Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar në Liverpool.
Në drekën me Partitë Simotra të Lëvizjes Vetëvendosje, ai ka folur edhe për pengesat që Serbia po ia bën Kosovës.
“Isha i nderuar që si folës kryesor në drekën me Partitë Simotra të mund të prezantoja qeverisjen tonë social-demokrate në Kosovë, reformat e ndërmarra, politikat sociale dhe të punësimit, ato të energjisë dhe në arsim, fushat prioritare të qeverisë sipas buxhetit të këtij viti, indikatorët ekonomikë dhe progresin demokratik të njohur edhe nga raportet kredibile ndërkombëtare. E krahas tyre, edhe sfidat dhe pengesat që na bën Serbia në vazhdimësi, deri te sulmi terrorist e paramilitar i 24 shtatorit i sponsorizuar nga shteti serb, dhe rreziku që autokratët dhe politikat e tyre hegjemoniste dhe ekspansioniste paraqesin për sigurinë dhe paqen”, ka shkruar në Facebook. /Kosovatimes/