KMDLNj ka reaguar për procesin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe të pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, që sipas këtij këshilli, është e karakterizuar me mungesë të transparencës dhe me prova të sajuara.
Përmes një komunikate për medie, KMDLNj bën të ditur se ky proces gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Pjetër Shalës, po vazhdon në rrethana të mungesës së theksuar të transparencës dhe redaktimeve të shumta që efektivisht shkaktojnë huti dhe mosbesim në opinion sikur që shkelin të drejtat e njeriut të personave që po gjykohen duke ua pakësuar mundësinë për mbrojtje.
Vërejtje ka paraqitur KMDLNj ka shfaqur edhe ndaj gjykimit të Nasim Haradinajt, Hysni Gucatit dhe Salih Mustafës, të cilët më herët ishin dënuar me dënime kapitale dhe drakonike, të pashembullta me dënimet e gjykatave që trajtojnë raste të kësaj natyre.
“Risi e kësaj Gjykate, nga aspekti i të drejtave të njeriut pa asnjë dyshim raciste (sepse të gjitha arrestimet, gjykimet dhe dënimet janë në baza etnike) është numri i madh i të arrestuarve dhe atyre që merren në pyetje për një vepër që është risi, pengimi i administrimit të drejtësisë dhe frikësimi i dëshmitarëve e që është numër më i madh se i atyre që janë arrestuar, po gjykohen apo që janë dënuar. Në njërën anë, Gjykata Speciale përkatësisht Prokuroria e Specializuar nuk lë mjet pa keqpërdorur për të ardhur te provat kundër atyre që po gjykohen apo që janë dënuar duke filluar nga fakti që shumica e provave janë siguruar nga shteti i Serbisë përkatësisht nga shërbimet inteligjente të këtij shteti që ka kurdisur prova dhe dëshmitarë, ka joshur dëshmitarë me para dhe premtim për strehim në një vend tjetër, ka hyrë në marrëveshje me dëshmitarë të ndryshëm, ka marrë deklarata në prani të prokurorëve të Serbisë dhe ka trajnuar dëshmitarë se si duhet të dëshmojnë”, thuhet, mes tjerash, në reagimin e KMDLNj-së.
Ky këshill përmend rastet kur Prokuroria Speciale ka përndjekur çdo person, që në një mënyrë apo tjetër ka kundërshtuar këto metoda, duke i ftuar në biseda, duke ua konfiskuar telefonat, kompjuterët, librat apo publikimet…
Në komunikatën e KMDLNj-së përmenden edhe arrestimit të Dritan Goxhajt, kinse në rrezikimin e dëshmitarëve të mbrojtur.
“Proceset e deritashme para Gjykatës Speciale janë në masën 85 % procese të mbyllura për publikun, procese private në një proces të privatizuar dhe të kapur andaj është e paqartë se çka ndodhë aty dhe në mënyrën më flagrante shkelet parimi i publicitetit që garanton dhe mbron të drejtat e të akuzuarve për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht apo nga grupet e tjera të interesit ku publiku rregullisht dhe objektivisht informohet për rrjedhën e gjykimit”, thuhet në komunikatë.
Shumica e dëshmitarëve të “mbrojtur“, sipas KMDLNj-së, nuk janë dëshmitarë të drejtpërdrejtë.
“Ata nuk janë dëshmitarë okularë, që e ul dukshëm besueshmërinë e dëshmive të tyre, aq më parë që pas dëshmive janë transferuar në shtetet tjera, bashkë me familje ku i është dhënë strehim”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së. /Kosovatimes/