Policia Kufitare e Kosovës ka arrestuar dy qytetarë të cilët po transportonin cigare të kontrabanduara në vlerë 113 mijë euro. Arrestimi ka ndodhur në veriun e Kosovës, në aksin që lidhë Leposaviqin me Leshakun.
“Me datën 06.12.2023 rreth orës 21:10 njësitë kompetente policore në rrugën magjistrale Mitrovicë – Jarinje, konkretisht në fshatin Bistricë, kanë ndaluar automjetin e lartcekur, në të cilin ishin të ngarkuara rreth 6850 boksa të cigareve të 11 llojeve të ndryshme në vlerë rreth 113.000 euro (njëqindetrembëdhjetë mijë euro)”, njofton policia.
Lidhur me rastin janë njoftuar hetimet rajonale, ku edhe i kanë intervistuar palët e përfshira në rast.“Dy personat e dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë pasur për qëllim shitjen e mallit në mënyrë ambulante në pika të ndryshme të shitjeve në Leposaviq dhe Leshak, mall i cili pas verifikimit ka rezultuar me banderola të Republikës së Kosovës”, njofton policia.
Pas konsultimit me prokurorinë e shtetit rasti, sipas policisë, është cilësuar si “tregti e ndaluar” dhe malli i është dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme.