Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka njoftuar se mjetet që dyshohet të jenë shpërthyese, gjendeshin në Institutet Paraklinike në QKUK, përkatësisht në hapësirat ku është vendosur Oda e Mjekëve e Kosovës.
ShSKUK thotë se informacioni për hasjen e mjeteve shpërthyese është pranuar rreth orës 14:00.
“Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm”.
“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese”.
Sipas ShSKUK mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës.
“Mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve”, njofton tutje ShSKUK.
Ndërkohë Policia e Kosovës njofton se rreth orës 16:15, ekipet e specializuara për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë përfunduar me pastrimin e vendngjarjes nga mjetet e dyshuara. /Kosovatimes/