“Është thelbësore që takimet me ekipet mbrojtëse nuk mund të limitohen fare. Është takim i lirë dhe pa asnjë lloj monitorimi. Kjo është marrëdhënia e shenjtë mes klientit dhe mbrojtjes”, ka thënë Trendafilova duke komentuar vendimin e marrë që të pezullohen vizitat për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Ajo ka theksuar se pritet të ketë një vendim final, në këtë mocion urgjent, nga prokurori për limitimin e komunikimeve për tre të akuzuar.

“Për sa i përket familjarëve, gjyqtarët do të vendosin se kush nga familja e ngushtë do të dëshironin që secili nga tre të akuzuarit të ketë vizita dhe takime të vazhdueshme që do të bëhen”, ka deklaruar Trendafilova.

Gjatë një diskutimi me shoqërinë civile në Prishtinë, ajo ka deklaruar se deri më tash gjykatësit e Speciales nuk kanë qenë subjekt i ndonjë ndikimi apo presioni politik.

“Deri tash nuk ka ndodhur që dikush të guxojë të bëjë presion mbi ndokënd, as mbi mua dhe as mbi kolegët e mi. Kjo i atribuohet institucioneve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së, që e kanë themeluar këtë institucion. Kurrë s’ka pasur presion dhe s’do të ketë”, ka deklaruar ajo.

Trendafilova ka theksuar se Gjykata Speciale mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm.

“Gjykata mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm. Gjykatësit mbështeten në Kodin Penale të Kosovës dhe mund ta marrin në konsideratë”,  ka thënë Trendafilova.

Ajo nuk ka komentuar dënimin për krime lufte prej 26 vitesh për Salih Mustafën, teksa u pyet nëse një vendim i tillë është i drejt.

Trendafilova është shprehur se nuk e di a do të ketë sërish bastisje. “Gjykata dhe Prokuroria janë dy institucione të ndara. Pra, nuk e di dhe as nuk më intereson”, ka deklaruar Trendafilova.

Vizita e Trendafilovas u përcoll me protesta ku u arrestuan gjashtë aktivistë të PSD-së.

Për këtë u deklaru Trendafilova gjatë takimit me shoqërinë civile. “Nuk jam këtu për çështje politike ose për të diskutuar për  to. Kam zero informacion në lidhje me çështjet politike. Nuk e di dhe nuk po kuptoj pse po ndodhe kjo”është shprehur Kryetarja e Gjykatës Speciale.