Nik Gjeloshaj, zëvendëskryeministri i Malit të Zi,ka folur për zhvillimet në Mal të Zi, për qasjen e qeverisë së re dhe ndikimit të saj në raport me Kosovës, ngase, në këtë relacion, që në fillet e saj është mbrujtur me polemika të shumta. Gjeloshaj foli për fillimet e punës së tij në qeverinë e re, që sipas tij, janë të përshkuara me probleme që hasen në çdo qeverisje të re.
Lidhur me mosdorëzimin e të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, Gjeloshaj tha se kjo ka ndodhur për shkak të Kovaçit,ministër i Drejtësisë së Malit të Zi, për të cilin tha se është me orientim pro-serb, por që me kohë do të përmirësohet edh kjo çështje.
Ndërkaq lidhur me partinë e udhëhequr nga Genc Nimanbegu, Gjeloshaj tha se ai ka qenë joparimor dhe joserioz, derisa veprimet e tij pas themelimit të qeverisë i vlerëson si të pakuptimtë.
“Ai është prijës i ‘Forcës..’, e cila është pjesë e shumicës parlamentare dhe ende qëndron në krye të saj, ndërsa ka dhënë dorëheqje nga funksioni i deputetit”, sqaroi Gjeloshaj.
“Vendimi për ekstradim të kriminelit të luftës e i cili strehohet në Mal të Zi, është marrë para se të bëhem zëvendëskryeministër dhe kam kërkuar që të më informojnë për këtë çështje dhe besoj se së shpejti do të procesi do të rishikohet dhe do të merret vendimi, sepse nuk ka interes të mbahet dikush që dyshohet për krime lufte e të strehohet, kur dihet që Mali i Zi është vend anëtar i NATO-s”, deklaroi Gjeloshaj, teksa shtoi se edhe ministri Kovaç do të veprojë në bazë të interesave të vendit si pro-NATO.
Ai më tej theksoi se nëse vendimi i ministrit Kovaç për mosekstradimin e personit të dyshuar për krime lufte në Kosovë, ka qenë politik, ai vendim do të ndryshohet.
Gjeloshaj më tej siguroi se qeveria e Malit të Zi do të veprojë në frymën e vlerave të marrëveshjes.
Demarkacioni Kosovë-Mali i Zi, Gjeloshaj: Nëse ka nismë, rihap dialogun
Sa i përket kësaj çështjeje, Gjeloshaj theksoi se marrëveshja për demarkacionin e kanë ratifikuar parlamentet e të dyja vendeve dhe mund të ndryshohet me koordinimin e të dyja palëve.
“Për këtë çështje nuk ka pasur iniciativë nga ana e Kosovës e sa i përket Malit të Zi, zyrtarisht nuk është nisur diçka në këtë drejtim”, sqaroi Gjeloshaj.
E për marrëveshjet ndërmjet dy presidentëve për këtë çështje, Gjeloshaj tha se nuk kanë asnjë rol, ngase, shtoi ai, kjo është ratifikuar nga parlamentet e të dyja vendeve.
“Marrëveshjet e presidentëve ka pasur më shumë efekt marketingu”, deklaroi Gjeloshaj, derisa shtroi si mundësi të hapur dialogut për këtë çështje, nëse vjen ndonjë nismë nga palët.
Gjeloshaj: Politika e Mandiqit ndaj Kosovës nuk do të ketë përkrahje
(E plotësuar) Ai vuri në pah orientimet e qeverisë në të cilën bën pjesë ai, të cilat konsiderohen si pror-ruse e që sipas Gjeloshajt këto janë vlerësime të opozitës, por që kanë karakter propagandistik.
Gjeloshaj foli për peripecitë e formimit të qeverisë, mbështetësit e të cilës dikur kanë pasur qëndrime më ndryshe se tani, në raport me zhvillimet në Mal të Zi.
“Qeveri, sipas Kushtetutës është ajo që orienton dhe zbaton politika të brendshme dhe të jashtme dhe në bazë të strukturës së saj, nuk ka ndonjë qëndrim tjetër nga sa ka pasur më herët Mali i Zi në politikën e jashtme, por mendoj se do të jetë shumë më ndryshe në politikën e brendshme”, deklaroi Gjeloshaj, në RTKPrime.
Lidhur me qëndrimet e kryeparlamentarit malazias, Andreja Mandiq, i cili është i njohur për opinionin në raport të Malit të Zi, në sferën e jashtme dhe veçanërisht ndaj Kosovës, Gjeloshaj tha se çështja është se ai ka votuar qeverinë malaziase pro-amerikane, pro-evropiane.
Ndërsa për pozicionin e tij si zëvendëskryeministër dhe në formimin e qeverisë, si dhe të zgjedhjes së kryeparlamentarit është arritur në bazë të marrëveshjeve të partive fituese dhe, siç u shpreh Gjeloshaj, në politikë nuk ka marrëveshje të lehta.
Në vijim të kësaj, Gjeloshaj krahasoi situatën e tanishme me kohën kur kryeministër i Malit të Zi ishte Milo Gjukanoviq, që, sipas tij, nuk ishte fare e lehtë të bëje marrëveshje në atë kohë.
Sa i përket çështjes se a do ta tërheq Mali i Zi,njohjen e shtetësisë së Kosovës apo jo, që kishte deklaruar kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Andreja Mandiq, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Gjeloshaj tha se qëndrimet personale mund t’i mbajë për vete, ndërkaq kur merr përgjegjësi institucionale duhet respektuar institucionin që përfaqëson.
“Në të kaluarën kam pasur mendime krejt ndryshe edhe unë, por di se si duhet respektuar institucionet dhe Kushtetutën e Malit të Zi”, deklaroi Gjeloshaj, derisa shtoi se për këto çështje kemi biseduar dhe që ato janë tejkaluar. Ai më tej tha se nuk kanë mundësi të bëjnë diçka ndryshe nga arritja e marrëveshjeve edhe po të duan ata, ngase, sikundër tha ai, ne jemi zbatues të politikave zyrtare të Malit të Zi.
Politika e Mandiqit ndaj Kosovës dhe jo vetëm, nuk do të ketë përkrahje.
Gjeloshaj: Vuçiqi lobuesi më i madh i Abazoviqit për kryeministër të Malit të Zi
(E plotësuar) “Politika zyrtare, qoftë e brendshme, qoftë ajo e jashtme, është në dorën e qeverisë, që është qind për qind pro-amerikan dhe pro-evropian”, sqaroi Gjeloshaj, teksa shtoi se kjo dëshmohet me vizitat e delegacioneve nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Ai siguroi se qeveria në këtë drejtim është e qartë dhe që nuk do të bëjë asnjë veprim kundër interesave të vendit, ndërsa vuri në dukje se e gjithë kjo vjen nga partitë opozitare, duke përmendur Abazoviqin, i cili kishte deklaruar se ndjehet i shqetësuar për të ardhmen e Malit të Zi,ndërkohë që Gjeloshaj tha se pikërisht në kohën e qeverisjes së tij ka nisur ndryshimi i kursit politik i këtij vendi.
Gjeloshaj tha se lobuesi më i madh për zgjedhjen e Abazoviqit për kryeministër ka qenë Vuçiqi, derisa theksoi ai propaganduesit më të mëdhenj kanë qenë nga jashtë,por, vuri në dukje ai, koha do t’i dëshmojë të gjitha.
“Askush ma shumë se Abazoviq nuk ia ka dhënë hapësirën e ndikimit serb në Mal të Zi në këto 30 vjet të fundit”, deklaroi Gjeloshaj, por që, shtoi ai, në politikën e brendshme Abazoviq ishte pozitiv.
Ai mes tjerash tha se Abazoviq nuk i përfaqëson shqiptarët dhe rrjedhimisht nuk e konsideron si oponent politik.
Gjeloshaj: Marrëveshjen për Kishën nuk do ta kisha nënshkruar
(E plotësuar) Lidhur me marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi, që ka shkaktuar edhe rënien e qeverisë së Abazoviqit, Gjeloshaj tha se në politikë duhet të kesh përgjegjësi dhe nëse ke bërë gabim dhe për më tepër nëse ato janë pa qëllim, duhet përmirësuar dhe, nëse ato janë bërë me qëllim, atëherë do të insistosh në mbrojtjen e tyre.
“Po të ishte marrëveshje e mirë, do të kishte nënshkruar edhe Krivokapiq”, theksoi Gjeloshaj.
Ai, më tej shtoi se ka shumë spekulime, teksa tha se po të ishte në vend të Abazoviqit nuk do ta kishte nënshkruar atë marrëveshjen, ndërkohë që përjashtoi mundësinë se ka qenë i detyruar ta nënshkruante atë marrëveshje.
Gjeloshaj kritikoi qasjen e Abazoviqit ndaj marrëveshjes për Kishën Ortodokse Serbe, sepse nuk ka qenë transparente dhe, për më tepër, nuk ka pasur dialog me bashkësi të tjera fetare.
“Me këtë marrëveshje jo vetëm që është fuqizua, por edhe është sigurua e ardhmja e Kishës në Mal të Zi”, theksoi Gjeloshaj, derisa shtoi se tanimë Kisha Serbe është bërë më e vjetër sesa vetë shteti i Malit të Zi.