I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Mioslav Lajçak për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka shkruar për takimet që ka zhvilluar me Kurtin, Vuçiqin, Bislimin dhe Petkoviçin.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Lajçak paraqet detajet e takimeve duke theksuar se ai është angazhuar në një bisde të gjatë dhe konstruktive për situatën në veri të Kosovës.
“Ne u angazhuam në një bisedë të gjatë dhe konstruktive për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe rrugën drejt de-përshkallëzimit, në përputhje me deklaratën e BE27 nga 3 qershori dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Dialogut” , ka shkruar Lajçak.
Ai tregon më tek se kur është kthyer në Bruksel është takuar edhe me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi dhe me kryenegociatorin e Serbisë Petar Petkoviçin.
“I kushtuam orë të gjata diskutimeve mbi një listë gjithëpërfshirëse të çështjeve të Dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe de-përshkallëzimin e nevojshëm në veri. Ne ramë dakord që të vazhdojmë këto diskutime dhe punën tonë për disa dokumente në periudhën e ardhshme”, ka theksuar Lajçak.
Ndërkohë ai ka sqaruar se është takuar dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Ne ramë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka përfunduar Lajçak.