Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë urdhrin “Heroi i Kosovës”, policit Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator në veriun e vendit. Urdhrin e pranuan familja e policit në një mbledhjes komemorative në nderim të policit që ra në krye të detyrës.
“Në emër të qytetarëve i ndaj urdhrin “Heroi i Kosovës”, rreshterit Afrim Bunjaku. Ai ka rënë heroikisht në mbrojtje të vendit”, deklaroi presidentja.
“Jemi mbledhur sot këtu për t’ia dhënë lamtumirën e fundit policit tonë, rreshterit, Afrim Bunjaku, i cili deri dje ishte gardian i sigurisë sonë, ndërkaq, nga sot është hero i Kosovës. Ai ra në mbrojtje të rendit ligjit, integritetit territorial e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë. Prandaj sot, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës,do t’i ndaj ‘post mortem’, urdhrin më të lartë të Republikës: Urdhrin Hero i Kosovës!”, deklaroi presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Presidentja e vendit, më tej theksoi se nga sot shteti ynë ka edhe një hero, ka edhe një kujtim më shumë për një njeri që me profesionalizëm, me përkushtim iu dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës,
Polici Afrim Bunjaku, shtoi ajo, ishte një rreshter trime vetëmohues, i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë.
Në mbledhjen komemorative po marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ambasadorë e qytetarë të shumtë.
Polici Afrim Bunjaku u vra dje në orët e hershme të mëngjesit në një aksion kundër një grupi terrorist në veriun e vendit.
Kurti: Bunjaku u vra në një sulm të trajnuar me plan e të mbështetur nga Serbia
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë në një sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës, nga një grup personash të armatosur rëndë, që janë trajnuar profesionalisht dhe me plan dhe janë mbështetur nga Serbia.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur të hënën, Kurti ka thënë se të dielën është pamundësuar një skenar më i gjerë kriminal e terrorist.
“Me veprimet profesionale dhe të guximshme të Policisë, dje e pamundësuam një skenar ë të gjerë kriminal e terrorist. Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të financuar materialisht dhe të mbështetur nga Serbia. Reagimi profesional i Policisë sonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit të tyre, si dhe konfiskimin e gjithë armatimeve dhe mjeteve të tjera logjistike”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se sot është dita kur duhet t’i bëhen nderimet më të larta shtetërore policit Afrim Bunjaku.
“Faktet dolën sheshazi përball nesh, në sy tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe në sytë e secilit që ka kurajo dhe vullnet për të parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë”, ka thënë ai.
Sveçla: Afrim Bunjaku u kthye në motiv për të vazhduar luftën kundër terroristëve
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se rreshteri Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës, duke shtuar se ai ra në veri duke kryer detyrën e shenjtë në luftën kundër së keqes.
Sipas Sveçlës, dhimbja për Bunjakun duhet të kthehet në forcë “për punën në sukses dhe në ndërtim të veprës së Afrimit”.
“Me ndjenjën e dhimbjes që e kisha dhe në mëngjesin kur pranova lajmin e hidhur se kemi punuar dhe shpresuar që të mos marrim kurrë. Kësaj dhimbjeje që po ndjejmë i shtohet edhe krenaria që kishim fatin të kishim në radhët tona. Atë mëngjes si shumë herë të tjera, policët e Kosovës u nisën për të reaguar në zhbllokimin e rrugës, por Afrimi ishte aty para të gjithëvs. U nis të hapte rrugen, por u vra pabesisht. Ai dje nuk u kthye në shtëpinë tij, por u kthye në motiv për shokët që vazhduan betejën kundër terroristëve, ai u kthye në hero. Guximi i pashembullt, shërbimi që i ka bërë që 22 vjet është dhe duhet të jetë pasqyrë se si të punojmë më shumë për paqen dh sigurinë”, është shprehur.
Sipas ministrit të Brendshëm, Kosova do ta vazhdojë punën e ish-rreshterit Bunjaku “në mbrojtje të Republikës dhe në ndërtim të veprës së tij”.
“Afrim të premtojmë se s’do të ndalemi në mbrojtje të Republikës dhe në ndërtim të veprës suaj dhe të kolegëve. Të përcjellim me bindjen se të vdesësh për atdhe është sikur të lindësh përsëri”, ka shtuar ai para të pranishmëve.
Vajza e rreshterit: Babai u flijua për liri
Afërdita Bunjaku, vajza e rreshterit Afrim Bunjaku, ka deklaruar në mbledhjen komemorative se babai i saj është flijuar për liri dhe për Kosovën.
Ajo u shpreh para të pranishmëve se babai e kishte mësuar, por asnjëherë “si të jetojmë pa ty”.
Fjalimi i plotë i saj:
Heroi im, babai im. Sa vështirë e kam të shkruaj për ty. babi im. Para kohe unë mbeta jetim, kurrë s’e kam besuar. Ikja jote babi, na la një plagë të madhe në zemrat tona. Babi s’e di si të jetoj pa ty, si të jetoj pa heroin tim.
Hyra brenda në shtëpi dhe ty s’të pashë. Është shumë e rëndë për mua. Vendin tënd në shtëpi s’e zëvendëson askush. Të gjitha na i besove, por si të jetojmë pa ty asnjëherë. Babi ishe njeri i dashur për familje, shoqërinë, ashtu edhe për punën ku flijove jetën për liri, për këtë vend. Që ne dhe KS të gjithë të jemi krenarë me ty me heroizmin tënd, mundin dhe punën qe e ke bërë çdoherë për ketë vend, të premtoj babi se do të jemi krenarë me ty.
Do të të ndjek gjithmonë në rrugën tënde, me mall e me dhimbje do të të kujtojmë heroi im, babai im.