(Plotesuar)Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024. Pozita vlerëson se ky është buxhet i zhvillimit të Kosovës, ndërsa opozita po adreson kritika ndaj këtij buxheti.
Aliu: Kemi hekurudhat prioritet më shumë sesa rrugët e autostradat
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se prioritetet e këtij institucioni dallojnë nga qeverisjet e kaluara.
“Ministria ku unë e drejtoj, projektet e reja i ka të orientuara në një drejtim tjetër. I kemi hekurudhat prioritet më shumë sesa rrugët dhe autostradat. I kemi digat dhe menaxhimin e ujërave më shumë sesa autostradat. E kur flasim te autostradat, edhe aty po vazhdojmë. Si trashëgimi e kemi pasur rrugën Dollc – Gjakovë, atë të Mitrovicës, Gjilanit dhe Podujevës. Te e Podujevës është dashur projekt nga fillimi dhe e kemi bërë, po shkon pakrahasimisht ndryshe nga ato që i kemi trashëguar”, ka theksuar Aliu.
Aliu ka thënë se rruga Dollc – Gjakovë s’ka pasur as projekt, shpronësime dhe urat e pjesët e tjera të objekteve në rrugë, raporton RTKlive.
Sipas tij, tashmë Ministria i ka dizajnuar strukturat dhe pritet të lidhet kontratë për to. Ai iu ka kundërpërgjigjur komenteve të opozitës se Qeveria është selektive në komuna varësisht nga qeverisja lokale. Ka marrë shembull Gjakovën, për të cilën ka thënë se janë 12 projekte, duke qenë një nga komunat me buxhetin më të lartë nga MMPI.
“Ferizaj i ka 22 milionë e 489 mijë euro projekte. Asnjëra s’janë të Vetëvendosjes”, ka thënë Aliu.
Viti: Shëndetësia në 2024 do të ketë rreth 345 milionë euro
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se dikasteri të cilin e udhëheq krahasuar me vitin 2019, vitin e ardhshëm do të ketë 110 milionë euro më shumë në buxhetin e tij.
“Në vitin 2019 buxheti ishte 233 milionë euro, kurse sot që po flasim, buxheti për vitin 2024 për sektorin e shëndetësisë është rreth 345 milionë euro, pa llogaritur edhe kreditë e donacionet. Po flasim për mbi 110 milionë euro rritje nga viti 2019”, ka thënë Vitia.
Vitia për çështjen e sigurimeve shëndetësore tha se “ato nuk buxhetohen nga buxheti i shtetit, ato janë buxheti që mblidhet nga të ardhurat e secilit të vetëpunësuar”.
“Lista e barnave esenciale është padyshim çështja kryesore dhe që po shkon drejt stabilizimit të mungesave dhe kjo në tri nivele të shëndetësisë. Kjo listë në vitin 2019 ka qenë e buxhetuar me 35 milionë euro, kurse sot është 60 milionë euro. Buxhetin e listës së barnave esenciale për ShSKUK-në e kemi rritur edhe për 2 milionë euro nga viti i kaluar”, ka deklaruar i pari i shëndetësisë.
Sveçla për buxhetin e Policisë: Kjo është rritja më e madhe ndonjëherë
Xhelal Sveçla në replikën e tij ndaj komenteve të deputetëve nga opozita ka deklaruar se prokurimin e pajisjeve e bën Policia e Kosovës dhe jo Ministria e Punëve të Brendshme. Ai ka përmendur disa prej kontratave të cilat janë lidhur për blerje të pajisjeve për zyrtarët e këtij institucioni.
“Katër kontrata aktive për llojet e uniformave janë dhe në vazhdimësi bëhen blerjet. Një kontratë është aktive për çizme prej 750 mijë eurosh, 9 milionë euro janë investuar në pajisje vitin e kaluar, janë 2.8 milionë euro furnizim me uniforma taktike të cilat janë në proces dhe janë në 1.2 milionë euro furnizim me këpucë të cilat gjenden në Organin Shqyrtues të Prokurimit”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla për buxhetin e Policisë: Kjo është rritja më e madhe ndonjëherë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se rritja e buxhetit të Policisë së Kosovës, ka qenë më e larta ndonjëherë.
“Dua ta theksoj dallimin te buxheti i Policisë së Kosovës, ku në vitin 2023 në buxhet kanë qenë 12 milionë e 667 mijë euro, ndërkaq në vitin 2024 parashihen 21 milionë e 707 mijë euro. Kjo është rritja më e madhe ndonjëherë”, ka thënë Sveçla, raporton RTKlive.
“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka rritje të buxhetit për 97% për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, për Policinë Kosovës 17%, për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit 16% dhe kështu me radhë në agjencionet tjera. Totali në investime kapitale është 5,8 milionë, do të thotë rritje prej 3,8 milionësh”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla ka thënë se janë planifikuar 4.5 milionë investime kapitale në siguri kibernetike, e që sipas tij, janë 700 mijë euro më shumë sesa në vitin paraprak. Buxheti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë do të jetë 1.7 milionë euro, e që sipas Sveçlës kjo nënkupton rritje në investime kapitale prej 371 mijë euro dhe 113 mijë euro për ndërtimin e objektit.
Tahiri nga PDK kritikon projektbuxhetin e vitit 2024
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka pasur kritika ndaj Qeverisë së Kosovës sa i përket planifikimit të buxhetit për vitin 2024. Një nga fushat që ai ka folur për të ka qenë çështja e mbrojtjes, përkatësisht investimi në Forcat e Sigurisë së Kosovës.
“Kryeministri thotë se kurrë më shumë armë nuk janë blerë, por nuk është në gjendje të jep të dhëna. Mazhoranca e bën krahasimin me investimin në ushtri në vitin 2016 kur nuk ka pasur ushtri, FSK s’e ka pasur mandatin deri në vitin 2019 kur ky Kuvend ia ka dhënë mandatin. Prandaj nuk mund të bësh krahasimin me vitin 2016”, ka thënë Tahiri.
Mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe sipas tij, e një spitali rajonal në Prishtinë kanë qenë disa nga kritikat e Tahirit në fushën e shëndetësisë.
“Në asnjë fushë të vetme nuk mund ta gjejmë një projekt të juajin që në vitin e fundit të qeverisjes po mbyllet, por as nuk po fillon. Janë projekte që po vazhdojnë që janë të qeverive të kaluara. Kur jemi te infrastruktura i kemi autostradat që për Pejë, Mitrovicë, Podujevë e kemi gjendjen e njëjtë”, ka theksuar Abelard Tahiri.
Ministri i Financave Hekuran Murati tha se konstaton se ka shumë kundërthënie brenda vetëfjalimit të një deputeti apo edhe brenda grupit të njëjtë parlamentar.
“Thuhet se buxheti është në rritjen më të vogël dhe që po shfrytëzohet elektoralisht”, tha ai.
Sipas tij nëse një buxhet që shfrytëzohet elektoralisht do duhej ta fuste vendin në borxhe deri në fyt.
Rizvanolli: Në mandatin tonë çdo vit kemi thyer rekorde për efiçiencë të energjisë
Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka folur për planifikimin e buxhetit sa i përket efiçiencës së energjisë për vitet në vijim.
“Në mandatin tonë çdo vit kemi thyer rekorde për efiçiencë të energjisë. Vitin që vjen planifikojmë të zbatojmë masat e efiçiencës dhe bashkë me një renovim të thellë të pesë shkollave në Gjakovë, Gjilan, Prishtinë dhe Ferizaj me buxhet prej 7,5 milionë euro dhe do të zbatohen masat e efiçicenën në gjashtë institucione shëndetësore e të tjera publike në vlerë 1,1 milionë euro”, ka deklaruar Rizvanolli.
Rizvanolli ka thënë se 6,5 milionë euro janë planifikuar për mbështetje ndaj familjeve për shtrirje të efiçiencës së energjisë, ndërkaq do të ketë edhe zgjerim të skemave të ngjashme në bizneset private në vlerë prej 5 milionë euro.
“Fondi për efiçiencë të energjisë i ka rreth 20 milionë euro për investime në sektorin rezidencial dhe në investime në ndërtesa publike gjatë vitit tjetër. Gjatë këtij viti dhe dy viteve të ardhshme, do të kontraktohen investime në vlerë prej 1,2 miliardë euro me anë të të cilave do të ndërtohen 950 megavat kapacitete të reja”, ka thënë ministrja e Ekonomisë.
Vazhdim:
Kuvendi Kosovës sot do të shqyrtimin e parë të Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024. Buxheti i Kosovës për vitin 2024, do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Kryeministri i Kosovës, Albi Kurti në ditën e miratimit të buxhetit nga qeveria tha se buxheti i Kosovës për vitin 2024 do të jetë buxhet që do të ndahet për të gjithë është më shumë është fokusuar në disa fusha.
Në këtë buxhet vlera monetare e koeficientit për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik është 110 euro, raporton RTKlive.
Po ashtu me autorizim, ministri që sipas nevojës me vendim të bëjë ngritjen e tavanit të shtesave dhe kompensimeve të përcaktuara me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, për vitin fiskal 2024.
Kurse opozita ka kritikuar këtë buxhet, duke e vlerësuar si buxhet të varfërimit.