Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka vlerësuar vendim historik të BE-së hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai përmes një postimi në platformën X, tha se kjo sjell përfitime të rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për BE-në.
“Hyn në fuqi një vendim historik i BE-së. Qytetarët e Kosovës që nga sot mund të udhëtojnë në BE pa viza. Kjo sjell përfitime të rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për BE-në. I gjithë Ballkani Perëndimor tashmë është i lidhur me zonën Shengen përmes liberalizimit të vizave”, ka shkruar Borrell.
E pikërisht në mëngjesin e sotëm drejt shteteve evropiane kanë udhëtuar qytetarët e parë nga Kosova pa viza, në mesin e të cilëve edhe 50 qytetarë, që e fituan udhëtimin drejt Vjenës së Austrisë në kuadër të të një fushate informuese të Qeverisë së Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave. /Kosovatimes/