Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mbajtur ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me 70 kandidatët për zyrtarë të rinj korrektues, të gjeneratës së 44-të. Me këtë rast ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se buxheti për shërbimin korrektues të Kosovës për investime kapitale është më i larti që ka qenë ndonjëherë.
Haxhiu ftoi zyrtarët e rinj korrektues që me kontributin e tyre të bëjnë që personat e dënuar të ri integrohen në shoqëri.
70 zyrtarë të rinj korrektues do të ndihmojnë në riintegrimin e personave të cilët kanë vuajtur dënimet pasi kanë kryer vepra të ndryshme penale. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qëllimi i shtetit është që këta persona kur të dalin nga institucionet korrektuese të jenë të përgjegjshëm për shoqërinë dhe veprimet e tyre.
“Ushtrimi me përgjegjësi i detyrës tuaj të re do të mundësojë ngritjen e profesionalizimit dhe standardeve të funksionimit të institucioneve tona korrektuese. Jemi duke bërë përpjekje maksimale që ti fuqizojmë institucionet korrektuese dhe deri tani kemi ndërmarrë shumë veprime edhe në fuqizimin e pakos ligjore, për shërbimin korrektues të Kosovës, ekzekutimin e sanksioneve penale por edhe gjithashtu fuqizimin e programeve rehabilituese sikurse edhe të drejtat që kanë oficerët korrektues”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo shtoi se misioni i këtyre zyrtarëve të rinj është i shenjtë, sepse janë ata që me kontributin e tyre do të bëjnë që personat e dënuar të riintegrohen në shoqëri.
“Ideja nuk është që dikush të marrë një dënim për një vepër penale që ka bërë por qëllimi i shtetit në këtë rast institucioneve tona është që personi në fjalë apo personat kur të dalin nga institucionet korrektuese të jenë të përgjegjshëm për shoqërinë, të jenë të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Prandaj ju jeni ata që do të ndihmoni ta mbërrijmë këtë, pra ju jeni mundësia e korrektimit të veprimeve të personave të dënuar duke i bërë ata që të nesërmen të jenë të ndryshëm për shoqërinë dhe shtetin”, ka shtuar Haxhiu.
Sipas saj, ngritja e standardeve në burgje është shumë e rëndësishme për të garantuar që të gjithë të burgosurit të trajtohen me respekt dhe dinjitet.
“Prandaj jam e bindur që me përgjegjësinë tuaj por edhe profesionalizmin tuaj ju do të angazhoheni në këtë drejtim . Jam po ashtu e bindur se si shtet si shoqëri po ecim në hapa të sigurt përpara, për të përparuar institucionet tona, për të përparuar shtetin tonë por edhe shoqërinë në përgjithësi”, tha Haxhi.
Ministrja, duke ju uron punë të mbarë dhe suksese në punë, tha se i inkurajon që punën e tyre ta kryejnë me nder, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi. |Kjo është ajoj çka qytetarët presin prej gjithë zyrtarëve në institucionet publike. Prandaj unë jam e bindur që do të jeni shembull i mirë për qytetarët të cilët na përcjellin, na kritikojnë e na lavdërojnë për punë të mira”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, drejtuesi i shërbimit Korrektues pati një porosi për zyrtarët e rinj.
“Mos e shkelni ligjin”, natyrisht ky është edhe mesazhi im për juve sot por nuk mjafton vetëm që të mos e shkelim ligjin por kërkohet energji, angazhim për ti çuar proceset përpara. Në vitin që po hyjmë, po hyjmë me afro 10 milionë euro më shumë sesa në vitin e kaluar. Natyrisht do të ketë edhe sfida të tjera sepse nuk është vetëm buxheti ai që do ti zgjidhë të gjitha problemet e kamotshme që kanë qenë në shërbimin korrektues të Kosovës. Por angazhimi, ngritja profesionale për secilin prej juve është për ne mbështetje shumë e fuqishme, natyrisht që edhe mbështetja jonë për juve do të jetë e vazhdueshme”, tha Ismajl Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Vetëm për këtë vit buxheti për Shërbimin Korrektues të Kosovës, sidomos pjesa e investimeve kapitale është më e larta që ka qenë ndonjëherë diku 8 milionë vetëm për investime kapitale tha ministrja Haxhiu.
Ajo potencoi se kjo mundëson që të kemi institucione korrektuese të cilat janë në përputhje me standardet ndërkombëtare derisa shtoi se ngritja e standardeve në burgje është shumë e rëndësishme për të garantuar që të gjithë të burgosurit të trajtohen me respekt dhe dinjitet.