit të lartë”, sipas Qeverisë, është masa e duhur për të siguruar shërbime shëndetësore për qytetarët.
Opozita e kundërshtoi dhe kërkoi që studentët të dëgjoheshin në Parlament si palë e interesuar, por kërkesa u hodh poshtë nga partia në pushtet.
Derisa zhvillohej seanca, para ndërtesës së Kuvendit studentët e mjekësisë protestuan për disa orë.
Ata paralajmëruan se do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin që i detyron të punojnë në Shqipëri për një periudhë deri 5-vjeçare pas diplomimit.
Miratohen ndryshimet në Ligjin për Akademinë e Shkencave
Një tjetër nismë e kundërshtuar nga opozita mori votat e socialistëve.
Kuvendi miratoi me 70 vota për, 23 kundër dhe 2 abstenime Ligjin për Akademinë e Shkencave.
Sipas kësaj nisme, kryetarit i lejohet një mandat i dytë, si dhe hiqet kufizimi i moshës 75 vjeç.
Deputetët demokratë e kanë kishin konsideruar projektligjin si një tentativë për të mbajtur akademikun Skënder Gjinushi në krye të Akademisë së Shkencave “përgjithmonë”.
Debate dhe tensione edhe për ish-ministrin Ahmetaj
Seanca e fundit parlamentare u karakterizua me debate dhe tensione edhe për shkak se deputetët e opozitës kërkuan të merrej parasysh kërkesa e saj për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen “Ahmetaj”.
Kjo kërkesë shkaktoi debate që zgjatën tri orë.
Deputetë të opozitës vendosën në foltoren e Kuvendit dy pankarta, në njërën prej tyre shkruhej “Mafia e Plehrave”, referuar hetimeve që po kryhen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për djegësit masivë të mbeturinave, që në Shqipëri njihen si inceneratorë.
Ndërsa, një tjetër pankartë ironizonte nismën e Qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Opozita pretendon se të përfshirë në çështjen e inceneratorëve janë disa zyrtarë të tjerë të lartë të Qeverisë dhe të pushtetit vendor.
Pas më shumë se 3 orësh debat dhe ndërprerjes për disa minuta të seancës, Kuvendi rrëzoi kërkesat e opozitës për të futur në rendin e ditës mocionin me debat dhe interepelancën me kryeministrin Edi Rama për aferën e inceneratorëve, pas kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt.
Në Konferencën e kryetarëve, partia e pushtetit argumentoi se kërkesa e opozitës nuk është urgjente. Vetë kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në seancë.
Gjatë mbajtjes së seancës disa herë hyrë brenda garda, në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimi të situatës.