“Brenda një jave kam shpenzuar 90 euro për blerjen e bidonëve me ujë”, thotë Armend Sadiku, pronar i një restoranti në Prishtinë, që furnizohet me ujë nga Liqeni i Badocit.
Janë bërë më shumë se dhjetë ditë prej se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka detektuar sasi të madhe të elementit kimik, mangan, në ujin e këtij liqeni.
Ky element, nëse konsumohet në sasi të mëdha, mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.
Për rrjedhojë, IKShPK-ja u ka rekomanduar qytetarëve që të mos e përdorin atë ujë për pije e gatim.
Nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit furnizohen qytetarët e pjesës më të madhe të Prishtinës dhe të komunave dhe fshatrave përreth.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Sadiku thotë se mospërdorimi i ujit për pije dhe përgatitje të ushqimeve e ka vështirësuar shumë punën në restorantin e tij.
“Neve, si biznes, na ka shkaktuar shumë dëm, sepse jemi të detyruar të blejmë sasi goxha të mëdha të ujit. Është vështirë, i gjithë ushqimi duhet të përgatitet me ujin që e blejmë vetë. Kjo ka kosto. Shpresojmë që kjo të rregullohet më shpejt, pasi që jemi në hall të madh si biznes”, thotë Sadiku.
Përveç bizneseve, në hall shprehen edhe disa banorë të Prishtinës.
“Prej se është thënë nga IKShPK-ja se nuk bën të pihet uji dhe as të përgatitet ushqim me të, ne e kemi blerë. Kjo po zgjat shumë dhe po bëhet e papërballueshme për ne si qytetarë”, thotë Blerim Berisha, banor në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë.
“Ne në familje e blejmë gjithmonë ujin për pije, por tani, prej se kanë thënë të mos përdoret, po e blejmë edhe për përgatitje të ushqimit. Është kosto shtesë, por po presim që të zgjidhet shpejt ky problem”, thotë Naim Govori, një tjetër banor në Prishtinë.
Çmimi për një bidon prej dhjetë litrash ujë në treg kushton nga 1.30 euro deri në 1.50 euro.
“Ka rënie të vlerave të manganit”
Nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” thonë për Radion Evropa e Lirë se presin që situata të përmirësohet shumë shpejt.
Sipas tyre, vlerat e manganit janë në rënie.
“Jemi në koordinim të plotë me IKShPK-në. Jemi duke e përcjellë situatën. Gjendja nuk është alarmante”, thuhet në deklaratën e ujësjellësit “Prishtina”.
Gjatë ditëve të fundit, kjo kompani ka nxjerrë autobote në disa lagje të Prishtinës dhe përreth, nga ku qytetarët kanë mundur të furnizohen falas me ujë.
IKShPK-ja, përmes një postimi në Facebook më 30 tetor, tha se po vazhdon monitorimin e cilësisë së ujit në Liqenin e Badocit dhe se analizat e fundit laboratorike tregojnë se vlerat e manganit në ujë vazhdojë të jenë mbi nivelin e lejueshëm.
“Po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badocit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referente të ujit të pijshëm”, tha IKShPK-ja.
Instituti rikujtoi, po ashtu, se uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit.
Çka thonë ekspertët?
Eksperti i ujërave në Kosovë, Skënder Bublaku, nuk pret përmirësim të shpejtë të situatës së krijuar me ujin nga Liqeni i Badocit.
“Është çështje komplekse. Unë besoj më shumë në faktorin natyror që e pastron vetë këtë pjesë sesa në aspektin njerëzor”, thotë Bublaku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, duhet pritur që të bëhet një qetësim i liqenit në kuptimin e proceseve brenda që ndodhin dhe të stabilizohet mangani në pjesën fundore.
“Atëherë fillon të rregullohet dhe të vijë në vlera normale mangani”, thotë Bublaku.
Ai shton se paraqitja e manganit në Liqenin e Badocit nuk është diçka që ka ndodhur vetëm tash – “çdo vit ka pasur, por në vlera më të ulëta dhe që janë përmirësuar më shpejt”.
“Fizikisht të intervenohet tani, është problem serioz. Nuk është e lehtë të ndërrohet procesi i marrjes së ujit, sepse i tërë aktiviteti duhet të jetë nënujor. Më mirë është të pritet edhe pak”, thotë Bublaku.
Liqeni artificial i Badocit, i krijuar në vitet e 60-ta, Bublaku thotë se është në pjesën e fundit të jetëgjatësisë dhe se këto probleme janë të pritshme.
Por, shton ai, në periudhat e ardhshme duhet të merren parasysh këto probleme dhe të mos përsëriten.
“Zgjidhje është të ndërrohet sistemi i marrjes së ujit në nivele më të epërme”, thotë eksperti i ujërave, duke shtuar se uji, aktualisht, merret prej fundit të liqenit.
Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mangani është një element esencial për shumë gjallesa, përfshirë këtu edhe njerëzit.
Por, “efekte të padëshirueshme në shëndetin e njerëzve mund të shkaktohen nga marrja e pamjaftueshme ose ekspozimi i tepërt [ndaj manganit]”.
Departamenti qeveritar i Kanadasë për Shëndetësi, HealthCanada, thotë se mënyra më e lehtë e absorbimit të këtij elementi është përmes ujit të pijes.
Por, ky departament shton se nëse uji që ka nivele më të larta të manganit sesa që lejohet konsumohet vetëm për periudha të shkurtra kohore, “nuk ka gjasa të shkaktohet ndonjë problem shëndetësor”.