Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha para deputetëve të Kuvendit se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.
“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, tha Kurti.
Sipas tij, kjo qartësi nuk paraqet “Zajednicën” (v.j. që në gjuhën serbe do të thotë Asociacion) të paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, sepse “asisoi do të ishte i padiskutueshëm”.
Ai megjithatë tha se draft-statutin zyrtarisht ende nuk e ka pranuar. “Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit”, tha ai, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe “si rrjedhojë ta pranoj”.
Kurti tha se draft-statuti është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës, më shumë sesa frymës së saj. Megjithatë, ai tha se në draft parashihet që ky dokument të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Me kërkesë të partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po raporton para Kuvendit për draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për takimet e fundit në Bruksel.
Kryeministri kosovar deklaroi para deputetëve se nuk mund të ofrojë detaje të draft-statutit, por mund të japë vetëm qëndrimin e tij politik.
“E dyta, drafti në vlerësimin tim politik e bënë të qartë që mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues. Pra, nuk do paragjykoj e as ndërhyjë në kompetencat e komunave të organeve qendrore e kështu me radhë”, tha Kurti.
“E treta, drafti ia mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës e rrjedhimisht ata të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për një luftë të re për territorin, a shkëmbim territorial a bashkim për këdo tjetër. Pra drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Kjo i bie që Serbia do të duhej të hiqte dorë nga premisa që serbët në Kosovë jetojnë në Serbi apo që serbët në Kosovë mund të kenë aspirate shkëputëse territoriale apo autonomi jashtë Republikës së Kosovës, jashtë ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës”, shtoi ai.
Sipas Kurtit për çdo ndryshim në statut të Asociacionit, do të bëhet pasi të jetë pranuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, pasi Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë aktgjykim lejues.
“Kjo e përmbysë atë që e ndërtonin marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 përkatësisht supozimin që e krijonin ato që pjesëmarrësit në një asociacion do të jenë të lirë të avancojnë atë në një drejtim të panjohur. Një drejtim i tillë i panjohur më nuk ekziston dhe tash drejtimi është i qartë dhe i njohur e ajo është Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës kapërcimet, avancimet e tejkalimet nuk lejohen dhe nuk mund të ndodhin”, tha Kurti.
Kurti tha se draft-statuti iu prezantua nga përfaqësuesit e “Pesëshes së Madhe” më 21 tetor në Prishtinë, të cilët, sipas tij, “më kërkuan garancione që drafti të mos e bëj publik, për shkak që publikimi i tij do të keqpërdorej në dëm të kontributit të qeverive sponsorizuese”.
Opozita me kritika për Kurtin
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Memli Krasniqi, kritikoi Kurtin që nuk tregoi detaje për draft-statutin e Asociacionit.
Ai madje tha se me pranimin që ta nënshkruajë këtë draft, Kurti ka pranuar që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës.
“Ta kanë sjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bashkësinë, ‘Zajednicën’, dhe e ke pranuar. A mund të na tregosh çka ke bërë ti aty [në takimin në Bruksel] nëse nuk e ke pranuar. Së pari, kur ke thënë, eja po e nënshkruajmë, ke bërë një gabim që një amator nuk është dashur ta bëje. Ti thuash botës jam i gatshëm të nënshkruaj me Vuçiqin draftin e Asociacionit për Kosovën, që rregullon Kosovën brenda, është jo banale, është anormale, është të pranosh që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Të nënshkruash draftin e Asociacionit që duhet të miratohet nga Qeveria që ju drejtoni, e të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se për draft-statutin, Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë dhënë qëndrime të ndryshme.
“Gjersa kryeministri pretendon se statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese, ose së paku kështu i kanë thënë atij, presidentja si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalosë hezitimin për një cilësim të tillë dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Gjykatë Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e parë e mospërputhje kushtetuese”, tha ai.
Presidentja Osmani ka thënë se nuk mund të japë vlerësim nëse dokumenti është në përputhje me Kushtetutën, por kur të nënshkruhet, ajo do të dërgojë mendimet e saj në Kushtetuese për këtë çështje.
Abdixhiku tha se pret që Kurti të tregojë nëse një Asociacion, bazuar në këtë draft-statut, do të ishte një lloj autonomie. Sipas tij, ky dokument ose shkelë Kushtetutën e Kosovës ose vijat e kuqe të Serbisë.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kërkoi që Kurti të tregojë se cili është draft-statuti dhe jo që deputetët të informohen nga mediat.
“E gjithë qasja e tij, prej ditës së parë deri në fund me dialogun ka qenë eksperimentale, llogaria dhe përgjegjësia bie te ju, në mënyrë që vendin tonë në këto rrethana jo të lehta ta shtynë përpara në dy tema që janë synime të AAK-së. E para ka të bëjë me anëtarësimin në NATO, e dyta që me eksperimentimet tuaja që i ke bërë edhe në veri, të kesh kujdes mos ta rrezikosh sovranitetin dhe rregullin kushtetues të Kosovës”, tha ai.
Tahiri tha se me klimën “toksike” të krijuar në dialog, me apo pa dashje, Kurti ka kontribuuar në interesin kryesor të Serbisë, që sipas tij është status quo-ja.
Pas takimeve me liderët evropianë dhe të Bashkimit Evropian në Bruksel më 26 tetor, Kurti deklaroi se ka pranuar propozimin për draft-statutin e Asociacionit dhe ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë, por kjo ishte kundërshtuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin nuk shkel “vijat e kuqe” të palëve, duke shtuar se ky nuk është elementi i vetëm që duhet të zbatohet, pasi që Serbia nuk ka zbatuar nene të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e arritën më herët gjatë vitit. Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë – me të cilët Kurti dhe Vuçiq u takuan ndaras në Bruksel më 26 tetor – kanë kërkuar që Serbia të njohë de facto Kosovën dhe Kosova të formojë Asociacionin.