Në një ceremoni të ndjeshme dhe plot emocion, sot në Mitrovicë, u përurua shtatorja e futbollistit të ri të këtij qyteti, Erion Kajtazi, një vit pasi u nda nga jeta në fushën e gjelbër, në ndeshjen e Superligës së juniorëve, A&N – Trepça’89, pas një sulmi në zemër.
“Erion Kajtazi ishte një talent i jashtëzakonshëm, i cili la pas një trashëgimi të pashlyeshme në zemrat e familjarëve, bashkëlojtarëve, miqve dhe tifozëve të futbollit. Shtatorja e Erionit tashmë do t’ia shtojë hijeshinë qytetit dhe do të jetë një simbol ku brezat e rinj do të frymëzohen për lojën e futbollit. Stadiumi, që tani mban emrin e tij me krenari, do të bëhet një shenjë e pavdekshme e talentit dhe dedikimit të një futbollisti që u nda shumë herët nga jeta.” thuhet në njoftimin e FFK-së. /Kosovatimes/