Kjo pasi deputetët e pozitës nuk morën pjesë as në mbledhjen e sotme të thirrur nga ky komision. Të pranishëm ishin vetëm pesë deputetë.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se mosprezenca e pozitës në këtë komision i shton edhe më shumë dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

“Ne sot thirrëm këtë takim për të bërë edhe një përpjekje për konstituimin e komisionit. Siç po e shihni edhe sot po mungojnë pa arsye deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Është shqetësuese që një parti që është thirrur vazhdimisht në sundimin e ligjit, bllokon iniciativat siç është kjo e cila ka të bëjë me hetimin e një çështje shumë të rëndësishme. Mungesa e kolegëve deputetë i shton dyshimet edhe më shumë se ata nuk vijnë në këtë komision për shkak se i frikohen keqpërdorimeve që janë bërë me rezervat shtetërore. Nuk ka asnjë arsye tjetër për mos me ardh këtu përveç tentativës që duke bllokuar konsituimin e këtij komisioni që qytetarët mos të kenë mundësinë të dëgjojnë keqpërdorimet të cilat janë bërë me rezervat shtetërore”, shtoi ai.

Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi i quajti frikacak deputetët e partisë në pushtet të cilët nuk morën pjesë në mbledhje.

“Tashmë është e qartë se ata nuk po donë të vinë në këtë komision për të zbardhur të vërtetën. Nëse janë të pafajshëm duhet të vinë e të përballen me të gjitha kërkesat që ka opozita. Nuk kanë asnjë arsye për të munguar. Kërkesa ynë ka qenë që anëtarët të ndërrohen. Por jam e bindur se me secilin anëtarë të Vetëvendosjes që ndërrohen, ata nuk do të vinë sepse janë nxënës të mirë të Albin Kurtit. Nuk arsyetohet asnjë keqpërdorim”, shtoi ajo.

Komisioni Hetimor ishte themeluar nga Kuvendi i Kosovës më 21 shtator.