Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, përmes një statusi në Facebook tha se 1 janari 2024 shënon fillimin e proceseve të rëndësishme për vendin tonë, e për më tepër siç tha ai, për procese të cilat po ndodhin për herë të parë.
Lëvizja e lirë pa viza filloi, e sipas tij, qytetarët kanë nisur të përfitojnë nga kjo e drejtë e fituar me mund.
Ai ka thënë se me rëndësi është të rikujtojmë se ajo duhet të shfrytëzohet pozitivisht, e jo të keqpërdoret.
Sipas tij, ka rregulla brenda lirisë për të udhëtuar të cilat duhen respektuar e trajtuar me përgjegjësi.
“:Nga sot, qytetarët tanë do të mund të lëvizin tashmë të padiskriminuar nga autoritetet serbe, me targat tona zyrtare RKS dhe pa vendosur ngjitëset në simbolet shtetërore në targat e veturave. Ky ishte pozicioni ynë që nga fillimi e kjo u realizua pas 2 vitesh tensione të panevojshme”, tha Bislimi.
Gjithashtu, ai tha se, Elektrosever ka filluar nominimin e energjisë që konsumohet në katër komunat në veri, që nënkupton se nga sot pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it.
“Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”,ka thënë Bislimi.
Tutje, ai tha, se 3 procese kanë filluar nga sot, procese të tjera do t’i ndërmarrim e zhvillojmë përgjatë vitit, gjithmonë në shërbim të interesave të të gjithë qytetarëve tanë. /Kosovatimes/