Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha nga protesta e Gjykatës së Lartë sulmoi ashpër këtë institucion dhe Gjykatën e Posaçme se janë nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha e konsideroi Gjykatën e Lartë si “vegël” të kryeministrit Edi Rama.
“Luftëtarë të lirisë, nisim sonte këtë betejë. Unë kam patur nderin të shërbej në këtë vend në postet më të larta. Për Sali Berishën ligji ka qenë gjithmonë më shumë se një rregull i shkruar, por thuajse një përcaktim gjysmë hyjnor. Një përcaktim kam patur për bashkëpunëtorët e mi, respektoni ligjin! U bënë vite që armiq dhe kundërshtar të mi kanë nxitur hetuese shteruese ndaj meje. Pse pas kaq kohësh? Sepse nuk kanë gjetur asnjë provë asnjë shkelje të Sali Berishës sepse unë gjithmonë kam respektuar ligjin, me bindjen më të thellë se i respekt është më i sigurt për funksionimin e shtetit ligjor pa të cilin nuk mund të ketë demokraci. Kjo Gjykatë pas meje është vegël e Edi Ramës që po përdoret për të masakruar arritjen më të madhe të shqiptarëve, pluralizmin politik”, ka theksuar Berisha.
Berisha paralajmëron për mosnjohje të vendimit të Gjykatës së Lartë, teksa tha se janë demokratët ata që duhet të vendosin se kujt i takon vula e PD-së dhe kush e drejton partinë dhe jo “vendimet e gjykatave”.
“PD, vula, selia e saj i përkasin demokratëve. Demokratët dhe jo gjykatat duhet ët vendosin se e kujt e është PD, se kush është kryetari i saj. A ka njeri sot që pajtohet se logo e partisë më të madhe opozitare në vend mund të jepet si një plaçkë? A ka një njeri të lirë sot që të mendojë se Lulzim Brava do të bëjë opozitë? Cili është ai skllav që mendon se ky vendim duhet respektuar vetëm se doli nga Gjykata? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit të konfiskojë vulën e partisë më të madhe opozitare?”, theksoi ai.
Rreth 200 efektivë janë angazhuar në terren, ndërsa në Gjykatën e Lartë ka filluar seanca për rekursin që Komisioni i Rithemelimit ka depozituar për vendimin e Gjykatës së Apelit që riktheu në shkallë të parë çështjen e vulës dhe logos së Partisë Demokratike.
Ndërkohë bëhet me dije se në gatishmëri për protestën janë edhe efektivët e Forcës së Sigurisë Kombëtare, të cilët do të ndërhyjnë nëse do të paraqitet nevoja.
Kujtojmë se në mars të këtij viti, Apeli zhbëri vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, që kishte konfirmuar Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 të mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit, drejtuar nga Berisha.
Berisha: Po burgosem në mënyrë të padrejtë
Sot pritet të arrestohet ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Ai dyshohet për korrupsion pasiv. Berisha në fjalën e tij para mbështetësve të Partisë Demokratike tha se po burgoset në mënyrë të padrejtë.
Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha tha se me masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj tij dhe heqjen e imunitetit është shkelur Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.
“U shkel Kushtetuta duke u kërkuar heqjen e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në kuvend. Gjithashtu u shkel rregullorja e Kuvendit në mënyrën si u votua heqja e imunitetit të tij. Pse u dashka kyçur pa asnjë provë në shtëpi Sali Berisha? Vetëm se i ka kallur bashkë me ju tmerrin monstrës së pluralizimit, Edi Ramës. Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës? Denoncimet tona i ka si helm se është mëkatar por nuk mund të bëhet fjalë për një grua, për një vajzë të korruptuar në Shqipëri pa cituar thjeshtrën e tij e cila pasurohet ditën dhe natën kur flen dhe kur zbavitet vetëm e vetëm falë njerkut të artë nga i cilin fiton çdo tender dhe asgjëson çdo konkurrent. Nuk mund të mos flitet për një grua të korruptuar kur përmend Linda në një kohë kur fiton me para të donatorëve çdo projekt bashkëpunimi me qeverinë. Të gjitha këto në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën ndaj dhe ata mendojnë se duke më hequr të drejtën e komunikimit do shpëtojnë nga kritikat. Sot duhet të kërkojmë vëmendjen e çdo shqiptari se kur gjykatat nuk garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, kjo është diktaturë. Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që është peng i Edi Ramës çfarë ndodh, kjo është diktaturë”, ka theksuar Berisha.
Ish-kryeministri shqiptar, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të reflektojnë, pasi sipas tij, në Shqipëri po përsëritet skenari i Rusisë.
“Shqiptarë zgjohuni sepse po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit. Jo diktaturë si ato të vjetra me kampe përqëndrimi por diktaturë moderne. Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre, betejë për vetëekzistencën e Shqipërisë. A do fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po”, ka deklaruar ai.
Kryetari i PD ka theksuar se opozita duhet të bindë qytetarët për të rrëzuar kryeministrin, Edi Rama.