Kryeshefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Evetar Zeqiri, ka thënë se përveç liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së pa penguar me targa të RKS, është shënuar edhe një sukses i jashtëzakonshëm në sektorin e energjisë.
Zeqiri, në një postim në Facebook, ka shkruar se pas më shumë se 20 viteve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit
“Me 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01’, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, -kompani e licensuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës -ka filluar të nominoj energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 viteve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, shkruan ai.
Zeqiri në këtë postim sqaron se në fotografia e parë (në të majtë) tregon periudhën rreth 1 orë para orës 12:00h, para fillimit të nominimit. Ndërsa fotografia e dytë (në të djathtë) tregon kohën diku rreth 6 minuta pas fillimit të nominimit.
“Vërehet menjëherë një nivel i devijimeve të pa qëllimshme dukshëm më i ulët, pra afër zero”, ka shkruar ai. /Kosovatimes/