Një kafene e vogël e quajtur “Most”, që do të thotë urë në serbisht, shihet në hyrje të Mitrovicës së Veriut, qytet i banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Lokali është në simetri me një tjetër restorant, po ashtu të quajtur “Ura”, disa metra larg në Mitrovicën e Jugut, me shumicë shqiptare.
Në mes të dy lokaleve është ura mbi lumin Ibër që është bërë simbol i ndarjes së dy qyteteve që kishin qenë të bashkuara vite më parë.
Jeta e përditshme në dy anët e kësaj ure dallon shumë.
“Tani për tani nuk ka probleme”, thotë një burrë serb në të 50-tat (pa dashur të zbulojë emrin), që po rrinte me shoqërinë në kafenenë e vogël.
Ai aludon në tensionet e shpeshta që ndizen në këtë zonë ku popullata serbe në shumicë refuzon të respektojë ligjet e Kosovës, shtetësinë e së cilës e mohon.
Megjithatë, ai kritikon kafenetë në qendër të Mitrovicës së Veriut se “ata pa nevojë i rrisin çmimet, edhe pse nuk paguajnë taksa”.
“Këtu (te kafeneja afër urës) kafeja është 50 dinarë (rreth 40 centë) dhe atje (në kafenetë në qendër) është 90 dinarë (rreth 80 centë). Nuk duhet të paguash as rrymë, as ujë, dhe sërish kafeja kushton 90 dinarë. Kjo nuk ekziston askund në botë”, thotë ai.
Që nga mbarimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok), nuk paguhet asnjë taksë për rrymë, ujë apo mbeturina.
Përmes dialogut Kosovë-Serbi, është bërë përpjekje e vazhdueshme për të nisur faturimin e këtyre shërbimeve atje, por ende pa sukses.
“Nuk kemi nevojë për jugun”
Përtej zonës rreth një mijë kilometra katrorë që përbën katër komunat veriore, sipas qytetarëve serbë atje, destinacionet e udhëtimit rrallë i kthejnë kah jugu.
Serbët në Kosovë janë “të lidhur me Serbinë dhe institucionet serbe”, thotë një zonjë serbe që i foli Radios Evropa e Lirë.
Sipas saj, ata nuk e ndiejnë nevojën të shkojnë drejt jugut të banuar me shqiptarë.
Ai udhëtim për ta mund të jetë edhe jopraktik pasi shumë prej veturave të tyre mbajnë tabela me akronime të qyteteve të Kosovës.
Këto targa i lëshon Serbia, e Kosova i konsideron të jashtëligjshme. Aktualisht, ato mund të qarkullojnë vetëm në zonën veriore.
Në Kosovë nuk dihet saktë sa për qind e popullatës është serbe, meqë shumë qytetarë serbë bojkotuan regjistrimin e fundit të popullsisë më 2011.
Në bazë të atij regjistrimi, serbët përbënin vetëm 1.5 për qind të popullatës.
Edhe 15 vjet pasi Kosova u shpall shtet i pavarur, zonat e banuara me shumicë serbe në veri dhe jug ruajnë struktura paralele të udhëhequra nga Serbia.
Në gjashtë komunat me shumicë serbe në veri e jug, edhe sot e kësaj dite shëndetësia dhe arsimi funksionojnë sipas sistemit serb.
Por, ndryshe nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug, në katër komunat veriore integrimi është më i ulët.
Atje ende përdoret dinari – valuta zyrtare e Serbisë. Nëse dikush paguan në euro, këmbimi i kthehet në dinarë.
Dinari përdoret edhe në zonat serbe në jug të Ibrit, por ndryshe nga veriu, çmimet e produkteve shkruhen në euro.
Ankesë për mungesë barnash
Ndër vite, Serbia ka qenë ndër shtetet me praninë më të madhe të produkteve të veta në Kosovë.
Në veri, këto produkte kanë dominuar edhe më shumë në tregun lokal. Por, kjo ka nisur të ndryshojë nga qershori i këtij viti pasi Qeveria e Kosovës vuri një ndalesë të importit nga Serbia.
Përveç faktit se në Mitrovicën e Veriut tani ka shumë më pak produkte ushqimore dhe higjienike nga Serbia, zonja që i foli Radios Evropa e Lirë tha se kanë probleme edhe gjatë furnizimit me barna.
“Farmacitë nuk kanë barna, nuk sillen më nga Serbia. Ne jemi të detyruar të shkojmë në Rashkë, në Kralevë (qytete në Serbi) për të marrë barna me recetë. Duhet të paguajmë 500 dinarë (rreth 4 euro) për udhëtimin”, thotë ajo.
Këtë problem e kanë potencuar në javët e kaluara edhe zyrtarë që udhëheqin qendrat shëndetësore në veri.
Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me pretendimet se në veri ka krizë të furnizimit me barna, por në deklarime të mëhershme publike ata kanë mohuar se ka mungesë furnizimi të barnave në këtë zonë.
Një banor tjetër që po priste në oborrin e qendrës spitalore në Mitrovicë të Veriut, thotë se është i pakënaqur me kushtet për mjekim.
Ai nuk flet konkretisht se me çfarë nuk është i kënaqur, por thotë se Serbia e ka “fajin” për dështimet në sistemin shëndetësor dhe se ai “nuk është i interesuar” për sistemin e Kosovës.
Në zgjedhjet lokale të muajit prill, që u bojkotuan nga serbët lokalë, në krye të komunave në veri, për herë të parë u zgjodhën katër shqiptarë.
Vendosja e tyre nëpër objekte komunale u kundërshtua ashpër nga serbët lokalë. Kjo çoi në protesta të dhunshme në maj.
Kur janë bërë pak muaj nga nisja e mandatit ata thonë se kanë bërë përpjekje për të afruar popullatën serbe drejt institucioneve të Kosovës.
“Kemi takime, janë duke ardhur qytetarët, janë të interesuar për vende të lira të punës… I kanë kërkesat e tyre. Kanë arritur, po besoj, ta kuptojnë realitetin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lulzim Peci, kryetar i Zveçanit, i cili punon nga një zyre alternative, e jo në objektin komunal.
“Situata është e rëndë”, thotë një qytetar i Zveçanit, pa dashur të flasë më shumë për marrëdhënien me kryetarin shqiptar të Komunës dhe jetën e përditshme atje.
Të katër komunat në veri kanë nisur procedurat për t’u bërë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, që deri më tani ka pasur anëtare të gjitha komunat tjera përveç tyre.
Sazan Ibrahimi nga ky Asociacion, thotë për Radion Evropa e Lirë se e mirëpresin këtë vendim.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk është mekanizëm politik. Është organizatë joqeveritare që i mbron interesat e komunave, pa marrë parasysh përkatësinë politike dhe etnike”, thotë ai.
Ndonëse në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi, janë prezantuar plane për shtensionim të situatës në veri, që përfshin zgjedhje të reja komunale, ende nuk dihet se kur dhe si mund të mbahen këto zgjedhje.
Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë asnjë përparim as në rundin e fundit të bisedimeve të nivelit të lartë, më 14 shtator.