Ministria greke e Shëndetësisë kërkon ndihmën e policisë kundër mashtruesve, të cilët u përpoqën të trembnin turistët e huaj dhe t’i detyronin ata të largoheshin nga apartamentet me qira afatshkurtër në Athinë, duke shpikur infektime nga çimkat. Ministria tha në një deklaratë se posterat e ngjitur përpara ndërtesave të banimit në qendër të qytetit, të zbukuruar me logo të rreme të ministrisë dhe bashkisë së Athinës, ishin “absolutisht të rreme”.
Posterat, drejtuar “vizitorëve të dashur” në anglisht të shkruar gabimisht, pretendonin se autoritetet shëndetësore kishin urdhëruar evakuimin e “bujtinave private” lokale për të mbrojtur shëndetin publik të banorëve të përhershëm grekë. Duke përmendur një infektim inekzistent të insekteve, ata i kërcënuan vizitorët me një gjobë prej 500 euro nëse nuk largoheshin nga akomodimi dhe me mirësjellje u uruan atyre një qëndrim të këndshëm në Greqi.
Përveç krizës së kostos së jetesës, Athina dhe pjesë të tjera të Greqisë po përballen me probleme strehimi të cilat shkaktohen kryesisht nga rritja e numrit të apartamenteve me qira afatshkurtër, më së shumti për vizitorët e huaj. Kjo ka nxitur rritjen e kostove të qirasë afatgjatë për grekët, shumë prej të cilëve janë detyruar të largohen nga zonat e banuara në qendër të Athinës, shkruan Guardian, cituar nga Index.hr .
Insektet e shtratit janë gjithnjë e më rezistente ndaj trajtimeve kimike
Vlerat e pasurive të paluajtshme po rriten gjithashtu, pjesërisht për shkak të programit të “vizave të arta” që ofron rezidencë për investitorët e huaj të pasurive të paluajtshme. Turizmi është shtytësi kryesor i ekonomisë greke, duke zënë një të pestën e prodhimit të saj vjetor dhe ky vit pritet të jetë një vit rekord për sa i përket ardhjeve.
Ministria e Shëndetësisë tha se i kishte kërkuar policisë të bënte gjithçka që ishte e nevojshme për t’u marrë me mashtrimin. Ai tha se “askush nuk lejohet të terrorizojë dhe dezinformojë publikun” për çështjet e shëndetit publik. Greqia nuk ka regjistruar probleme të mëdha me gjakpirësit që së fundmi shkaktuan habi në Francë.
Insektet e shtratit, të cilët ishin zhdukur kryesisht nga jeta e përditshme në vitet 1950, janë rishfaqur në dekadat e fundit dhe janë bërë gjithnjë e më rezistente ndaj trajtimeve kimike. Ato mund të jenë të pranishme në dyshekë, por edhe në rroba dhe bagazhe dhe dalin natën për t’u ushqyer me gjakun e njeriut.