Derisa autoritetet kirgize kanë qenë duke e përgatitur popullatën për mundësinë e problemeve me rrymë këtë dimër, një kompani gjigante për mihjen e kriptovalutave ka qenë duke shpenzuar çdo ditë më shumë energji sesa të gjitha fabrikat, minierat dhe tregjet që punësojnë mijëra banorë të këtij shteti.
Por, ndoshta vetëm edhe këtë javë.
Më 26 korrik, si përgjigje direkte ndaj një hulumtimi të Shërbimit Kirgiz të Radios Evropa e Lirë (REL), presidenti i shtetit, Sadyr Japarov, ka tentuar ta arsyetojë punën e kompanisë për mihje të kriptovalutave në provincën Çui, afër kryeqytetit, Bishkekut.
Japarov ka thënë se kompania ka qenë duke e paguar rrymën me normën më të lartë të mundshme dhe ka pretenduar se Kirgizia ka tepricë të energjisë gjatë verës.
Operacionet e mihjes së kriptovalutave “mund të ndalen në muajt e dimrit” nëse përballemi me mungesë, ka shtuar ai, duke pretenduar se puna e kompanisë së kriptovalutave i ka shtuar në arkën e shtetin 2.5 milionë dollarë si taksa dhe 5.5 milionë dollarë si pagesa të rrymës.
Mirëpo, më 31 korrik, ministri i Energjisë, Taalaibek Ibraev, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kompania mbrapa mihjes së kriptovalutave e ka “përfunduar bashkëpunimin” me centralin elektrik shtetëror dhe e ka fajësuar hulumtimin e Radios Evropa e Lirë, pse kompania ka vendosur ta blejë rrymën prej Kazakistanit fqinj.
“Nuk ka pasur vjedhje të shtetit. Mirëpo, pas këtij hulumtimi, kompania i ka dhënë fund bashkëpunimit me shtetin, prej 1 gushtit. Prandaj, tani ne do të humbasim para. Kompania do të blejë rrymë nga kompania kazake dhe do t’i fitojmë vetëm paratë e transferit. Në vend të 5.5 milionë dollarëve, ne do t’i fitojmë vetëm 195.000 dollarë”, ka thënë Ibraev.
Mirëpo, a është kjo marrëveshje aq e mirë për shtetin sa janë duke e prezantuar zyrtarët?
‘A duhet të organizojmë protestë?’
Irritimi i shpejtë i Ibraevit për humbje të fitimeve është në kundërshtim të madh me komentet e tij të javës së kaluar, kur ka qenë duke tentuar ta përhapë sa më shumë fushatën për kursim të energjisë.
Më 20 korrik, gjatë një takimi të kabinetit, Ibraev ka bërë thirrje për miratimin e një dekreti presidencial që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në sektorin e energjisë për periudhë trevjeçare.
Kjo pasi, autoritetet janë detyruar të blejnë 3.5 miliardë kilovatë të energjisë nga Rusia dhe Turkmenistani në vjeshtën dhe dimrin e kaluar.
Dhe, Japarov e ka nënshkruar dekretin për shpallje të emergjencës.
Shkalla e problemit nuk do fjalë.
Hidrocentrali Toktogul i Kirgizisë prodhon 1.200 megavatë rrymë në orë, çka nënkupton përmbushjen e nevojave të një të tretës së popullsisë.
Mirëpo, rezervuari mbi të cilin prodhohet rryma, aktualisht është në nivelin më të ulët në tre vjetët e fundit.
Pavarësisht se Qeveria e ka mbuluar mungesën me importe, shumë pjesë të Kirgizisë kanë vuajtur nga problemet me rrymë dimrin e shkuar.
Një prej tyre ka qenë Kemini, ku banorët që kanë jetuar afër kompanisë për mihje të kripovalutave, nuk kanë qenë pothuajse aspak të vetëdijshëm sa shumë rrymë ka shpenzuar vetëm ajo.
“Në vjeshtë është zgjatur lidhja e transmisionit dhe janë instaluar shumë transformatorë. Kam dëgjuar se rryma që e shpenzon për një ditë kompania e kriptovalutave, është mjaftueshëm për Keminin për tri ditë”, ka thënë Zholdoshbek Dalbaev, banor i zonës, në një intervistë për Shërbimin Kirgiz të Radios Evropa e Lirë.
“Fillimisht, ata na i kanë ndalur dritat. I kam pyetur, pse po na i ndalin neve dritat për shkak të asaj gjëje? A mos na duhet të organizojmë protestë? Prej atëherë, më nuk na i kanë ndalur dritat”.
Banorët lokalë kanë thënë se kompania për mihje të kriptovalutave është ndërtuar në territorin e një ish-kampi veror të shtetit për fëmijë, dhe tani është shumë e mbrojtur.
Rreth saj ka tela gjemborë, territori është rreth dy hektarë dhe puna është e ndarë në tri seksione, kanë treguar pamjet me dronë të siguruara nga REL-i.
Një zyrtar policor që e ruan ndërtesën, e ka përshkruar atë si “objekt strategjik”, kur një gazetar i REL-it, ka tentuar të hyjë në ndërtesë, por nuk ka pasur sukses.
Apetit për pushtet
Barra që e ka vënë kjo kompani në sistemin shtetëror të energjisë, nuk është vetëm anekdotë.
Ajo është mbështetur edhe nga Ministria e Energjisë, bazuar në të dhënat për konsumatorët e mëdhenj, që kanë qenë të qasshme deri vonë.
Të dhënat për prill, të publikuara në faqen esep.energo.kg tregojnë se kompania Solarcoin ka qenë në krye të kompanive që kanë shpenzuar rrymë – 17 milionë kilovatë – duke e tejkaluar edhe prodhuesen më të madhe të çimentos në Kirgizi – 13.5 milionë kilovatë.
Pas publikimit të Radios Evropa e Lirë, lista nuk është më e qasshme në faqe.
Mirëpo, supozimi se kompania në Kemin e ka përdorur rrjetin shtetëror të energjisë, është konfirmuar nga zyrtari Gulzhigit Murzakarimov.
Murzakarimov ka thënë, po ashtu, se vendimi i miratuar më 2019, që ua parandalonte kompanive për mihje të kriptovalutave marrjen e energjisë nga rrjeti shtetëror, nuk është më në fuqi.
Ai ka thënë se tani kompani, si Solarcoin, mund të kenë qasje në rrjet “nëse ekzistojnë kapacitete”, duke mos komentuar pse atëherë ka pasur probleme me rrymë në Kemin.
Mihja e kriptovalutave bëhet përmes disa kompjuterëve që punojnë vazhdimisht për të zgjidhur probleme të komplikuara matematikore, ashtu që ta fitojnë në këmbim një kriptovalutë.
Sistemet e ftohjes punojnë, po ashtu, vazhdimisht, që të parandalojnë djegien e kompjuterëve.
Ky proces është jashtëzakonisht i kushtueshëm.
Por jo edhe në Azinë Qendrore, fakt që e ka bërë rajonin shumë tërheqës për mihësit e kriptovalutave, disa prej të cilëve kanë ikur prej Kinës, pasi kjo praktikë është shtypur atje.
Në Kirgizi, tarifa më e madhe e rrymës, që paguhet nga kompanitë për mihje të kriptovalutave dhe kompani tjera të mëdha, është 0.06 dollarë për kilovat në orë.
Kjo shifër është rreth pesë herë më madhe sesa ajo të cilën e paguajnë ekonomitë familjare në këtë shtet, mirëpo është e krahasueshme me tarifat që paguajnë ekonomitë familjare në shtetet me sasi të mëdha të energjisë si Venezuela, Rusia dhe Arabia Saudite.
Prej kur Solarcoin e ka nisur punën në dhjetor, çmimi i kriptovalutës më të popullarizuar, Bitocoin është dyfishuar dhe aktualisht një monedhë e tillë kushton 30.000 dollarë.
Mbretërit e kriptovalutave
Sipas të dhënave të publikuara nga burime të industrisë, shteti fqinj i Kirgizisë, Kazakistani, tani është bërë vendi i dytë më i madh në botë sa i përket mihjes së kriptovalutave, pas Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët kazakë të energjisë e kanë përmendur me raste ndikimin që e ka pasur ky sektor në furnizimin e popullatës me energji, sidomos në pjesën jugore të shtetit.
Zyrtarë për zbatim të ligjit në Kazakistan, madje, edhe janë zotuar për mbyllje të operacioneve ilegale, prej të cilave kanë përfituar figura të njohura, sikurse rasti i Bolat Nazerbaev, vëllait të ish-presidentit kazak, Nursultan Nazarbaev.
Shërbimet kirgize të sigurisë kanë kryer edhe shumë bastisje në zonat për mihje të kriptovalutave.
Megjithatë, hulumtimi i Radios Evropa e Lirë sugjeron se konflikt interesi mund të ketë në rastin e Solarcoinit.
Korrespodentët e kanë zbuluar se një grua me emrin Tatyana Martinova, është renditur si njëra prej bashkëthemeluesve të Solarcoinit.
Martinova ka punuar në të kaluarën si drejtore e kompanisë tjetër Ai Element, e cila është themeluar nga ish-ligjvënësi Farkhat Iminov.
Të dhënat nga portali qeveritar tregojnë se dikush me këtë mbiemër dhe me iniciale të Iminovit ka paguar 300 dollarë si taksë për tokë dhe pak më shumë se 50 dollarë si taksë tjetër në emër të Solarcoinit në Kemin, në muajin janar.
Ky është zhvillim i rëndësishëm sepse Iminov është zgjedhur në nëntor të vitit të kaluar në bordin e drejtorëve të Termocentraleve JSC – kompanisë shtetërore që i mbikëqyr të gjitha termocentralet e Kirgizisë – sapo punimet për nisje të punës së Solarcoinit kanë qenë drejt fundit.
Martinova përmendet edhe si themeluese e kompanisë tjetër, Metrum KG, status që ajo e ndan me Zhyrgalbek Turuskulov, tjetër ligjvënës të kthyer në zyrtar për energji.
Turuskulov i ka thënë Radios Evropa e Lirë në telefon se e ka parë Martinovan vetëm një herë në jetë dhe nuk di shumë për të.
As Martinova dhe as Iminov nuk kanë qenë të qasshëm për koment, derisa Aisana Ismailova, e përmendur si drejtoreshë e Solarcoinit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë përmes telefonit se do të deklarohet, mirëpo diçka e tillë nuk ka ndodhur.
Për shkak të varësisë së Kirgizisë në hidrocentrale, vjetët e thatë sikurse 2023 mund të krijojnë telashe për rrjetin elektrik.
Më herët gjatë këtij viti, zëvendëskryetari i kabinetit të ministrave Bakyt Torobaev, ka vlerësuar se Kirgizia do të përfshihet nga një sezon i nxehtë dhe do të ketë 1 miliard kubikë më pak ujë sesa vitin e kaluar.
Historia tregon se Kirgizia duhet të sigurojë 6-7 miliardë metra kubë ujë në Toktogul gjatë muajve të dimrit për t’i shmangur problemet me rrymë, që patën ngjallur zemërim të ashpër ndaj regjimit të presidentit Kurmanbek Bakiev, më shumë se një dekadë më parë.
Lideri aktual i Kirgizisë, Japarov, ka qenë zyrtar i lartë në atë qeveri.
Në komentet e tij pas hulumtimit të REL-it, Japarov e ka përsëritur refrenin e paraardhësit të tij se Kirgizia “do të bëhet shtet që eksporton energji”.
Mirëpo, eksperti i energjisë, Ernest Karybekov, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se projekti Solarcoin është një tjetër shembull sesi interesat private bëhen prioritet kundrejt të mirës publike, kur është puna për sektorin e brendshëm të energjisë.
“Nëse unë, ju apo ndonjë qytetar tjetër kërkon rrymë për ta hapur një fabrikë, ata do të thonë se s’ka kapacitete, ose do të refuzohet kërkesa”, i ka thënë Karybekov Radios Evropa e Lirë.
“A përbën rrezik? Natyrisht që po. Mirëpo, autoritetet i japin leje dikujt për ta pasuruar veten”, ka thënë mes tjerash Karybekov.