Në një intervistë të realizuar së voni me gazetarin e Shërbimit gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë, Vazha Tavberidze, historiani i kulturës, njëherësh shef i departamentit të Gjuhës Ruse në Universitetin e Oksfordit, Andrei Zorin, diskuton rreth asaj nëse presidenti rus, Vladimir Putin, plotëson kriteret e një cari të kohës moderne, rreth historisë së gjatë të Rusisë me sundimtarë autoritarë, dhe rreth asaj se si pushtimi i Ukrainës nga Putini mund të jetë nxitur nga qëllimi i gabuar mitik i udhëheqësit rus për të “bashkuar” popujt sllavë të Ukrainës dhe të Rusisë.
Për Ukrainën, beteja kundër Rusisë është “luftë tipike për çlirim kombëtar”, thotë Zorin.
Radio Evropa e Lirë: Le të fillojmë me fenomenin e carit dhe me dëshirën e madhe të rusëve për të pasur një të tillë. Sa nga kjo është mit dhe sa është njohuri historike konvencionale?
Andrei Zorin: Fenomeni dhe roli i carit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në historinë ruse. Ai është i rrënjosur thellë në mitologjinë kulturore të Rusisë. Të paktën për 500 vjet, ndoshta edhe më shumë. Por, një gjë që duhet të kuptohet është se fjala “car” sjell natyrshëm krahasime me idenë e monarkisë konvencionale. Pjesa kryesore e monarkisë konvencionale është trashëgimia e brendshme. Mbreti ka vdekur, rroftë mbreti. Dhe, kjo nuk ka ekzistuar kurrë në Rusi.
Ekzistojnë dy terma kryesorë që zbatohen për sistemin politik rus. Disa njerëz thonë se ai është personal ose monarkik. Dhe, unë them, “po, është thellësisht personal, por kurrë nuk ka qenë monarkik”. … Ka ndodhur vetëm një herë në historinë ruse, pas carit [të shekullit XIX] Nikolla I, kur Rusia kishte tre pasardhës të rëndomtë, dhe kjo përfundoi me Revolucionin e Tetorit [të vitit 1917]. Por, gjysma e dytë e shekullit XIX ishte e vetmja periudhë kur në Rusi filloi të ekzistonte diçka si monarkia.
Dhe, pastaj ajo u shemb. Dhe, gjëja më e rëndësishme këtu — dua t’i jap meritën për këtë Vladimir Sharovit të ndjerë, që vdiq së voni, i cili mendoj se ishte shkrimtari dhe mendimtari më i rëndësishëm rus i periudhës post-sovjetike – është se, siç ka thënë Sharov, në Rusi askush nuk e bën pyetjen nëse cari është legjitim. Por, të gjithë shtrojnë pyetjen nëse cari është i vërtetë.
Ne kemi carë të vërtetë, si dhe pretendues. Dhe, cari gjithmonë duhet të dëshmojë se ai është i vërtetë. Është diçka që vërtetohet gjatë sundimit. Dhe, përgjatë sundimit, njeriu e dëshmon dhe e legjitimon veten. Ai nuk e merr legjitimitetin nga fakti se është djali i dikujt, si në një monarki të zakonshme.
Bashkimi Sovjetik u përpoq të prezantonte sistemin e trashëgimisë përmes aparatit të Partisë Komuniste. Por, kjo kurrë nuk funksionoi mirë. Në çdo tranzicion kishim një lloj grushtshteti, ose gjysmë grushtshteti. Prandaj, as linja e pasardhësve partiakë nuk funksionoi.
Radio Evropa e Lirë: Në një nga ligjëratat tuaja, ju e quani atë “mit bazik të njerëzve racionalë, mit bazik që ekziston qe 500 vjet”. A është përzier disi kjo me realitetin?
Andrei Zorin: Po. Pjesa e rëndësishme e mitologjisë bazike është se ajo përzihet me realitetin, sepse përcakton pritshmërinë e njerëzve. Kjo mitologji është gjysmë e ndërgjegjshme. Nuk është ideologji, diçka që ju artikuloni, zgjidhni dhe thoni: “Unë besoj në këtë ideologji dhe jo në atë.” Miti qëndron diku më thellë. Ju e trashëgoni [atë], por jo gjenetikisht.
E rëndësishme është që unë nuk përdor kurrë fjalë si “mentalitet” apo “kod kulturor”, sepse kjo nënkupton një lloj trashëgimie gjenetike. Ato janë të trashëguara kulturalisht, përmes fesë, përmes artit, përmes propagandës, përmes edukimit shkollor, shumë i rëndësishëm është sistemi i festave kombëtare, festimeve, ritualeve e gjëra të tjera. Ju e ngulitni në mendje këtë mitologji. Dhe, normalisht, ju nuk mendoni për këtë. Por, në të njëjtën kohë… kjo nuk është diçka që nuk e kuptoni; ju thjesht ndiheni kështu.
Radio Evropa e Lirë: Nëse kjo është e vërtetë, a munden, pra, rusët e zakonshëm, a janë ata të aftë ose të gatshëm ta shohin të ardhmen pa një car? Dhe, çfarë do të thotë kjo për kapacitetin e Rusisë për të ndryshuar?
Andrei Zorin: Ka shumë biseda tani dhe shumë intelektualë janë tejet nervozë, dhe ajo që ata thonë është: “Ne nuk kemi nevojë për një car tjetër. Ne duhet të ndryshojmë plotësisht sistemin”. Dhe, një nga arsyet pse thashë se mitet nuk trashëgohen gjenetikisht, është se ato ndryshojnë. Ato shfaqen, zhvillohen, shuhen — kjo ndodh.
Më kanë pyetur: “Çfarë nevojitet që një mit të zhduket?”.
Ju duhet një nga dy [gjërat]: Një, nevojiten ndryshime shoqërore afatgjate. Dhe, një gjë që po ndodhte, veçanërisht pas rënie s së Bashkimit Sovjetik, ishte ky zhvillim i shpejtë i njerëzve të klasës së mesme urbane, të rinj, me orientim perëndimor. Dhe, pas dy-tre brezash, ndoshta mitologjia mund të kishte ndryshuar plotësisht. Kjo ndodhi në shumë vende; Rusia nuk është e veçantë këtu. Por, këtu, nevojiten dekada ndryshimesh shoqërore. Sepse, për shembull, mitologjia cariste është e rrënjosur thellë në mentalitetin e një fshatari. Por, nëse kaloni nga fshati në qytet, nuk e ndryshoni menjëherë [mentalitetin]. Për këtë, duhen breza.
Një mundësi tjetër është një tronditje kulturore, e cila është e rrënjosur thellë. Bombardimi bërthamor i Japonisë (në fund të Luftës së Dytë Botërore) ndryshoi plotësisht mitologjinë e saj kombëtare. Një bombë bërthamore ndryshon plotësisht gjithçka menjëherë. Nuk duhen breza. Është tronditje aq e madhe, saqë gjithçka bëhet, nëse jo krejtësisht ndryshe, shumë më ndryshe.
Radio Evropa e Lirë: Një shembull tjetër, mbase, mund të jetë edhe Gjermania?
Andrei Zorin: Edhe Gjermania mund të jetë një shembull tjetër. Po, pa dyshim. I gjithë vizioni i mashkullit të fuqishëm, të fortë, teutonik, i cili theksonte kulturën gjermane për shumë shekuj, papritmas humbi elementin tërheqës. Po, ka disa që janë ende entuziastë për të. Por, ky stil i të menduarit është jokonvencional.
Radio Evropa e Lirë: Cilat nga këto mundësi kanë më shumë gjasa që të ndodhin?
Andrei Zorin: Unë nuk do të dëshiroja, larg qoftë, bombardimin bërthamor, apo copëtimin e Rusisë. Po diskutohet shumë për të. Unë mendoj se do të ishte fatkeqësia më e madhe — copëtimi dhe pushtimi [i Rusisë]. Pra, shpresa ime — mitologjia që nuk e mendoja si produktive — ishte në zhvillimin gradual.
Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi dhe vetëm Zoti e di se çfarë do të ndodhë. Nuk janë dëshirat e mia ato që do të përcaktojnë se çfarë do të ndodhë. Ne nuk e dimë. E ardhmja është e paqartë. Por, unë, në fakt, parashikoj se Rusia nuk do të heqë qafe mitologjinë cariste brenda një periudhe afatshkurtre.
Radio Evropa e Lirë: Të flasim për personin që, të paktën në këtë shekull, lidhet më shpesh me fjalën car. A është bërë Vladimir Putin car në çdo aspekt, por pa titullin? Një monark absolutist?
Andrei Zorin: Po, pa dyshim se po. Dhe, unë do të thosha se, në 20 vjetët e parë të sundimit të tij, ai është dëshmuar se është car i vërtetë. Këtë nuk e them si kompliment. Unë kurrë nuk kam qenë admirues i tij, nuk kam votuar kurrë për të, e kështu me radhë… Por, po, ai arriti të dëshmojë se është car i vërtetë, duke fituar Luftën e Dytë Çeçene, pasi humbën të parën. Dhe, kjo është një shenjë e carit të vërtetë, i cili kthen disfatat fillestare në fitore, duke e ndalur dukshëm sundimin e bojarëve [pjesëtarëve të fuqishëm të fisnikërisë feudale].
Të pasurit nuk u zhdukën, por u bënë shumë të rëndësishëm – megjithatë, ata absolutisht nuk kanë zë. Disa oligarkë, në fakt, thanë se: “Nëse cari Putin e kërkon [një gjë], ne do të japim gjithçka që kemi”.
Dhe, [car u dëshmua] nga shumë gjëra të tjera, më të vogla për nga rëndësia. Një prej tyre, për shembull, ishte kjo gjë, që e kam quajtur kontrolli i karizmës. Duhet të tregoni se fuqia juaj nuk varet nga pozicioni që keni. Ivani i Tmerrshëm shpalli tatarin e vogël, Simeon Bekbulatovich, sundimtar të Rusisë [mes shtatorit të vitit 1575 dhe shtatorit të vitit 1576].
Të gjithë e dinë se kush është në të vërtetë në pushtet, por formalisht ju thoni: “Ja ky është ai”. Stalini nuk nënshkroi kurrë asnjë dokument si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste.
Radio Evropa e Lirë: Pse morët shembull Ivanin e Tmerrshëm, e jo Dmitry Medvedevin, ish-presidentin rus, tani zëvendëssekretar i Këshillit të Sigurimit të fuqishëm të vendit?
Andrei Zorin: Pikërisht. Ju tregoni se nuk është presidenca juaj, që ju bën njeriun më të fuqishëm në rast se dikush dyshon. Por, fuqia juaj qëndron brenda trupit tuaj, përtej institucioneve.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mendoni për teorinë e famshme se një nga arsyet kryesore që Putin nisi këtë luftë kundër Ukrainës ishte një teori thellësisht egoiste, se ai donte të shihej përkrah carëve të mëdhenj rusë në librat e historisë?
Andrei Zorin: Kjo nuk është e pamundur. Sigurisht, nuk mund ta imagjinoj se çfarë po mendon [Putin]. Kjo çështje është debatuar shumë herë. Shumë njerëz pohojnë: “Epo, [diçka] nuk do të ndodhë, sepse kjo është e paarsyeshme dhe nuk është në interesin më të mirë të Rusisë”. Dhe, meqenëse jam në Gjeorgji, ndoshta mund të zbuloj se kam folur me Kakha Bendukidzen [ish-biznesmen dhe ministër i Ekonomisë i Gjeorgjisë]. Ai ishte, për mendimin tim, personi më i zgjuar që kam takuar ndonjëherë. Dhe, ai pohoi – para vitit 2014 – se Rusia nuk do ta pushtonte kurrë Krimenë, pasi një gjë e tillë do të bënte që Rusia të humbiste të gjithë ndikimin mbi Ukrainën. Dhe, kjo nuk është në interesin e Rusisë. Dhe, [pastaj] kjo ndodhi menjëherë.
Dhe, gabimi i madh këtu ishte – ai, sigurisht, kishte të drejtë – se ai besoi se sundimtarët veprojnë në interes të vendit për të qenë i prosperuar, me ndikim, e kështu me radhë. Ju mund të thoni se [pushtimi] ishte në kundërshtim me [interesat e Rusisë]. Por, në vizionin e elitës ruse, ndoshta edhe të vetë Putinit, ndoshta të njerëzve rreth tij, nuk mund të spekuloj… Por, kjo ishte një ndjenjë që Rusia duhet të jetë e madhe, duhet të bëhet ekspansioniste, perandorake. Sundimtarët e mëdhenj aneksuan toka dhe territore të rëndësishme, në jug, si Katerina e Madhe; në veriperëndimi, si Pjetri i Madh; në lindje, si Ivani i Tmerrshëm.
Por, për sa i përket luftës aktuale, mendoj se kishte një arsye tjetër, jo më pak të rrënjosur dhe mitologjike: vizioni i “një populli”… Nga pikëpamja e ukrainasve, kjo është një luftë tipike tradicionale kombëtare për çlirim. Kombi lufton për pavarësinë e tij kundër ish-perandorisë. Megjithatë, nga pikëpamja ruse, nuk është [një] luftë perandorake, siç ishte, për shembull, lufta në Çeçeni, sepse askush nuk besonte kurrë se çeçenët ishin pjesë e popullit rus. Ishte një luftë e pastër perandorake e kontrollit.
Por, kjo luftë, të paktën në fillim — kjo situatë po fillon të ndryshojë — ndjenja ishte se do të rivendosej uniteti i dikurshëm i kombit; se rusët [dhe] ukrainasit janë një popull, në thelb, dhe se ai është vetëm i copëtuar. Dhe, Rusia nuk mund të jetë e madhe pa rifituar, si komb, trupin e saj. Është ndjesia se trupi i kombit rus është copëtuar; që Perëndimi e ka copëtuar me forcë një pjesë të saj, dhe tani po luftohet për ribashkimin e trupit kombëtar.
Kjo ishte loja e luajtur me polakët 200 vjet më parë, por, thënë më së buti, pa sukses. Por, besimi fillestar ishte: Po i rikthejmë polakët. Ata, natyrisht, joshen nga priftërinjtë katolikë të Vatikanit. Ne po i [kthejmë] në unitetin sllav.
Pastaj, sigurisht, fillon urrejtja, sepse ata janë tradhtarë. Dhe, këtu problemi është i madh, sepse armiku është dikush me të cilin mund të bësh paqe. Luftoni dhe pastaj bëni paqe, sepse të luftojë armiku me ju është legjitime.
Radio Evropa e Lirë: Pra, po luftohet me veten.
Andrei Zorin: Po. Këtu, populli është tradhtar. Ata nuk janë armiq. Ata janë tradhtarë. Si mund të bëni paqe me një tradhtar?
Dhe, kështu, ne kemi atë që unë e quaj një jetë të tipit [operës] Carmen, ku ajo këndon: “Të dua, por ti nuk më do. Pra, ruaju prej dashurisë sime”.
Pra, nëse të dua, duhet të jesh i imi, përndryshe do të të vras. Dhe, nga pikëpamja ruse, ishte kjo lloj dashurie e çuditshme, vrastare. Po, ne duhet të jemi një komb. Ata nuk e duan atë. Pra, ata janë tradhtarë, ndoshta do t’i vrasim. Dhe, përfundimisht, ata do të kuptojnë se ne jemi i njëjti komb.
Mendoj – mund të jem gabim – se pas një viti lufte, kjo po zbehet. Kjo ndjenjë e luftës për bashkimin e kombit rus po shndërrohet gradualisht në një luftë klasike territoriale për atë se kujt i përket kjo apo ajo pjesë e tokës.
Radio Evropa e Lirë: Duke pranuar se ukrainasit janë ndryshe. Ashtu siç bënë me polakët.
Andrei Zorin: Po, pikërisht. Këtë e bënë me polakët. Dhe, më pas debaton se ku duhet të jetë në të vërtetë kufiri.
Radio Evropa e Lirë: Një tjetër mit, apo model historik, për të cilin ju gjithashtu shkruani, është — më lejoni t’ju citoj: “Tradicionalisht, në çdo luftë të madhe, Rusia fillimisht është përballur me pengesa të rënda. Këto përfundimisht kthehen në fitore triumfuese, megjithëse me sakrifica të jashtëzakonshme”. Le t’i diskutojmë të dy skenarët në luftën kundër Ukrainës: njërin ku kjo del e gabuar, dhe tjetrin ku del e saktë, dhe ku Rusia del triumfuese, pavarësisht kostove. Si duken ato mundësi?
Andrei Zorin: Ka vende që themelin e ndërgjegjes së tyre kombëtare e [bazojnë] në fitore të mëdha. Ka disa vende, më të pakta, që [bazojnë] këtë themel në disfata të mëdha, si serbët, për shembull. Por, modeli bazë rus është lufta, e cila filloi me disfata, por më pas u kthye në fitore. Kemi luftën suedeze të fillimit të shekullit XVIII, e cila filloi me një disfatë katastrofike në Narva [në vitin 1700]… Pastaj, luftën me polakët. Në fillim të shekullit XVII, polakët ishin në Moskë. Dhe, më pas Rusia copëtoi Poloninë, së bashku me Prusinë dhe Austrinë. Napoleonin, i cili pushtoi Moskën. Dhe, pjesa e fundit — dhe më e rëndësishmja e mitologjisë politike bashkëkohore ruse — është lufta e viteve 1941-45. Hitleri, ashtu si polakët dhe francezët, nuk e pushtoi Moskën, por iu afrua shumë, dhe në fund u mund, kurse ushtria [sovjetike] përfundoi në Berlin…
Megjithatë, luftërat e tjera ndjekin një model krejtësisht të ndryshëm. Luftërat që i mësuan vendit se kishte nevojë për të rindërtuar rrënjësisht vetveten, si Lufta e Krimesë në shekullin XIX, Lufta Ruso-Japoneze e viteve 1904-05, dhe [shembulli] më e fundit, Lufta [Sovjeto-] Afgane, e cila fillon këtë revolucion, reformë apo çfarëdo tjetër. Për shkak se tregimi kryesor nuk di si t’i trajtojë ato, këto luftëra shpërfillen.
Radio Evropa e Lirë: Tani, të flasim për rebelimin e fundit, të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, ish-kreu i grupit mercenar Wagner. Kanë kaluar javë, dhe ne ende nuk e dimë se për çfarë u krye ai. Ajo që ne dimë është se ndoshta ishte kërcënimi më i madh dhe sfida më e fortë ndaj sundimit të Putinit, që kur ai mori pushtetin. Cili është mendimi juaj për gjithë këtë?
Andrei Zorin: Para së gjithash, unë nuk kam asnjë informatë të brendshme. Pra, është shumë e vështirë për mua të spekuloj. Historikisht, nuk është e panjohur, dhe është, në fakt, një pjesë mjaft tradicionale e një rebelimi, që nuk pretendon të jetë një rebelim kundër carit. Është ajo që thonë në rusisht — “boyarina s kriltsa”. [Fraza përdoret për të përshkruar një politikan ose zyrtar që meriton dënimin ose shkarkimin, dhe bazohet historikisht në bojarët që u hidhen nga hyrja e një shtëpie ushtarëve të armatosur me shtiza]. Kërkohet që disa nga bojarët, të cilët priren të jenë përgjegjës për disfatat dhe problemet, të linçohen menjëherë para [të gjithëve].
Dhe, ka shumë prej këtyre rebelimeve. Në fakt, sundimi i [carit të shekullit XVII] Pjetrit të Madh filloi me rebelimin e Streltsit, ku mësuesi i Pjetrit, Artamon Matveyev, iu dorëzua turmës për t’u linçuar.
Dhe, sundimi i Pjetrit, mizoria e tij, pa dyshim bazohet një përvojën e tij si djalë, kur pa mësuesin e tij duke u linçuar. Pas kësaj, ai belbëzoi gjatë gjithë jetës së tij.
Por, ky është një lloj rebelimi kundër shpërndarjes së pushtetit. Ndoshta, ishte më pak një tentativë për grushtshteti, por mendoj më shumë si rinegociimet e kondotjerëve [mercenarëve mesjetarë italianë] të kushteve [të pushtetit]. Ishte ideja që cari është legjitim, i vërtetë, por njerëzit rreth tij janë tradhtarë. Një rinegociim jo vetëm i kushteve tregtare, por i sistemit të pushtetit brenda vendit.
Si rezultat, kjo ka një traditë të gjatë historikisht. Është unike, sipas mendimit tim, pasi këto lloj dukurish gjithmonë i përkasin periudhës së të ashtuquajturës Smuta, e njohur edhe si Koha e Telasheve [një kohë e trazirave politike dhe trazirave sociale në Rusi, që filloi në vitin 1598]. Megjithatë, problemet nuk e paraqesin plotësisht kuptimin e Smutës, që ka të bëjë më shumë me errësirën. Situata është jo transparente; nuk mund të shihni. Dhe, çështja kryesore është: Kush është në krye? Prandaj, një rebelim i tillë është tipik i kësaj kohe, kur është e paqartë saktësisht se kush është në krye dhe si do të ndahet autoriteti.
Radio Evropa e Lirë: Pra, a e dëshmon kjo praninë e një cari “të vërtetë”, siç e përmendët në fillim?
Andrei Zorin: Po. Nga aspekti mitologjik, ajo i paraprin paraqitjes së një cari të vërtetë. Dhe një nga shenjat se ai është i vërtetë, është aftësia [e carit] për të ndalur Smutën. Dhe, me të vërtetë nuk më vjen ndërmend ndonjë shembull, kur ky lloj rebelimi ka ndodhur pas 20 vjetësh ose më shumë të sundimit të suksesshëm — në këtë kuptim mitologjik — të një cari që ka dëshmuar tashmë se është i vërtetë. Dhe kështu, unë mendoj se është unike, në një farë mënyre. A tregon për fundin e pushtimit apo jo? Nuk do të parashikoj, por është një shkëputje thelbësore nga modeli. Sidomos pasi nuk besoj se Putin – për një nga herët e para në gjithë karrierën e tij – e tregoi veten si car i vërtetë. Ai doli para kombit dhe tha: “Ja ku janë tradhtarët”. Në rregull. Tradhtarët ndodhin. Pastaj pritni kokën.
Radio Evropa e Lirë: A ishte ky një moment “zhveshjeje i carit”?
Andrei Zorin: Ka mundësi, [por] ndoshta jo ende. Unë do të isha shumë i kujdesshëm për të parashikuar… Mendoj se inercia e njohjes së tij si car i vërtetë është ende shumë e fortë.
Radio Evropa e Lirë: Nëse gjethja e fikut ka rënë për një sekondë, populli rus e mori atë me bujari dhe ia ofroi Putinit, dhe i tha: “Mbulohu”.
Andrei Zorin: Po. Është e vështirë kur për 20 vjet je mësuar me idenë se ke një car. Brenda natës, të thuash, [tani] nuk është më, është e vështirë të ndryshosh atë model. Por, është e qartë se kjo është një shenjë. Dhe, këtë herë ne mund të përdorim shprehjen angleze, një shenjë e telasheve të thella.
Kjo intervistë është redaktuar për qartësi dhe gjatësi.