Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste, vuri theksin në ndryshimet që ka pësuar vendi në këto vite, reforma në drejtësi, tërmeti, negociatat me BE-në, situata në kampin e opozitës, marrdhëniet me fqinjët, si dhe për perspektivën evropiane që e pret Shqipërinë.
Sipas tij, Shqipëria do të jetë në BE edhe përpara 2030, një kufi ky i vendosur nga krerët më të lartë të Bashkimit Evropian, artikuluar në disa takime dhe samite evropiane.
Rama ka nënvizuar dhe sfidat kryesore me të cilat janë përballur socialistët gjatë qeverisjes.
“Sot kemi shpalosur prioritetet tona kryesore të zhvillimit për ta ngjitur Shqipërinë në majën e lartë drejtë si cilës u nisëm 10 vite më parë. Morëm në kurriz borxhe, krim të organizuar, varfëri, por edhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit. E morëm në një kohë kur askush nuk e merrte seriozisht emrin Shqipëri, dhe Shqipëria goditej sa herë zihej me gojë, qoftë në institucionet ndërkombëtare, qoftë në mediet e botës së lirë. Kemi luftuar me mijëra plagë të trashëguara dhe të fatkeqësive të reja, që na sprovuan njëra pas tjetrës nga një tërmet shkatërrimtar në një pandemi marramendëse”, theksoi Rama.